Dy profesorët e njohur të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli dhe Prof. Dr. Adrian Civici, promovojnë librin “Kriza ekonomike në kohën e pandemisë”.
Me një titiull po aq aktual sa situata e pandemisë, u promovua sot libri i dy profesorëve të njohur të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, ekspertë të ekononomisë, Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli dhe Prof. Dr. Adrian Civici.
“Mes dhjetra pyetjesh që erdhën si pasojë e pandemisë, libri përmban dy mesazhe të rëndësishme, të cilat mendoj se janë më të vlefshmet për të gjithë ne. Së pari njeriu qëndron mbi ekonominë dhe asgjë më shumë se kriza e shkaktuar nuk e dëshmon këtë. Duke vendosur njeriun në qendër, duke i dhënë aksesin maksimal për shërbimin shëndetësor ne mund të përballojmë sfidat e mëtjejshme. Së dyti, nevoja e strategjive afatshkurtra dhe afatgjata për ringritjen e ekonomisë pas krizës janë domosdoshmëri dhe kërkojnë bashkëpunim të gjerë të të gjithë institucioneve dhe aktorëve”, u shpreh në fjalën e tij, themeluesi i Universitetit Mesdhetar, njëri prej autorëve të librit “Kriza ekonomike në kohën e pandemisë”.
Të pranishmit në ceremoni vlerësuan këtë libër si një input të rëndësishëm me përgjigje për disa nga sfidat me të cilat po përballet jo vetëm Shqipëria por e gjithë bota shkaktuar nga virusi i rrezikshëm. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, u shpreh se libri vjen si kontribut për masat që po merren në zbutjen e krizës e cila nuk do jetë e shkurtër.
“Në fakt nuk ka kohë më të mirë për të lexuar këtë libër, i cili i jep një input të vlefshëm jo vetëm institucioneve për vijueshmërinë e gjithë nismave për të përballuar krizën, por për të parë përtej situatës së tejkalimit të kësaj emergjence”, u shpreh Ministrja Danaj.
Librin e vlerësuan gjithashtu guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, Kryetari i Akademisë së Shkencave Skëndër Gjinushi, Akademiku Shaban Sinani dhe figura të tjera të njohura të ekonomisë e politikës.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka qenë tepër aktiv me stafin e tij akademik me analiza e studime të detajuara mbi situatën e krijuar duke ofruar edhe një sërë zgjidhjesh afatgjata që kërkojnë kontributin e të gjithë aktorëve të shoqërisë.