Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve për vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa mbrëmjen e 11 qershorit në zonën e ‘Komunës së Parisit’ në Tiranë.
Mësohet se në pranga ka rënë një vajzë 26 vjeçare, e identifikuar si Adiola Lakra.
Policia bën me dije se e reja ka bashkëpunuar me autorin e krimit Viktor Marku dhe nipin e këtij të fundit Sebastian Mali, të dy këta të arrestuar pas atentatit ku billa u ekzekutua me armë zjarri.
Dyshohet se ngjarja ka ardhur për motive gjakmarrje, pasi Hekuran Billa ka vrarë në Britaninë e Madhe në vitin 2006 Prel Markun, vëllain e Viktor Markut.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Vijojnë veprimet hetimore intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B.
Shkon në tre numri i të arrestuarve të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë vrasje.
Gjatë orëve të para të ditës së sotme është vënë në pranga një 26-vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B.
Më parë, si rezultat i reagimit në kohë dhe falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u identifikua, u kap dhe u vu në pranga dhe bashkëpunëtori tjetër, shtetasi S. M.
Gjithashtu, falë punës profesionale të strukturave të DVP Tiranë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Policinë e Malit të Zi, mbi bazën e informacioneve të dhëna nga specialistët e Sektorit kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Tiranë, u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasit V. M., i cili u kap nga Policia e Malit të Zi.
Nga strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B., është bërë ndalimi i shtetases:
- L., 26 vjeç, banuese në Tiranë.
Kjo shtetase dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B., së bashku me shtetasin V. M. (vëllai i shtetasit P. M., i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi H. B.) dhe shtetasin S. M. (nipi i shtetasit P. M).
Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të shumta për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është vënë në pranga për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A. A. , të cilit i është gjendur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë me një krehër 7 fishekë.
Strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë ngjarje.
Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetases A. L.