Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit do të japë vendimin në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Ky i fundit ka mbërritur në ambientet e gjykatës shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia.
Por një skenë e pazakontë ka ndodhur për një moment.
Kur Tahiri po afrohej pranë derës së Gjykatës, një operator televiziv ngatërrohet dhe rrëzohet.
Menjëherë ish-ministri nuk ka ngurruar të japë një mesazh të koduar në drejtim të kamerave.
“Kështu do e hanë të gjithë”, deklaroi ai me nënkuptim.
Kujtojmë se në seancën e 11 qershorit, Tahiri paraqiti një mbrojtje prej 138 faqesh, ndërkohë që prokurorët e çështjes kërkuan shfuqizim të dënimit të konvertuar në shërbim prove.
Tahiri një vit më parë është dënuar 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre.
SPAK nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.