Ditën e sotme (23 qershor) përfundon dhe afati i gjendjes së fatkeqësisë natyrore, që u caktua nga qeveria më 24 mars për shkak të pandemisë së COVID19.
Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dalë në një komunikim zyrtar ku ka thënë se edhe pse afati për gjendjen e fatkeqësisë natyrore ka mbaruar, masat duhet të zbatohen ende sepse vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit”, tha Manastirliu.
Gjithashtu ministrja tha se janë përgatitur disa skenarë për personat e infektuar nga koronavirusi.
“Sikurse sistemi shëndetësor tashmë i hapur, po vijon me kapacitet të plotë dhe është futur në normalitet prej 1 muaji. Por nëse nuk duan të shohim në vendin tonë pamje si ato të spitaleve në vendet fqinje, që shkuan deri në kolaps të sistemit, duhet të bëjmë të pamundurën për të parandaluar çdo mbingarkesë të shkaktuar nga ky infeksion. Si bëhet kjo? Secili duke bërë detyrën e tij, të mbrojmë personelin shëndetësor, duke mos e rrezikuar atë nga pakujdesia apo neglizhenca. Gjatë këtyre tre muajve ne kemi marrë të gjitha masat dhe kemi siguruar stokun e materialeve të mbrojtjes personale për stafet mjekesore, kemi rritur numrin e pajisjeve të nevojshme biomjekësore për trajtimin e pacienteve dhe kemi siguruar terapitë e mjekimit pa asnjë mungesë. Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës. Jemi duke u përgatitur për disa skenarë sipas planit të veprimit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Po sërish çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovë. Vetëm duke treguar kujdes për masat më të thjeshta, parandalimi është e vetmja armë e sigurt ndaj këtij virusi, do të mund t’ja dalim edhe në këtë situatë”.
Ndërsa për transportin publik është vendosur rihapja, por e shoqëruar nga masat dhe protokollet specifike të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Kështu, mësohet se do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskave dhe nëse do të shkellën rregullat nuk do te këtë tolerancë.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi heqjen e kufizimit për transportin publik, pra do të vijojë transporti publik ndërqyetetas dhe brenda qytetit, por me disa masa dhe protokolle të veçanta të cilat tashmë janë të miratuara dhe aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të theksoj se përdorimi i maskës gjatë udhëtimit si për ata që shërbejnë dhe për qytetarët që përdorin transportin publik do të jetë i detyrueshëm. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse do të konstatohet mosrespektim i këtyre masave dhe rregullave të vendosura që janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e popullatës dhe për të mos lejuar përhapjen e SARS-COV2”, tha ministrja.