Një vrasje tronditi mbrëmjen e djeshme Gjirokastrën.
Mësohet se 60-vjeçari Janaq Koleta ka ekzekutuar Andrea Xhavaran, dhe shkak për këtë është bërë humbja e një pele.
Autori ka dëshmuar përpara uniformave blu duke pranuar fajin dhe duke treguar se si nisi ngjarja.
“Meritoj të kaloj vitet e mbetura në burg”, mësohet të ketë thënë 60-vjeçari në dëshminë e tij në Komisariat.
Kujtojmë se sherri nisi gjatë orëve të pasdites së djeshme, ku agresori dyshonte se viktima i kishte marrë pelën, pavarësisht të insistimin nga ana e këtij të fundit se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Debati ka agravuar, ku Koleta e ka qëlluar me shkop në këmbë dhe në tentativë për t’u larguar, Xhavara është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në një shtyllë druri, duke marrë dëme të shumta në kokë.
“Nuk kam dashur ta vras, por veç ta tremb për atë që unë dyshoj se kishte marrë pelën time. E kam qëlluar nga këmbët me një shkop disa herë ne ecje dhe më pas ai u rrëzua tek një shtyllë druri pranë një gardhi ku është dëmtuar në kokë.
Hemoragjia ka qenë shumë e madhe dhe e pashë teksa po i dilte shumë gjak. I gjendur në këto kushte jam larguar nën panik nga ajo që bëra dhe nuk dija ku më çonin këmbët. Nuk e kam qëlluar për ta vrarë, por vetëm për ta trembur. Meritoj të dënohem dhe vitet e mia të mbetura t’i kaloj në burg, e meritoj për këtë krim që kam bërë”, mësohet të ketë thënë Koleta.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Gjirokastër
Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 17.06.2020, në fshatin Labovë e Zhapës, ku humbi jetën 60-vjeçari A. Xh.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. Xh.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Labovë e Zhapës, ku pas një konflikti mes dy shtetasve humbi jetën shtetasi A. Xh., 60 vjeç, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit në kohë reale, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. K., për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.