Deputetja e opozitës së re Rudina Hajdari vijon me paralajmërimet e forta përsa i përket lëvizjeve të saj në politike.
Gjatë një interviste për A2CNN, ajo ka theksuar se do të vijojë me betejën e saj, dhe shtoi se nesër do të mbledhë një konferencë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupe interesi.
“Unë do ta vazhdoj betejën time për hapjen e listave. Kam marrë mbështetje nga shoqëria civile dhe grupe interesi. Nesër do i mbledh në një konferencë, e cila do ketë mbështetje të gjerë dhe do tregojë sa e rëndësishme është sot të kemi një ndryshim thelbësor”, u shpreh Hajdari.
Përsa i përket ndryshimeve kushtetuese ajo tha se duhet të bëhen në mënyrë shumë të kujdesshme dhe në konsultime me grupe interesi dhe ekspertësh.
“Kemi nevojë për një kod të ri elektoral, por duhet të jemi të kujdes në ndryshimet kushtetuese. Duhet të konsultohemi edhe me palët e tjera. Duhet të krijojmë një tryezë më të gjëre, me pjesëmarrjen qoftë edhe të shoqërisë civile por edhe ekspertë që e njohin mirë Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën, pa bërë dëme të tjera”, nënvizoi Hajdari.