Gjatë raportimit që ka bërë ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko shprehet se ekonomia shqiptare do të pësojë rënie gjatë 2020-ës.
“Ekonomia shqiptare pritet të shënojë rënie gjatë vitit 2020, rënie e cila do të shoqërohet me reduktim të punësimit e rritje të papunësisë, me rënie të të ardhurave për familjet, si dhe me përkeqësim të situatës financiare të bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje erdhi në një moment delikat për ekonominë shqiptare, e cila pësoi dëme dhe humbje ekonomike të vlerësuara në 7.5% të PBB-së nga tërmeti i datës 26 nëntor të vitit të kaluar”, u shpreh Sejko.
Ndërkohë, në raportimin për 2019 gurvernatori tha se rritja ekonomike rezultoi në nivelin 2.2% nga 4.1% që ishte parashikimi, ndërsa renditi si faktor ndikues mungesën e prodhimit të energjisë si dhe tërmeti i 26 nëntorit.
“Viti 2019 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare. Mjedisi i huaj ekonomik u shfaq i pafavorshëm, i karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike, nga inflacioni i ulët, si dhe nga pasiguri të shtuara, si pasojë e forcimit të masave proteksioniste në tregjet botërore. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijoi të përfitojë nga rritja e konsumit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve, kryesisht si pasojë e vijimit të trendit pozitiv të turizmit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend u ndikua negativisht nga rënia e fortë e prodhimit të energjisë elektrike, nga përfundimi gradual i investimeve në projektet madhore energjetike, si dhe nga tërmeti i muajit nëntor, i cili shkaktoi dëme dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Për rrjedhojë, rritja ekonomike e vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar në vitin paraardhës”, u shpreh Guvernatori Gent Sejko.