Kristian Panuçi beson te suksesi sot. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në konferencën tradicionale në vigjilje të ndeshjes kundër Turqisë u shpreh se ekipi është stërvitur mirë dhe është gati për këtë përballje delikate ndaj një kundërshtari të fortë. Gjithashtu, ai u shpreh dhe për çështjen “Lenjani”, ku theksoi se ka ndërmend t’ia plotësojë lojtarit dëshirën dhe nuk do ta grumbullojë më, duke e cilësuar përgjigjen e tij një mungesë respekti ndaj fanellës së ekipit Kombëtar.
Çfarë keni parë nga skuadra këto ditë?
Kanë punuar mirë. Është ambient mirë. Djemtë janë gati për ta luajtur këtë ndeshje. Të shikojmë nesër…
Në vitin 2018 Shqipëria shënoi vetëm 3 gola, si keni menduar ta përmirësoni këtë?
Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë. Kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe 1 gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu.
Duke qenë ndeshja e parë, është e rëndësishme ndaj një kundërshtari të fortë. Çfarë mesazhi u keni dhënë? Ku keni menduar ta godisni? Pika e tyre e fortë?
Është e vërtetë që kanë një skuadër të fortë, por nëse lojtarët kundërshtarë janë të përqendruar për 90 minuta, do të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë.
Keni deklaruar më parë që do tentoni ta fitoni ndeshjen. Cilat janë pritshmëritë konkrete? Me çfarë rezultati do ishit i kënaqur?
Unë jam pozitiv dhe skuadra është e përgatitur. Ka kualitet, siç ka edhe Turqia. Jam i bindur që mund të arrijmë një fitore, por gjithçka mbetet për t’u parë nesër. Duhet të japim maksimumin në fushë.
Shumë lojtarë luajnë në skuadrat më të rëndësishme në Itali. Ku mendoni se ka potencial për të shkuar Shqipëria?
Skuadra ka potencial. Të përqendrohemi te Turqia dhe Islanda, Francën ta lëmë në terezinë e saj. Skuadra është e konsoliduar, por ka shumë rrugë për të bërë. Kjo skuadër është si një minë me sahat, mund të shpërthejë kurdo dhe të bëjë gjëra të mëdha.
Lenjani tha që “nuk vij më sa të jetë Panuçi”. Mund të jetë si rasti “Xhaka”, që rikthehet? Sa e njihni Turqinë?
Lenjani është grumbulluar 6 herë, nga 9 grumbullime. Thirrja e fundit mungoi, sepse nuk ka luajtur. Lenjani nuk i ka shprehur mungesë respekti Panuçit apo Dukës, por Shqipërisë. Më vjen të qesh, të komentoj një lojtar që shkruan një letër në “Instagram”, ajo që mund të bëj është të pranoj kërkesën e tij.
Si ka ndryshuar futbolli turk? Një lojtar turk luan me Romën, ku keni qenë edhe ju, por nesër nuk do të jetë…
Futbolli turk si në të gjithë Europën ka rëniet dhe ngritjet e veta. Gëzohem që Under nuk do të jetë nesër, por ka lojtarë të tjerë shumë të mirë, të cilëve duhet t’ia kesh frikës. Ka edhe lojtarë patriotë dhe e shijojnë himnin kur këndohet në fillim të lojës./ GSH