Ditën e sotme, përfaqësuesit e biznesit të vogël zhvilluan njëë takim me kryedemokratin Lulzim Basha. Gjatë takimit, ata u shprehën se janë të pakënaqur në lidhje me pagat që qeveria ka vendosur ndaj kaosit okonomik që u shkaktua ndaj pandemisë.
Më tej, ata theksojnë se këtë pagë, e kanë përfituar vetëm gjysmat e bizneseve.
Gjatë fjalës së tij, biznesmeni Nasto tha se pagat e luftës, janë paga sociale. Këto nuk ndihmojnë biznesin, pasi biznesi nuk mund të mbijetojë me 260 apo 400 mijë lekë të vjetra.
“Dua të them që edhe ne si shoqatë kemi qenë të prekur nga kjo situatë. Gjendja nuk është aspak e mirë. Po shkon drejt një degradimi total. Atëherë qeveria ka miratuar dy paketa, të cilat i quan paga lufte, një 260 mijë lekë dhe një 400 mijë lekë të vjetra. Asnjë paketë nuk përfshin më shumë se gjysmën e atyre që duhet të ishin. Për ne nuk janë paketa ndihme, për biznesin, janë sociale. Nuk janë paga lufte se në luftë nuk paguhen taksa. Biznesi po shkon çdo ditë drejt falimentimit. Nuk ka asnjë plan ekonomik nga qeveria. Të gjitha këto paketa nuk e ndihmojnë biznesin. Këto po na degradojnë. Duket sikur ne duam lëmoshë, ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Në fatkeqësi natyrore thuhet se shteti duhet t’i dëmshpërblejë të gjithë. Bashkitë nuk kanë hequr taksat. Ne po paguajmë taksa njësoj. Kolegëve tanë po i vijnë faturat sikur të ishin në punë. Ne po shprehim shqetësimin tonë. Nuk kalohet kriza me 260-400 mijë lekë. Duhet hedhur lekë. Duhet ndjekur modele evropiane. Shikoni Kosovën, Maqedoninë. Deri tani ndihma ka qenë tallëse. Nëse ne jemi bërë për këtë pagesë, atëherë kurrë mos e marrshim. Janë 250-300 mijë të punësuar në biznesin e vogël. Çfarë do bëhet me ne zoti kryeministër. Ne kemi ardhur me ftesë të zotit Basha për të bërë një ekpoze të gjithë kësaj krize. Vetëm gjysma e biznesit e ka marrë ndihmën. Çfarë duam ne? Kryeministër hap ekonominë, duhet të hapen subjektet, por nuk hapen ato pa qytetarin. Qeveria thotë hapuni, por e mban qytetarin në shtëpi. Kjo që të mos na paguajë detyrimet. Qeveria duhet të emetojë lekë, grante për biznesin e vogël. Ministria e Financave dhe pushteti lokal i ka listat. Nuk ka nevojë për aplikime. Nëse vazhdohet kështu, këtu ka për të ndodhur një krizë e paparë ndonjëherë. Për ta mbyllur, gjendja është e rëndë. Lehtësim taksash dhe hapje të biznesit, bashkëshoqëruar me lejimin e qytetarëve për të lëvizur”., u shpreh biznesmeni Nasto.