Kreu i opozitës ka reaguar ndaj apelit të Ambasadës Amerikane për vetëpërmbajtje dhe për shmangie të dhunës në protestën e të shtunës. Lulzim Basha deklaroi se nuk do të komentojë deklaratën e tyre,. Por ndërkohë kërkon që ata të mos bëhen palë me asnjë person apo parti politike.
“Nuk komentoj deklaratat e ambasadave meqë më pyesni. Nuk i kërkoj të jenë palë me asnjë person në Shqipëri, me asnjë parti politike, por i kërkoj të jenë palë për vlerat me të cilat vendet e tyre qëndrojnë, vlerat e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës, të luftës kundër shitblerjes së votës.
Probleme të cilat i shprehu qartë edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit para ditësh. Protesta e nesërme do të jetë një tjetër rast për shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ngritur zërin. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që e vetmja mënyrë për të garantuar ndarjen e së keqes, është protesta.
Këtë e tregoi protesta e Teatrit, këtë e tregoi protesta e banorëve të Unazës, këtë e tregoi protesta e Studentëve, këtë e tregoi protesta e 16 shkurtit dhe protestat e tjera që pasuan, këtë do e tregojë edhe protesta e së nesërmes, për të cilën kam bindjen dhe informacionin se do të hyjë në histori si një nga protestat më të mëdha, një nga bashkimet më të mëdha të qytetarëve, për të ndalur të keqen dhe për të hapur derën e mbyllur të Europës”, u shpreh Basha.
Këto deklarata, kreu i opozitës i bëri pas takimit me Ministrin e Jashtëm çek.