Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për shitjen me pakicë dhe shumicë të naftës dhe benzinës në Shqipëri. Sipas vendimit të datës 14 tetor 2026, çmimi i naftës nuk do të jetë më shumë se 213 lekë për litër, ndërsa benzina do të shitet me një çmim maksimal prej 190 lekësh për litër.
Konkretisht, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në jo më shumë se 213 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 201 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është caktuar në 190 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 178 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi më 14 tetor, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit. Në rast të konstatimit të shkeljeve, parashikohet pezullimi i aktivitetit të operatorëve.
Vendimi është marrë në kuadër të masave për përballimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, të shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se synojnë të mbrojnë interesat e konsumatorëve dhe të garantojnë konkurrencën e ndershme në treg.







