Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti këtë të hënë në Tiranë homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, në një takim që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Gjatë vizitës zyrtare, dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe synon zhvillimin e projekteve konkrete në sektorë me interes të përbashkët. Marrëveshja përfshin fusha të ndryshme, nga ekonomia dhe tregtia te inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua turizmit, i cili, sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka njohur zhvillime pozitive vitet e fundit, duke u kthyer në një prej sektorëve me potencial për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në fokus të bisedimeve ishte gjithashtu situata e sigurisë rajonale dhe globale, si dhe kontributi i Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.
Ministri Ferit Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sigurinë e Izraelit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për një zgjidhje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin. Të dyja palët riafirmuan gjithashtu angazhimin kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje.
Në kuadër të vizitës në Tiranë, ministri izraelit Gideon Sa’ar vizitoi edhe një ekspozitë arkivore që dokumenton mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim, dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe koordinimit në të gjitha nivelet, me synimin për të thelluar partneritetin mes Shqipërisë dhe Izraelit.








