Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Diaspora
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Diaspora
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Uncategorized

Projektligji për ndërtimet e konfiskuara/ AAPSK merr administrimin, ja si do të funksionojë

nga Fast News
2 minutes më parë
në Uncategorized
0
Projektligji për ndërtimet e konfiskuara/ AAPSK merr administrimin, ja si do të funksionojë
152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

Qeveria miratoi propozimin për ndryshime dhe shtesa në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje. Ndryshimet e propozuara nga qeveria, dhe që mbajnë firmën e kryeministrit Edi Rama, synojnë që këto objekte të përdoren për interes publik, strehim social dhe për zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara. Projektligji është propozuar nga ministri i Brendshëm dhe ai i Ekonomisë e Inovacionit, dhe do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Sipas propozimeve të qeverisë, jo të gjitha ndërtimet e konfiskuara si të paligjshme do të kalojnë për përdorim nga të tretët, pasi një pjesë e tyre do të kenë sërish mundësinë e legalizimit. Një kategori objektesh me shkelje të lejes do të mund të legalizohen, kur njësitë janë në duart e blerësve me kontrata noteriale.

Kur objekti ka shkelje të lejes së ndërtimit, punimet në strukturë kanë përfunduar dhe apartamentet apo njësitë posedohen ose përdoren nga palë të treta, porositës apo përfitues me kontratë noteriale me investitorin ose zhvilluesin, objekti mund të legalizohet dhe regjistrohet sipas ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Në këto raste Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do t’i kërkojë Kadastrës vijimin e legalizimit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm për blerësit është mënyra se si njihen kontratat e tyre. Qeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin nr.66/2023, që prekin gjithashtu trajtimin e qytetarëve, që kanë blerë apartamente në këto ndërtime, duke parashikuar në raste të caktuara kalimin e pronësisë së njësisë dhe jo vetëm njohjen e një detyrimi financiar. Ligji aktual parashikon njohjen proporcionalisht të shumës së paguar dhe kompensimin e personit të tretë me vlerën që korrespondon me punimet e realizuara.

Me ndryshimet e propozuara, autoritetet duhet të njohin dhe respektojnë kontratat e hartuara përpara noterit dhe të regjistruara në Kadastër përpara konstatimit të paligjshmërisë. Pas përfundimit dhe regjistrimit të ndërtesës, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të miratojë kalimin e pronësisë te blerësi për njësinë që i takon sipas kontratës së lidhur më parë me zhvilluesin.

🎙️ Podcast “Money Hour” | Fast News Economy



🏛️ LIGJET E BIZNESIT–Ligji në Kohë Reale për Biznesin Modern

Ligji në fuqi e mbështet administrimin e objekteve të konfiskuara te një Komision me nëntë anëtarë, ministria përgjegjëse për pronën shtetërore dhe njësitë e zbatimit. Ndërkohë, projektligji heq Komisionin dhe njësinë e zbatimit dhe ia kalon funksionet kryesore Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Pranë Agjencisë do të ngrihet një grup pune me numër tek anëtarësh, të caktuar me urdhër të titullarit të saj, që do të administrojë objektet dhe fondin e posaçëm, do të propozojë shitjen e pasurive, do të zhvillojë ankandet dhe do të monitorojë pasuritë e dhëna në përdorim. Projektligji parashikon gjithashtu që ekspertët e jashtëm të kësaj agjencie të zgjidhen nga lista e administruar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa përzgjedhja e tyre përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik.

 

PROJEKTLIGJI I PLOTË:

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.66/2023, “PËR ADMINISTRIMIN E OBJEKTEVE TË KONFISKUARA SI NDËRTIME PA LEJE, ME QËLLIM PËRDORIMIN E TYRE PËR INTERES PUBLIK APO STREHIM SOCIAL, SI DHE ZBUTJEN E PASOJAVE SOCIALE TË SHKAKTUARA”

Në mbështjetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

  1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. “Grupi i punës” është grupi përgjegjës i ngritur pranë AAPSK-së, me urdhër të titullarit, për hartimin dhe realizimin e masave të administrimit e të zhvillimit për ndërtimin, përshtatjen, përfundimin, administrimin dhe shfrytëzimin e objekteve të konfiskuara dhe/ose objekteve të kaluara në favor të shtetit, sipas dispozitave të këtij ligji, për interes publik, masa sociale apo iniciativa publike shtetërore.”.

  1. Pika 4 shfuqizohet.
  2. Pika 8 shfuqizohet.
  3. Shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

“9. “Fond i veçantë/ i dedikuar për ndërtimet pa leje” janë burime financiare, të cilat destinohen për veprimtarinë/zhvillimin e objekteve pa leje, që janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim AAPSK-së, sipas përcaktimeve në këtë ligj.”.

Neni 2

Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:

  1. Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) ministri përgjegjës për konfiskimet, në varësi të të cilit është AAPSK-ja;”.

  1. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara;”.

  1. Shkronja “dh” shfuqizohet.

Neni 3

Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10

Ministri përgjegjës për konfiskimet

  1. AAPSK-ja, nëpërmjet ministrit përgjegjës për konfiskimet, i propozon Këshillit të Ministrave kalimin e objekteve të konfiskuara, që kanë kaluar në favor të shtetit, apo pjesët takuese të tyre në pronësi / përdorim ose në përgjegjësi administrimi të institucioneve apo enteve publike.
  2. Ministri përgjegjës për konfiskimet, me propozim të AAPSK-së, miraton përdorimin e fondit të veçantë/të dedikuar për ndërtimet pa leje, i nevojshëm për t’i mundësuar organit përgjegjës për administrimin e objekteve të konfiskuara të realizojë përfundimin/përmirësimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara/të kaluara në favor të shtetit.”.

Neni 4

Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 11

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara

Organi përgjegjës për administrimin e objekteve të konfiskuara është Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (në vijim AAPSK).

  1. AAPSK-ja ka këto detyra:
  2. a) Administron objektet e konfiskuara, në zbatim të propozimit të grupit të punës për përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social apo për interes publik;
  3. b) Administron fondin e veçantë / e dedikuar për ndërtimet pa leje dhe kryen përdorimin e tij;
  4. c) Aplikon në cilësinë e përfaqësuesit të pronarit shtet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit apo çdo institucioni tjetër, me qëllim kryerjen e veprimeve në lidhje me objektet e konfiskuara;

ç) Përcjell propozimin pranë ministrit përgjegjës për konfiskimet, bashkëlidhur me relacionin tekniko-financiar të objektit të konfiskuar, me qëllim miratimin për kalim në fazën e shitjes së objektit;

  1. d) Pasi merret miratimi nga ministri përgjegjës për konfiskimet, zhvillon ankandin publik të shitjes së objekteve të konfiskuara, sipas ligjit për ankandet, dhe nënshkruan aktet e nevojshme për kalimin e pronës në favor të fituesit të ankandit;
  2. dh) Në përfundim të programit të shitjes së objektit të konfiskuar apo pjesëve takuese të tij kryen kalimin e fondeve në fondin e veçantë / e dedikuar për ndërtimet pa leje;
  3. e) Kryen procedurën e dorëzimit të objekteve të konfiskuara tek institucioni/enti publik në pronësi/përdorim/përgjegjësi administrimi të të cilit kalon objekti i konfiskuar;

ë) Ushtron kontroll dhe monitorim për pasuritë e dhëna në përdorim.

  1. Në funksion të miradministrimit apo përdorimit më të mirë të objekteve të konfiskuara, AAPSK-ja angazhon ekspertë vlerësues të licencuar apo/dhe ekspertë të jashtëm, të cilët përzgjidhen nga AAPSK-ja, sipas listës së publikuar, administruar nga Ministria e Drejtësisë. Procedurat e përzgjedhjes përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik dhe rregullohen me marrëdhenie kontraktuale.
  2. Objekti i konfiskuar, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor, merret nga AAPSK-ja, brenda afatit 30-ditor, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse për konfiskimin e tij.
  3. Të gjitha aktet dhe vendimet publikohen në mënyrë elektronike në faqen zyrtare të AAPSK-së.
  4. Në rast mospërputhjeje të dokumentacionit tekniko-ligjor, të përcjellë pranë AAPSK-së, kjo e fundit i drejtohet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për rishikimin këtij dokumentacioni dhe përputhjen e tij me gjendjen faktike të objektit.
  5. IKMT-ja, në përputhje me kompetencat, vlerëson konstatimet dhe ia përcjell KKTU-së për vendimmarrje.
  6. Përjashtimisht, për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, për të cilat gjatë vlerësimit nga grupi i punës konstatohet se janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë dhe posedohen/përdoren nga palët e treta/porositës/përfitues të njësive individuale me kontratë të hartuar përpara noterit me investitorin/subjektin zhvillues, legalizohen dhe regjistrohen sipas ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

AAPSK-ja, për këtë kategori objektesh, i kërkon ASHK-së vijimin e procedurave të legalizimit, sipas legjislacionit përkatës.”.

Neni 5

Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 12

Grupi i punës

  1. Grupi i punës, i ngritur pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), bën vlerësimin e objekteve të konfiskuara dhe është përgjegjës për:
  2. a) vlerësimin dhe miratimin e proceseve të zhvillimit, përfshirë detajimin e përcaktimin e masave /detyrave/ të drejtave, të cilat synojnë zbutjen e pasojave të krijuara nga konfiskimi për interes publik i objekteve të ndërtuara pa leje, me qëllim fitimi, në përputhje me parashikimet e ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe akteve nënligjore, në zbatim të tij;
  3. b) konstatimin e pjesës takuese të pronarit të truallit, sipas kontratës noteriale, me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, kontratë e cila është e regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit;
  4. c) konstatimin proporcionalisht të detyrimit financiar të paguar nga personat e tretë, në favor të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues nëpërmjet sistemit bankar, nëse bazohet në një kontratë të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit;

ç) përcaktimin e mënyrës së administrimit, shfrytëzimit të objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të tyre.

  1. Grupi punës përbëhet nga numër tek anëtarësh, të përcaktuar me urdhër të brendshëm të titullarit të AAPSK-së.
  2. Grupi punës ka këto detyra:
  3. a) Merr të dhëna nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, agjencia përgjegjëse për zhvillimin e territorit, agjencia përgjegjëse për planifikimin e territorit, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, Dhoma Kombëtare e Noterisë, Ministria e Drejtësisë, çdo dokumentacion financiar justifikues nga palë të treta, bankat e nivelit të dytë, të cilat operojnë në Republikën e Shqipërisë, apo çdo institucion tjetër publik në vend, si dhe akseson të dhënat në Regjistrin e Objekteve të Konfiskuara;
  4. b) Vlerëson, rast pas rasti, gjendjen e objekteve të konfiskuara dhe i propozon, nëpërmjet titullarit të institucionit, kalimin në përgjegjësi administrimi, përdorim të përkohshëm, dhënie me qira apo në pronësi të objektit të konfiskuar, në favor të institucioneve publike apo të enteve publike përkatëse;
  5. c) Vlerëson masat për përfundimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara, sipas parashikimeve në proceset e zhvillimit;

ç) Propozon formën e zhvillimit, e cila përmbush më mirë interesin publik / social;

  1. d) I propozon titullarit mënyrën dhe masën e përdorimit të fondeve nga fondi i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje;
  2. dh) AAPSK-ja ka të drejtë të marrë shërbime nga ekspertë të fushës, sipas listës së publikuar të tyre, me qëllim vlerësimin financiar e teknik të gjendjes së objekteve të konfiskuara, pagesat e të cilëve mbulohen nga fondi i veçantë/i dedikuar për ndërtimet pa leje. Raporti i paraqitur nga eksperti përbën bazë vlerësimi për grupin e punës;
  3. e) Publikon në faqen zyrtare të AAPSK-së informacionin për gjendjen juridike të pasurisë “truall”, mbi të cilin është ngritur objekti i konfiskuar, në rastet kur rezulton se nuk ka pronar të identifikuar;

ë) Kryen edhe detyra të tjera, që i ngarkohen në zbatim të këtij ligji dhe akteve nënligjore nga titullari i institucionit.

  1. Rregulla më të detajuara për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të grupit të punës përcaktohen me rregullore të brendshme të institucionit, të miratuar nga titullari, rast pas rasti.”.

Neni 6

Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 13

Agjencia e Zhvillimit të Territorit

  1. Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në cilësinë e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), pas vendimmarrjes së KKTU-së për konfiskimin e objektit pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit:
  2. a) shqyrton aplikimet përkatëse, me qëllim lëshimin e lejeve të ndërtimit, sipas projektit të zbatuar dhe sipas destinacionit të ri;
  3. b) propozon për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit rregulloren e veçantë, sipas përcaktimeve të nenit 27, të këtij ligji.
  4. Për rastet, procedura e të cilave ka filluar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, AZHT-ja vijon me procedurat e shqyrtimit të aplikimit për pajisjen e subjektit direkt me lejen e ndërtimit, si dhe certifikatën e përdorimit. Në këto raste, vendimmarrja shoqërohet me rregullore të veçantë.”.

Neni 7

Në nenin 14 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

  1. Shkronja “a”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) regjistron vendimin e organit përgjegjës (KKTU) për konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje/në tejkalim të lejes, në seksionin e shënimeve të veçanta të kartelës së pasurisë, mbi të cilën ngrihet objekti i konfiskuar. Në pamundësi të përcaktimit të pasurisë, mbi të cilën ngrihet objekti i konfiskuar, kryen regjistrimin e vendimit të konfiskimit në regjistrin e posaçëm të lejeve të ndërtimit;”.

  1. Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) siguron, që të reflektojë në certifikatën e pronësisë pronësinë e shtetit mbi objektin e konfiskuar, sipas pjesëve takuese përkatëse, pasi të jetë lëshuar certifikata e përdorimit (në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit) dhe përgjegjësinë e administrimit për AAPSK-në.”.

  1. Shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 2, shfuqizohen.
  2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Në përfundim të regjistrimit të kryer nga strukturat përgjegjëse të ASHK-së, AAPSK-ja regjistrohet si organ administrues i pasurisë, në pronësi të Republikës së Shqipërisë.”.

Neni 8

Nenet 15 dhe 16 shfuqizohen.

Neni 9

Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 17

“Mënyrat e administrimit të zhvillimit të objekteve të konfiskuara”

  1. Administrimi i objekteve të konfiskuara është një proces i integruar zhvillimi, i cili realizohet nëpërmjet:
  2. a) zhvillimit të objekteve të konfiskuara, të ndërtuara në truall shtet;
  3. b) zhvillimit të objekteve të konfiskuara, të ndërtuara në truall privat;
  4. c) shitjes së objekteve të konfiskuara;

ç) zhvillimit të objekteve me investim të papërfunduar;

  1. d) formave të tjera të administrimit të objekteve të përfunduara, sipas përcaktimeve të Kodit Civil.”.
  2. Destinimi i objekteve të përfunduara, me status “konfiskuar”, sipas përcaktimeve të këtij ligji, kryhet në përputhje me parashikimet e nenit 21, të këtij ligji bazuar në propozimin e AAPSK-së.”.

Neni 10

Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 18

Zhvillimi i objekteve të konfiskuara në truall shtet

  1. AAPSK-ja merr, regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiskuara deri në momentin e zbatimit të një prej formave të zhvillimit.
  2. Institucioni/enti publik, me kërkesë të arsyetuar, i kërkon AAPSK-së kalimin në përdorim/përgjegjësi administrimi apo pronësi të objektit të konfiskuar ose pjesë të tij, me qëllim përdorimin e tyre.
  3. Marrëdhëniet më të tretët rregullohen sipas nenit 24, të këtij ligji.
  4. Me qëllim përfundimin e punimeve/përshtatjen e objektit të konfiskuar, AAPSK-ja, për këto objekte në pronësi apo në administrim të saj, mbështetet në fondin e veçantë/e dedikuar për ndërtime pa leje ose në buxhetin e shtetit të miratuar.”.

Neni 11

Neni 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 19

Zhvillimi i objekteve të konfiskuara, të ngritura në truall privat

  1. AAPSK-ja merr, regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiskuara deri në momentin e zbatimit të një prej formave të zhvillimit.
  2. Pas marrjes në dorëzim të objektit dhe pas njohjes me nevojat/kërkesat e institucioneve apo enteve publike, interesave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, AAPSK-ja vlerëson:
  3. a) destinacionin e objektit/objekteve apo pjesëve takuese të konfiskuara;
  4. b) masën e shprehur në përqindje të pjesëve takuese, që rrjedhin nga marrëdhënia ligjore me pronarët e truallit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe parashikimeve të kontratës së lidhur me subjektin zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, përpara konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim, vetëm mbi pjesën e ndërtuar sipas lejes së ndërtimit;
  5. c) masën e detyrimit financiar që njihet për personat e tretë, sipas parashikimeve të këtij ligji.
  6. Në rastet kur nuk ka marrëveshje me pronarët e truallit, procedohet me shpronësim, për sa i përket të gjithë objektit të ndërtuar pa leje, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.”.

Neni 12

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 19/1

Zhvillimi i objekteve me investim të papërfunduar

  1. Bazuar në raportin e ekspertit të kontraktuar, grupi i punës realizon detyrat e mëposhtme:
  2. a) Kryen vlerësimin e përshtatjes së objektit dhe përcakton nevojat teknike, urbane, financiare e procedurale të realizimit të përshtatjes;
  3. b) Propozon formën e zhvillimit më të përshtatshëm në rastin konkret, si dhe harton masat përkatëse për zhvillim, të cilat i propozohen për miratim titullarit të institucionit, i cili më pas ia paraqet ministrit përgjegjës për konfiskimet, në rast shitjeje.
  4. Për zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, sipas raportit të ekspertit të licencuar, AAPSK-ja vlerëson kostot për përfundimin e punimeve për:
  5. a) kryerjen e punimeve totale për përfundimin e objektit, me qëllim vënien e tij në funksion;
  6. b) kryerjen e punimeve për përfundimin e tyre në lidhje me ambientet e përbashkëta;
  7. c) kryerjen e punimeve për përfundimin e ambienteve, të cilat i përkasin pronësisë shtet.

Për çdo objekt, rast pas rasti, duhet të merret parasysh që:

  1. në varësi të objektit të konfiskuar nga 2-10%, shpenzimet për përfundimin e punimeve të pakryera në objekt kryhen nga subjekti zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, sipas angazhimit të marrë prej tij në fazën fillestare të ndërtimit të objektit. Nëse ai nuk i kryen ato, atëherë procedohet me bllokimin e llogarive bankare dhe pasuritë e tij për të mbuluar shpenzimet;
  2. në rastin kur objekti i konfiskuar, në tejkalim të lejes së ndërtimit të mbi 10% të punimeve të kryera pa leje nga ana e ekspertit të licencuar, të kontraktuar nga AAPSK-ja, përcaktohet vlera e nevojshme për kryerje të punimeve për sa u përket ambienteve të përbashkëta që duhen realizuar për përfundimin e objektit;

iii. vlera e nxjerrë nga eksperti i njoftohet subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues për kryerje pagese. Në rast moskryerjeje të pagesës nga ana e tij, merren masa për bllokimin e llogarive bankare apo aseteve të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e punimeve.

  1. Me marrjen e objektit dhe administrimin e tij nga AAPSK-ja, kjo e fundit merr masat për regjistrimin përkatës pranë ASHK-së.
  2. Në rastet e objekteve, të cilat kalojnë në pronësi/përdorim apo përgjegjësi administrimi, institucioni përfitues realizon procedurat për investimin përkatës.”.

Neni 13

Neni 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 20

Shitja ose dhënia në përdorim e objekteve të konfiskuara

  1. AAPSK-ja, në funksion të miradministrimit të objekteve të konfiskuara apo në përmbushjen më të lartë të interesit publik, mund të propozojë shitjen e objekteve të konfiskuara, përmes rregullave të ankandit publik, ose dhënien e tyre në përdorim te të tretët, sipas një prej mënyrave të parashikuara në Kodin Civil dhe në legjislacionin në fuqi.
  2. Shitja e objekteve të konfiskuara kryhet nëpërmjet ankandit publik dhe realizohet në zbatim të kuadrit ligjor për ankandin publik. Procedurat e kryerjes së ankandit publik bazohen në parimet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi për ankandin e pronave publike. Përjashtimisht, nga parashikimet e kuadrit ligjor për ankandin publik, në asnjë rast nuk lejohet ofrimi i shitjes me një çmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit publik.
  3. Shitja e objekteve të konfiskuara kryhet nga AAPSK-ja, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike.
  4. Brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit të ministrit përgjegjës për konfiskimet, për miratimin e shitjes së objekteve të konfiskuara, AAPSK-ja kryen njoftimet publike, me qëllim zhvillimin e ankandit.
  5. Lidhja e kontratës nga AAPSK-ja, në përfundim të procedurës së shitjes së objekteve të konfiskuara, kryhet pas pagesës së çmimit të shitjes, që duhet të kryhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga konfirmimi me shkrim i njoftimit të fituesit të ankandit publik. Kontrata e shitjes lidhet vetëm pasi provohet kryerja e pagesës së çmimit nga ana e subjektit.
  6. Fondet e përfituara nga shitja e objekteve të konfiskuara kalojnë në fondin e veçantë/e dedikuar për ndërtimet pa leje dhe përdoren nga AAPSK-ja, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për administrimin e këtyre pasurive.
  7. Subjektet, në cilësinë e zhvilluesit/zbatuesit/mbikqyrësit/kolauduesit të pronës së konfiskuar nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat e shitjes.”

Neni 14

Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 21

Destinimi i objekteve të përfunduara

  1. Me kërkesë të autoriteteve publike të organit përgjegjës për strehimin social apo të njësive të vetëqeverisjes vendore, ministri përgjegjës për konfiskimet miraton propozimin për administrimin/përdorimin/shfrytëzimin e objekteve të konfiskuara apo pjesëve të tyre për qëllime të nevojës së strehimit social apo për interes publik.
  2. Kalimi i pronësisë/përdorimit apo përgjegjësisë së administrimit te këto autoritete, organe ose te njësitë e vetëqeverisjes vendore miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për konfiskimet, mbi bazën e propozimit të AAPSK-së.”.

Neni 1

Në nenin 22 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

  1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Procedurat për vlerësimin e pasurisë së konfiskuar fillojnë me daljen e urdhrit nga titullari i AAPSK-së për caktimin e grupit të punës dhe caktimin e ekspertit/ekspertëve vlerësues të licencuar të pasurisë të paluajtshme, së cilët do të hartojnë raportin e vlerësimit të objektit të konfiskuar apo pjesëve të tij. Numri i ekspertëve përcaktohet në proporcion me volumin e objektit.”.

  1. Në fjalinë e dytë, të pikës 3, të nenit 22, të këtij ligji, fjalët “… duhet të jetë jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e daljes së urdhrit për vlerësimin nga titullari …” zëvendësohen me “… përcaktohet me urdhër të brendshëm nga titullari, por jo më shumë së 90 ditë …”.
  2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Procedurat e prokurimit publik për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë, si dhe realizimi, mbikëqyrja, përfundimi i punimeve të nevojshme dhe kolaudimi i tyre, referuar ndërtimeve të papërfunduara, kryhen nga autoriteti kontraktor, i cili caktohet, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave. Rregullat, procedurat përkatëse dhe dokumentacioni i nevojshëm përcaktohen gjithashtu me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 16

Neni 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 23

Pronarët e truallit

  1. Autoritetet përgjegjëse njohin, respektojnë dhe zbatojnë të gjitha marrëdhëniet kontraktuale midis zhvilluesit dhe pronarit të truallit, me përjashtim të rastit kur pronari i truallit është edhe zhvillues/zbatues/mbikqyrës/kolaudues i objektit. Për këtë qëllim, pas procedurave të përfundimit të objektit të konfiskuar dhe regjistrimit përfundimtar të tij, si ndërtim i ri në regjistrin e pasurive të paluajtshme, AAPSK-ja miraton kalimin e pronësisë në favor të pronarëve të truallit për ato njësi që u takojnë, sipas kontratave të mëparshme me zhvilluesit.
  2. Në kushtet e pamundësisë së identifikimit, mosmarrëveshjes midis subjekteve, të cilat pretendojnë të gëzojnë të drejtat e pronarit të truallit, apo në kushtet e pamundësisë së komunikimit me pronarët e truallit, grupi i punës merr të gjitha masat për përfundimin/përshtatjen e objektit, duke paraqitur pranë autoriteteve publike gjendjen e pamundësisë së identifikimit/ komunikimit/mosmarrëveshjeve mes pronarëve të truallit.

Me identifikimin/vënien e komunikimit/zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me pronarët e truallit zbatohen parashikimet e pikës 1, të këtij neni.

  1. Pronarët e truallit, në rastin kur nuk janë zhvillues/zbatues/mbikqyrës/kolaudues të objektit për pjesët e tjera të objektit të konfiskuar, që nuk u përkasin personave të tretë, kanë të drejtën të marrin pjesë në procedurat e shitjes, sipas kushteve të parashikuara në këtë ligj.”.

Neni 17

Neni 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 24

Personat e tretë

  1. Autoritetet përgjegjëse njohin dhe respektojnë të gjitha marrëdhëniet kontraktuale midis zhvilluesit/zbatuesit/mbikëqyrësit/kolauduesit dhe personave të tretë, nëse bazohet në një kontratë të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përpara konstatimit të paligjshmërisë së objektit të konfiskuar. Për këtë qëllim, pas procedurave të përfundimit të objektit të konfiskuar dhe regjistrimit përfundimtar të tij, si ndërtim i ri në regjistrin e pasurive të paluajtshme, AAPSK-ja miraton kalimin e pronësisë në favor të personave të tretë për ato njësi që u takojnë, sipas kontratave të mëparshme me zhvilluesit.
  2. Përjashtimisht, në zbatim të propozimeve të grupit të punës, AAPSK-ja mund t’i paguajë palës së tretë, në rast se ka vullnet të palëve, sipas një marrëveshjeje të veçantë, modeli dhe vlera e së cilës miratohet nga ministri përgjegjës për konfiskimet, vlerën e objektit të porositur prej tij, e cila korrespondon me vlerën e punimeve të realizuara, sipas aktit të vlerësimit të kryer në momentin e konfiskimit, në zbatim të parashikimeve të këtij ligji. Nëse vlera e paguar, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, është më e madhe se vlera e përcaktuar në aktin e vlerësimit, që korrespondon me gjendjen e objektit, personi i tretë mund të kërkojë nga zhvilluesi/zbatuesi/mbikëqyrësi/kolauduesi vlerën e përfituar pa të drejtë.
  3. Parashikimet e pikës 2, të këtij neni, zbatohen, për aq sa është e mundur, edhe për kontratat e kleringut.
  4. Për pjesët e tjera të objektit të konfiskuar, ku nuk kanë të drejta pronarët e truallit ose të tretë të tjerë, palët e treta jo zhvillues/zbatues/mbikqyrës/kolaudues kanë të drejtën të marrin pjesë në procedurat e shitjes, sipas kushteve të parashikuara në këtë ligj.”

Neni 18

Neni 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 26

Fondi i veçantë/ i dedikuar për ndërtimet pa leje

  1. Për të siguruar përmirësimin/zhvillimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara dhe për të shlyer financiarish të tretët, sipas përcaktimeve të nenit 24, të këtij ligji, dhe shpenzimet e tjera të lidhura me administrimin e procesit të vlerësimit, krijohet “fondi i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje”, në formën e një fondi financiar publik, që mbështet politikën kombëtare të zhvillimit të kontrolluar të territorit, të mbështetjes së shpronësimeve/kompensimeve financiare, si dhe zbutjen e pasojave të shkaktuara nga ndërtimet pa leje, të konfiskuara për qëllime të strehimit social apo interes tjetër publik.
  2. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit përballohen nga fondi i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
  3. Burimet e financimit të fondit të veçantë/të dedikuar për ndërtimet pa leje të konfiskuara janë:
  4. a) të ardhurat e krijuara nga shitja e objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të objekteve të konfiskuara ose me qira;
  5. b) financime vendase apo të huaja për këtë qëllim, të cilat burojnë në mënyrë të ligjshme nga organizata publike, private ose persona fizikë;
  6. c) buxheti i shtetit.
  7. Fondi i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje përbën zë më vete në buxhetin e AAPSK-së dhe administrohet me miratim të ministrit përgjegjës për konfiskimet. Të ardhurat nga fondi i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje, në kuptim të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 3, të këtij neni, të arkëtuara gjatë një viti, të cilat nuk përdoren deri në fund të periudhës, transferohen në vitin buxhetor pasardhës të AAPSK-së.
  8. Të ardhurat nga administrimi i objekteve të konfiskuara derdhen në llogari pranë bankave të nivelit të dytë dhe përdoren vetëm në funksion të këtyre tipologji objektesh.
  9. Fonde, të cilat janë akumuluar para hyrjes në fuqi të këtij akti, i kalojnë në administrim AAPSK-së, si pjesë përbërëse e fondit të veçantë / të dedikuar për ndërtimet pa leje, në vijim të administrimit të objekteve të konfiskuara.”.

Neni 19

Neni 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 27

Lejet e ndërtimit dhe certifikata e përdorimit

  1. Pas vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për konfiskimin, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, pas aplikimit në sistemin elektronik të lejeve të ndërtimit e-leje nga ana e organit përgjegjës të administrimit të objekteve të konfiskuara, sipas përcaktimeve të këtij ligji, merr masat që të reflektohen ndryshimet sipas projektit të zbatuar dhe destinacionit të ri të objektit, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
  2. a) Në rast se objekti i konfiskuar është përfunduar plotësisht dhe nuk ka nevojë për punime të mëtejshme, organi përgjegjës i administrimit të objektit të konfiskuar, mund të aplikojë pranë AZHT-së direkt për certifikatë përdorimi. Në këto raste, pjesë e dokumentacionit të nevojshëm për certifikatë përdorimi duhet të jetë relacioni i detajuar nga një subjekt fizik apo juridik, i licencuar për mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të zbatimit në ndërtim, ku krahas deklarimit të zbatimit të kushteve teknike, sipas legjislacionit në fuqi, deklaron se punimet janë përfunduar plotësisht dhe objekti është gati për t’u shfrytëzuar. Rregullat, procedurat përkatëse dhe dokumentacioni i nevojshëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
  3. b) Në rast se objekti i konfiskuar është i papërfunduar dhe ka nevojë për punime shtesë, organi përgjegjës i administrimit të objektit të konfiskuar, mund të aplikojë për ndryshimin e lejes së ndërtimit pranë sekretariatit teknik të KKTU-së. KKTU-ja merr vendimin mbi ndryshimin e lejes së ndërtimit, sipas projektit të ri të propozuar dhe vetëm në rast miratimi, sekretariati teknik i KKTU-së mund të vijojë me lëshimin e dokumentit të ri të lejes së ndërtimit. Kur kushtet urbane të projektit të ri nuk përputhen me sa parashikon PPV-ja në fuqi, KKTU-ja, bashkë me vendimin për miratimin e lejes së ndërtimit, miraton edhe rregulloren e veçantë dhe sekretariati teknik i KKTU-së vijon me lëshimin e dokumentit të lejes së ndërtimit. Rregullat, procedurat përkatëse dhe dokumentacioni i nevojshëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  4. AAPSK-ja është e përjashtuar nga tarifat e aplikimit për t’u pajisur me leje ndërtimi / certifikatë përdorimi pranë AZHT-së.”.

Neni 20

Neni 28 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 28

Procedura për leje ndërtimi

  1. Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të konfiskimit, AAPSK-ja depoziton njëherazi pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) kërkesën për leje ndërtimi në sistemin elektronik e-leje, të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
  2. a) Vendimin e konfiskimit;
  3. b) Projektin e zbatimit;
  4. c) Licencat profesionale të projektuesve;

ç) Deklaratat e përgjegjësisë profesionale të projektuesve.

  1. Për miratimin e lejeve të ndërtimit për objektet e konfiskuara zbatohen procedura të përshpejtuara, që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  2. Leja e ndërtimit e miratuar i përcillet menjëherë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) për regjistrim.”.

Neni 21

Neni 29 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 29

Aplikimi për certifikatë përdorimi

  1. Organi përgjegjës për administrimin e objekteve të konfiskuara, sipas përcaktimeve të këtij ligji, aplikon, pa pagesë nëpërmjet sistemit e-leje për miratimin dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit, në përputhje me lejen e ndërtimit të ndryshuar.
  2. Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e sekretariatit teknik të KKTU-së, shqyrton kërkesën dhe lëshon certifikatën e përdorimit.
  3. Rregullat dhe procedurat përkatëse për lëshimin e certifikatës së përdorimit për objektet e konfiskuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, pas paraqitjes së kërkesës për regjistrimin e certifikatës së përdorimit dhe dokumentacionit shoqërues nga autoritetet publike përgjegjëse, kryen regjistrimin e tyre në regjistrat kadastralë, në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin për kadastrën, si dhe në zbatim të parashikimeve të këtij ligji.”.

Neni 22

Neni 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 30

Përjashtime fiskale

  1. AAPSK-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e pasurisë së konfiskuar si ndërtim pa leje, sipas kompetencave që i jep ky ligj, përjashtohet nga të gjitha tarifat e aplikimit për leje ndërtimi dhe certifikatat e përdorimit, si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për marrjen e lejeve të ndërtimit, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore, në zbatim të tij.
  2. Vlera e policës së sigurimit i ngarkohet përfituesit /pronarit fundor, i cili do të ketë të drejta mbi objektin, bazuar në rezultatin e formës së përcaktuar për administrim/zhvillim.”.

Neni 23

Pas nenit 30 shtohen nenet 30/1 dhe 30/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 30/1

Dispozita kalimtare

Të gjitha dosjet, materialet dhe dokumentacioni i administruar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, njësia e zbatimit dhe Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, si dhe fondi i konfiskimit i akumuluar nga momenti i zbatimit të ligjit nr.66/2023, i kalojnë AAPSK-së, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti.

Subjekteve poseduese, të cilat deklarojnë me vullnetin e tyre objektet e ndërtuara pa leje pranë organit kompetent (AZHT), brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t’u njihet e drejta e parablerjes dhe do të kenë mundësi t’i nënshtrohen procedurave përkatëse.”.

Neni 30/2

Objektet e konfiskuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të drejtat e lindura

  1. Objektet e konfiskuara, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji trajtohen nga AAPSK-ja, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë ligj.
  2. Kur subjektet përkatëse kanë të drejta parablerjeje mbi këto objekte, sipas ligjit të kohës, AAPSK-ja i respekton këto të drejta, duke zbatuar procedurat administrative, të parashikuara në këtë ligj. AAPSK-ja kryen të gjitha procedurat, sipas parashikimeve të këtij ligji, dhe, pas regjistrimit të objektit ose të sipërfaqes së konfiskuar, njofton subjektet që, sipas ligjit të kohës, kanë të drejtën e parablerjes për mundësinë e ushtrimit të kësaj të drejte. Rregullat, procedurat përkatëse dhe dokumentacioni i nevojshëm për zbatimin e këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  3. Për të gjitha objektet, për të cilat, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, ka përfunduar procedura e ushtrimit të së drejtës së parablerjes nga subjekti zhvillues, nëpërmjet lidhjes së marrëveshjes përkatëse me ministrinë përgjegjëse, përfituesi i së drejtës së parablerjes mund të vijojë me aplikimin pranë sekretariatit teknik të KKTU-së për pajisjen me leje ndërtimi apo certifikatë përdorimi.”.

Neni 24

Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 4, të nenit 22, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 27, të pikës 2, të nenit 28, të pikës 3, të nenit 29, dhe të pikës 2, të nenit 30/2.

Neni 25

Shfuqizime

Aktet nënligjore, që bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohen.

Neni 26

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

NIKO PELESHI

Etiketa: aktualitet
Pas

“Price Watch Albania”, ministra Ibrahimaj me drejtuesit e supermarketeve për platformën që do të monitorojë çmimet

🎙️ Podcast “Money Hour” | Fast News Economy

🏛️ LIGJET E BIZNESIT | Ligji në Kohë Reale për Biznesin Modern

Të Gjitha

Projektligji për ndërtimet e konfiskuara/ AAPSK merr administrimin, ja si do të funksionojë

Projektligji për ndërtimet e konfiskuara/ AAPSK merr administrimin, ja si do të funksionojë

nga Fast News
23:57 | 02/09/2026
0

Monitorim çmimeve të produkteve me “Price Watch Albania”, ministrja Ibrahimaj: Do gjurmohen nga prodhimi deri në raftet e supermarketeve

“Price Watch Albania”, ministra Ibrahimaj me drejtuesit e supermarketeve për platformën që do të monitorojë çmimet

nga Fast News
23:31 | 02/09/2026
0

Analiza e BSH: Ekonomia po rrit pagat, pasiguri nga situata gjeopolitike

Analiza e BSH: Ekonomia po rrit pagat, pasiguri nga situata gjeopolitike

nga Fast News
18:31 | 02/09/2026
0

Mjedisi, pronat dhe taksat, të gjithë vendimet e qeverisë në mbledhjen e sotme

Mjedisi, pronat dhe taksat, të gjithë vendimet e qeverisë në mbledhjen e sotme

nga Fast News
18:30 | 02/09/2026
0

Recent News

Projektligji për ndërtimet e konfiskuara/ AAPSK merr administrimin, ja si do të funksionojë

Projektligji për ndërtimet e konfiskuara/ AAPSK merr administrimin, ja si do të funksionojë

23:57 | 02/09/2026
Monitorim çmimeve të produkteve me “Price Watch Albania”, ministrja Ibrahimaj: Do gjurmohen nga prodhimi deri në raftet e supermarketeve

“Price Watch Albania”, ministra Ibrahimaj me drejtuesit e supermarketeve për platformën që do të monitorojë çmimet

23:31 | 02/09/2026

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Diaspora
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Diaspora