Qeveria ka hedhur për konsultim publik një paketë ligj që ndryshon tërësisht procedurat dhe ligjet për pronësinë dhe legalizimet. Bëhet fjalë për tre projektligje, më saktësisht draftin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”; projektligjin “”Për pronat e paluajtshme të Shtetit në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligjin “Për Agjencinë Shtetërore të Pronës”.
Këto ndryshime ligjore synojnë përmirësimin e situatës me menaxhimin e pronës dhe pronësisë në vendin tonë, një ndër problemet kryesore me të cilën përballen qytetarët. Ajo që synohet nëpërmjet këtyre ligjeve është ulja e burokracive, reduktimi i vonesave në trajtimin e vështjee dhe kthimin e përgjigjeve, si dhe rritja e kontrollit mbi dokumentet e pronësisë.
Një prej ndryshimeve më të rëndësihme ligjore që është nxjerrë për konsultim publik, lidhet direkt me procesin e legalizimeve
Për të zgjidhur sa më shpejt këtë problematikë duke e përmbyllur procesin e regjistrimit të objekteve pa leje në draft parashikohet që të përshpejtohen procedurat dhe vendimi të merret brenda 30 ditëve, kundrejt pagesës së një tarife shtesë.
Të gjitha këto ndryshime janë bërë me synimin që procesi i legalizimeve në Shqipëri të mbyllet plotësisht deri në vitin 2028. Ndërkohë që në draft përcaktohet edhe një procedurë më e detajuar për kalimin të tokës bujqësore në pronësi të poseduesve.
Pasi të hartohen listat e përdoruesve për çdo ish-kooperativë apo ish-ndërmarrje bujqësore do t’i dërgohen për miratim këshillit bashkiak duke përmbyllur procesin e regjistrimit.
Qeveria parashikon ndër të tjera edhe një riorganizim të institucioneve që meret me pronat.Në draft parashikohet të ngrihet Agjencia Shtetërore e Pronës që do të krijohet nga bashkimi dhe riorganizimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës.
ASHP do të ketë përgjegjësi për regjistrimin e pronave, kadastrën, administrimin e pronave shtetërore dhe kompensimin e ish-pronarëve.
Agjencia do të drejtohet nga një Këshill Drejtues me 9 anëtarë dhe nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili do të emërohet nga Kryeministri.







