Rriten interesat e letrave me vlerë të qeverisë me afat të gjatë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se yield-i obligacioneve 20-vjeçare u rrit lehtë në ankandin e kësaj jave, duke konfirmuar një tendencë në lehtë të korrektimit për lart të kthimeve të instrumenteve financiare afatgjata në tregun vendas.
Sipas BSH-së, yield-i mesatar i ponderuar dhe kuponi i obligacioneve 20-vjeçare në ankandin e rihapjes së kësaj jave u rrit në 6.54%, nga 6.5% që kishte qenë në ankandin e emetimit fillestar të këtyre instrumenteve, në muajin maj.
Kërkesa në ankand rezultoi në përmirësim të ndjeshëm krahasuar me ankandet e fundit të instrumenteve të borxhit afatgjatë. Nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, vlerë totale e kërkesave në ankand arriti në më shumë se tre miliardë lekë. Ministria e Financave zgjodhi ta rrisë vlerën e emetimit në 1.725 miliardë lekë. Kjo e rriti disi yield-in në ankand, që sipas rregullores është uniform me atë të kërkesës më të lartë të pranuar.
Pavarësisht rritjes së lehtë, ankandi i obligacioneve 20-vjeçare solli një zbutje të pjerrësisë së kurbës së yield-eve të titujve qeveritarë.
Kjo mund të shpjegohet kryesisht me rritjen e kërkesës së investitorëve ankand. Nga ana tjetër, perspektivat e normave të interesit ngelen të pasigurta, por duket se skenari më i mundshëm ngelet ai i një rritjeje, qoftë edhe të moderuar, brenda këtij viti.
Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme po i mbajnë të larta çmimet e naftës. Kjo po reflektohet në çmime të larta të karburanteve. Çmimi i gazoilit në pikat e shitjes me pakicë ka arritur pranë kufirit të 220 lekëve. Qeveria nuk ka dhënë sinjale për lehtësi fiskale që mund të sjellin ndonjë zbutje të rëndësishme të çmimeve, ndërsa Bordi i kontrollit të tyre gjithashtu është shfuqizuar prej muajsh.
Në këto kushte, është e ngjashme që inflacioni do të vazhdojë të rritet gjatë muajve në vazhdim, ndërsa në muajin korrik regjistroi nivelin 3.4%, niveli më i lartë në afërsisht dy vite e gjysmë.
Banka e Shqipërisë ka preferuar të presë, me shpresën që vala inflacioniste do të jetë kalimtare, por, së paku në komponentin e çmimeve të produkteve energjetike, nuk ka sinjale në horizont për një normalizim të shpejtë të situatës. Norma bazë ngelet në nivelin 2.5%, të paktën deri në vendimmarrjen e ardhshme të politikës monetare, që është e planifikuar në datën 7 tetor.
Tregu i brendshëm financiar gjithsesi ka reaguar me një zhvendosje në rritje të yield-eve gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë. Kjo faktorizon një pritshmëri për interesa më të larta, por pjesërisht edhe dinamikat e brendshme të raporteve mes kërkesës dhe ofertës, sidomos pas mesit të vitit.







