Interesat e letrave me vlerë të qeverisë kanë pësuar rritje këtë vit, duke u shndërruar në një alternativë relativisht të leverdisshme investimi. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë të vitit dhe muajit korrik, tregu i titujve të borxhit të qeverisë shqiptare u karakterizua nga rritje graduale e normave të interesit, më e theksuar kjo në segmentin afatmesëm dhe atë afatgjatë.
Yield-i i bonos 12-mujore shënoi 2.7% në muajin korrik, duke regjistruar një rritje prej 0.2 pikësh përqindjeje nga mesatarja e tremujorit të parë. Paralelisht me të, yield-i 2-vjeçar shënoi një rritje prej 0.3 pikësh përqindjeje, duke shkuar në 3.14%. Në të njëjtin hark kohor, yield-et e obligacioneve me maturitet 3-15 vjet u rritën me mesatarisht 0.6 pikë përqindje, e reflektuar kjo në rritjen e pjerrësisë së kurbës në afat të shkurtër.
“Rritja e yield-eve në muajt e fundit pasqyron dinamikën e raportit kërkesë/ ofertë në segmente të caktuara të tregut primar, në kushtet e zhvendosjes së huamarrjes së re të qeverisë nga maturitetet afatshkurtra te ato afatgjata”, vlerëson Banka e Shqipërisë.

Investimi në letrat me vlerë të qeverisë mbetet një alternativë për qytetarët, vecanërisht për ata që duan t’I “bllokojnë” kursimet e tyre në afatgjatë. Kjo duke pasur parasysh riskun zero përderisa bëhet fjalë për borxh të shtetit, si dhe interesat ndjeshëm të ulëta të depoiztave.







