Qeveria do të monitorojë cmimet e produkteve bazë të konsumit të përditshëm nga prodhimi dhe importi deri në raftet e supermarketeve, me qëllim evidentimin e marzheve të fitimit në cdo hallkë dhe shmangien e abuzimeve. Kjo me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë dhe turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj shpjegoi nëpërmjet një video të shkurtër se monitorimi do të bëhet nëpërmjet platformës së quajtur “Price Ëatch Albania”, e cila do të jetë efektive duke filluar nga shtatori.
Pas strehimit për çiftet dhe familjet e reja, qeveria po adreson një tjetër çështje që prek buxhetin e familjeve shqiptare dhe që janë ushqimet. Një nismë e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama pas takimit dyditor me ministrat dhe drejtuesit e qarqeve në Pogradec.
Platforma “Price Watch Albania” do të japë një shpjegim për diferencat në cmim nga momenti i prodhimit e deri tek shitja për konsumatorin fundor. Për ta ilustruar, ministrja shembullin e domates, që shitet 120 lekë në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë dhe 50 lekë në Lushnjë.
“Unë sot jam në Tiranë dhe çmimi i domates është 120 lekë, ndërkohë që në Lushnjë e njëjta domate tregtohet me 50 lekë. Ne duhet të kuptojmë se ku ndodh rritja e çmimeve dhe të ndërhyjmë aty ku ndodh, me qëllim që të mos ketë abuzime”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Mesazhi i plotë i ministres Delina Ibrahimaj:
Çmimet e produkteve bazë nuk mund të jenë më çështje vetëm opinioni. Deri tani kemi folur për çmimet duke iu referuar indekseve, inflacionit, normave të rritjes në përqindje, ndërkohë që qytetarët duan të dinë se sa kushton një produkt dhe ku atë produkt mund ta blejnë më lirë.
Për këtë arsye, nga muaji shtator ne do të lançojmë një platformë, e cila quhet “PriceËatch Albania” (Pasqyra e Cmimeve). Nëpërmjet platformës, ne do të bëjmë publike dhe transparente raportimin e bizneseve që merren me tregtinë me shumicë dhe me pakicë të produkteve, për çmimet bazë dhe konsumatorët do të mund të shohin dhe të zgjedhin se ku ta blejnë një produkt, i cili kushton më lirë.
Ne nuk do të mjaftohemi me kaq. Nëpërmjet gjithë mekanizmit që po ngremë të raportimit, ne do të analizojmë çmimin nga importi apo prodhimi deri te supermarketet apo tregjet. Unë sot jam në Tiranë dhe çmimi i domates, sapo më tha Maria, është 120 lekë, ndërkohë që në Lushnjë e njëjta domate tregtohet me 50 lekë.
Ne duhet të kuptojmë se ku ndodh rritja e çmimeve dhe sigurisht, të ndërhyjmë aty ku ndodh, me qëllim që të mos ketë abuzime. Qeveria nuk ka të drejtë dhe nuk ka në dorë të përcaktojë çmime, por ama qeveria ka në dorë të monitorojë dhe të krijojë transparencë.
Në vende të tjera të Europës, ku është përdorur ky mekanizëm, ka pasur efektivitet në reduktimin real të çmimeve. Ndaj dhe ne kemi vendosur të ecim me këtë platformë, e cila do të jetë një pasqyrë e rritjes së çmimeve dhe një pasqyrë e mekanizmit që do të përdorim për transparencën e çmimeve ndaj qytetarit.







