Papunësia masive e shkaktuar nga IA-ja do të ishte një rast i paprecedentë
Në asnjë moment në historinë e sondazheve, amerikanët nuk kanë qenë kaq pesimistë për perspektivat e tyre afatgjata të punësimit.
Sipas një sondazhi, qytetari mesatar mendon se ka 22% gjasa të humbasë vendin e punës gjatë pesë viteve të ardhshme, një nivel më i lartë edhe se gjatë krizës financiare globale të viteve 2007-2009.
Shkaku i këtij pesimizmi është inteligjenca artificiale. Gati një në pesë punonjës amerikanë i tha së fundmi një tjetër anketuesi se IA ose automatizimi kanë “shumë” ose “disi” gjasa t’i zëvendësojnë.
Nuk janë vetëm njerëzit e zakonshëm që janë të alarmuar. Edhe drejtuesit e kompanive të IA-së që po shkaktojnë këtë ankth ndajnë të njëjtin shqetësim.
Dario Amodei i Anthropic ka paralajmëruar se IA mund ta çojë papunësinë në 10-20%. Bill Gates, bashkëthemelues i Microsoft, ka deklaruar se në një botë të dominuar nga IA, njerëzit nuk do të jenë më të nevojshëm për “shumicën e gjërave”.
Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, e ka kuptuar se vënia e theksit tek fuqia tronditëse e kësaj teknologjie po nxit reagime kundër saj, ndaj tani flet për “mjete që i fuqizojnë dhe i ngrenë njerëzit, jo për entitete që i zëvendësojnë”.
Por edhe ai nuk i rezistoi dot përmendjes së “tronditjes/tranzicionit” të madh teksa kalojmë në vende të reja pune”.
Ekonomistët, këtë herë, janë shumë më pak pesimistë. Ata e kundërshtojnë fort “gabimin e sasisë fikse të punës”, sipas të cilit tregu i punës shihet si i pandryshueshëm dhe ku fitimi i dikujt nënkupton humbjen e dikujt tjetër.
Sipas tyre, nëse teknologjia zhvendos punëtorë nga disa profesione, ajo pasuron të tjerë, të cilët më pas i shpenzojnë të ardhurat për mallra dhe shërbime që krijojnë vende të reja pune.
Tregu i punës sigurisht që nuk po shfaq ende shenja thyerjeje. Pesha e popullsisë në moshë pune dhe që ka një vend pune, në vendet e OECD-së vazhdon të arrijë nivele rekord, ndërsa papunësia në grupin e vendeve kryesisht të pasura është vetëm 5%.
Amerika punëson më shumë njerëz se kurrë në sektorë të ekspozuar ndaj IA-së, si ai juridik. Ndërkohë, të diplomuarit amerikanë po hasnin vështirësi në tregun e punës që përpara se OpenAI të prezantonte ChatGPT në fund të vitit 2022.
Shumë ekonomistë presin që ndikimi në tregun e punës të jetë relativisht i kufizuar. Sipas Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, vendi pritet të shtojë 5.2 milionë vende pune midis viteve 2024 dhe 2034, duke e rritur punësimin total me 3%.
Përparimet në aftësitë e IA-së mund t’i bëjnë të vjetruara të dhënat aktuale dhe projeksionet që bazohen mbi to. Por nëse kjo ndodh dhe IA vërtet largon miliona njerëz nga puna, kjo do të ishte e paprecedentë në historinë njerëzore.
Asnjëherë teknologjitë e reja nuk janë përhapur aq shpejt sa të lënë për një kohë të gjatë një numër i madh njerëzish pa punë. Arsyeja pse ka ndodhur kështu mund të ndihmojë për të kuptuar se si kjo herë është apo nuk është ndryshe.
Të dhënat historike tregojnë se përhapja e teknologjisë ka ecur gjithmonë ngadalë. Në një studim të publikuar në vitin 2012, Robert Gordon i Universitetit Northwestern zbuloi se që nga viti 1300, rritja e PBB-së për frymë në ekonominë më të avancuar të kohës nuk ka kaluar kurrë rreth 2.5% në vit.
Kur vende të tjera janë rritur më shpejt, kjo ka ndodhur sepse po arrinin ekonomitë më të pasura që kishin gjeneruar më herët progres teknologjik dhe krijim pasurie. Dhe fakti që rritja në kufirin e inovacionit ishte më e ngadaltë nënkuptonte se edhe ritmi i shkatërrimit të vendeve të punës ishte më i ulët.
Krahasimi
Mjafton të shihet bujqësia. Megjithëse ajo ka kaluar përmbysje të mëdha teknologjike gjatë mijëvjeçarit të fundit, punësimi në këtë sektor ka ndryshuar vetëm gradualisht.
Pesha e forcës së punës në bujqësi në Angli ka rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga shekulli XVI, pa u shembur ndonjëherë papritur. Traktori modern u shpik në Amerikë në fillim të shekullit XX dhe u deshën breza të tërë, jo vite, që fuqia punëtore në bujqësi të tkurrej.
Edhe kur ndryshimet në tregun e punës ndodhin me ritme më të shpejta, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se punëtorët humbasin.
Në mesin e shekullit XX, kompjuterët e parë, kontejnerët e transportit dhe shpikje të tjera teknologjike e shtynë kryeministin britanik Harold Wilson, të fliste për “nxehtësinë e bardhë të teknologjisë” që po transformonte ekonomitë perëndimore.
PBB-ja për frymë në Amerikë, e cila deri atëherë kishte zënë vendin e Britanisë si ekonomia më e përparuar e botës, u rrit me 2.5% në vit, ritmi më i shpejtë i regjistruar ndonjëherë për një fuqi të madhe ekonomike.
Niveli i ndryshimeve të forta në tregun e punës, i matur nga pjesa e punësimit që zhvendosej mes industrive ose profesioneve, në disa periudha ishte më shumë se dy herë më i lartë se sot.
Megjithatë, shumë njerëz e kujtojnë atë epokë me nostalgji, si një periudhë me rritje pagash, mundësish më të mëdha dhe politike më pak të polarizuar.
Një rast i ndryshimit teknologjik është bërë famëkeq: Revolucioni Industrial në Britaninë e shekullit XIX. Sipas disa interpretimeve, ai ishte tmerrësisht shkatërrues për punëtorët. Shpikjet e James Watt në vitet 1760-1780 i bënë motorët me avull mjaftueshëm efikasë për të fuqizuar fabrikat.
Kjo solli një periudhë rritjeje ekonomike të furishme, që dukej se përkonte me stanjacionin e pagave të korrigjuara me inflacionin. Mes viteve 1790 dhe 1840, pagat pothuajse nuk lëvizën, ndërsa kapitalistët grumbulluan fitime të mëdha.
“Udhëheqësit e mendimit” në Silicon Valley sot e përmendin shpesh këtë periudhë. Ajo lidhet me Friedrich Engels, trashëgimtar kapitalist i kthyer në komunist, i cili e përshkroi në librin “Gjendja e klasës punëtore në Angli”, një rrëfim mbi zonat e varfra të Mançesterit në vitet 1840.
Megjithatë, studimet e fundit hedhin dyshime mbi faktin nëse “pauza e Engelsit” (një term në historinë ekonomike që përshkruan periudhën e hershme të Revolucionit Industrial në Britani, afërsisht nga fundi i shekullit XVIII deri në mesin e shekullit XIX) është një model i dobishëm për të kuptuar çfarë mund të sjellë IA për punëtorët.
Struktura e punësimit në Britani ndryshoi pak deri në vitet 1850 dhe më pas vetëm aq sa ndryshon sot. Për më tepër, nëse teknologjia shkatërroi vende pune, ajo krijoi shumë të tjera. Mes viteve 1760 dhe 1860, numri i britanikëve në punë u rrit nga 4.5 milionë në 12 milionë. Papunësia në përgjithësi mbeti e ulët.
Rritja e pagave ishte vërtet e ngadaltë gjatë “pauzës së Engelsit”, por jo më e ngadaltë sesa në gjysmëshekullin para saj.
Kjo pasqyronte rritjen e ngadaltë të produktivitetit në vitet e para të Revolucionit Industrial, i cili vetë ishte rezultat i përhapjes graduale të shpikjeve teknologjike të Watt. Deri në vitin 1830, në gjithë Britaninë përdorej vetëm rreth 160 mijë kuaj fuqi, ekuivalente me 1,000 makina moderne tipike.
Duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të popullsisë në atë periudhë, ishte një “arritje vërtet e jashtëzakonshme” që fuqia blerëse e punëtorëve të rritej qoftë edhe pak, siç e përshkroi demografi britanik Sir Tony Wrigley.
Kjo duket edhe më mbresëlënëse nëse pagat maten jo me indeksin e çmimeve të konsumit, siç bëjnë zakonisht historianët, por me çmimin mesatar të prodhimit vendas, i njohur si “deflatori i PBB-së”.
Diferenca mes këtyre dy matjeve të pagave reale ilustron një pikë thelbësore mbi Revolucionin Industrial. Punëdhënësi mesatar i paguante punëtorët relativisht drejt pasi shiste mallrat dhe zbriste kostot e materialeve.
Ai nuk përfitonte duke shfrytëzuar stafin, siç mendonte Engelsi. Problemi për punëtorët nuk ishte aq shumë paga e padrejtë, sesa rritja e fortë e kostos së jetesës. Çmimet e ushqimeve u rritën vazhdimisht dhe ndonjëherë shpërthyen për shkak të luftërave dhe tarifave të larta mbi importet e drithërave. “Të këqijtë” e Revolucionit Industrial ishin politikanët, jo makineritë.
Kjo u jep një tjetër kuptim trazirave industriale të asaj periudhe. Në fillim të shekullit XIX, punëtorët e tekstileve u rebeluan duke shkatërruar tezgjahët mekanikë që mendonin se do t’u shkatërronin zanatin.
Pak vite më vonë, punëtorët e fermave shkatërruan makineritë e shirjes në gjithë jugun e Anglisë. Historianët i lidhin këto trazira me revolucionin teknologjik, por grevat dhe shkatërrimet kanë ekzistuar gjithmonë.
Në Angli, trazirat ishin më pak të shpeshta në fillim të viteve 1800, në kulmin e “pauzës së Engelsit”, sesa më vonë gjatë shekullit, kur pagat reale po rriteshin ndjeshëm.
Çartistët (anëtarët e një lëvizjeje të madhe politike dhe sociale të klasës punëtore në Britaninë e Madhe, e cila veproi midis viteve 1838 dhe 1848), që siguruan të drejtën e votës dhe të drejta të tjera për punëtorët, nuk fituan terren deri kur rritja e pagave rifilloi në vitet 1840.
Nicholas Crafts, historian ekonomik, e përmblodhi qartë: Revolucioni Industrial, shkroi ai, “nuk është një model” për “ndryshim teknologjik që rrit produktivitetin në kurriz të një rënieje të konsiderueshme të pjesës së punës në të ardhurat kombëtare”. Me pak fjalë, ata që paralajmërojnë për papunësi masive të nxitur nga IA po parashikojnë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë kurrë. Shenjat e para do të ishin një rritje e fortë e produktivitetit e kombinuar me rritje të dobët të pagave reale në Amerikë, ekonominë kryesore të botës.
Kjo do të shfaqej si një rritje e PBB-së për frymë mbi kufirin 2.5% të përmendur nga Gordon dhe një rritje e njëkohshme e fitimeve të korporatave, duke reflektuar se përfitimet nga prodhimi më i lartë po shkojnë te kapitali dhe jo te puna. Një tjetër sinjal do të ishin humbjet e mëdha të vendeve të punës në shumë industri.
Historia ofron edhe një mësim të fundit. Nëse tronditja po vjen, ajo do të shfaqet gjatë një recesioni.
Krizat ekonomike pastrojnë ekonominë nga vendet e punës me produktivitet të ulët. Kompanitë detyrohen të bëjnë ndryshime radikale për të mbijetuar; firmat e dobëta falimentojnë; kapitali dhe puna zhvendosen drejt kompanive më produktive.
Pothuajse të gjitha punët që dikur konsideroheshin rutinë në Amerikë janë zhdukur gjatë recesioneve të mëparshme. Se cilat vende pune do të zhduken herën tjetër, do të jetë një sinjal i rëndësishëm. Deri atëherë, askush, përfshirë Amodei, Gates dhe Altman, nuk do ta dijë më mirë se të tjerët se çfarë forme do të marrë bota e IA-së.
Burimi origjinal: The Economist








