Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë gjatë tre muajve të parë të këtij viti ishte e stacionuar në nivelin 3.17%. Ky nivel është lehtësisht më i ulët krahasuar me atë prej 3.19%, të fundit të vitit të kaluar.
Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash në Euro për tremujorin e parë ka shënuar një rritje të lehtë në 5.28%, nga 5.18% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Rritja e interesave për Euron mund të shpjegohet kryesisht me një tendencë në rritje të treguesit kryesor benchmark, Euriborit, pas shtrenjtimit të naftës në muajin mars dhe sinjaleve për një rritje të pritshme të inflacionit.
Ndërkohë, yield-i bonove 12-mujore të thesarit, është treguesi kryesor benchmark për Lekun, edhe për tremujorin e parë të vitit ka qenë i qëndrueshëm, pranë nivelit të normës bazë të interesit.
Të dhënat tregojnë se çmimi i kredisë për shtëpi nuk ka pësuar ndryshime të mëdha, megjithëse në tërësi standardet e kreditimit në huadhënien për blerje banesash duket se janë shtrënguar në muajt e parë të vitit 2026.
Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues me bankat, edhe kërkesa e individëve për kredi u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2026. Bankat raportuan se kërkesa më e ulët për kredi në financimin e blerjes së banesave u nxit nga vonesat e krijuara në miratimin e udhëzimeve që duhet të shoqëronin ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, por edhe nga kufizimet rregullatore në fuqi prej korrikut 2025.
Ndërkohë, të paktën disa prej bankave kanë vendosur të ndjekin një qasje më të kujdesshme në këtë segment, edhe për shkak të shqetësimeve të lidhura me ciklin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet.
Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 u rrit me 28% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, rritja vjetore e çmimeve u ngadalësua nga niveli prej 41.7% i raportuar në gjashtëmujorin e parë 2025.
Në veçanti për kryeqytetin, tregu shfaqet në ngadalësim të ndjeshëm. Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u rrit me 4.4% ndaj nivelit të një viti më parë. Rritja e çmimeve me bazë vjetore pësoi një rënie drastike nga niveli prej 32.6% i gjashtëmujorit të parë 2025.
Kjo situatë është reflektuar në frenimin e kredisë për shtëpi në tremujorin e parë të vitit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-mars, sektori bankar dha gjithsej 13.5 miliardë lekë kredi të re për shtëpi, 14.9% më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kredia ka dhënë shenja rritjeje gjatë marsit, por rezultati i tremujorit është përcaktuar nga rënia e ndjeshme e dy muajve të parë të vitit.
Rënia e kredisë për shtëpi vjen në vijim të një cikli disavjeçar rritjeje të shpejtë. Për vitin 2025, kredia për shtëpi u rrit për të shtatin vit radhazi, me 17.3% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, duke u përpjekur të frenojë rritjen e huasë në segmentin e individëve. Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë./ Monitor









