Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistët e Beratit, me fokus rritjen ekonomike në vend dhe përfitimet që ajo solli për këtë kategori.
Kryeministri theksoi se rritja e pensioneve është e lidhur drejtpërdrejt me forcimin e ekonomisë dhe konsolidimin e skemës së sigurimeve shoqërore. Ai nënvizoi se vetëm përmes një ekonomie në rritje dhe rritjes së të ardhurave në buxhet është bërë e mundur hartimi i një plani financiar të qëndrueshëm për rritjen progresive të pensioneve.
Kryeministri bëri të ditur se skema e re parashikon rritje të përvitshme të garantuara në buxhet, duke siguruar që çdo rritje e realizuar të pasohet nga një rritje edhe më e madhe në vitet në vijim, çka përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit gradual të të ardhurave të pensionistëve.
Kryeministri u ndal edhe te mbështetja shtesë që qeveria ka ofruar për këtë kategori përmes bonuseve, që jepen në mënyrë të posaçme në periudha të caktuara dhe vijnë si shtesë mbi pensionin, duke plotësuar politikën e rritjes graduale të të ardhurave dhe forcimit të skemës së pensioneve.
Sipas Kryeministrit, ky mekanizëm është përdorur në mënyrë të vazhdueshme për të rritur mbështetjen direkte ndaj pensionistëve, paralelisht me përmirësimet strukturore të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe rritjen e qëndrueshme të pensioneve.








