Rritja e fortë e turizmit në Shqipëri kërkon një debat për një çështje thelbësore për sektorin e mikpritjes: a është infrastruktura jonë teknologjike në nivelin e pritshmërive të turistit modern? Kjo ishte tema e panelit “Digjitalizimi i proceseve dhe pagesave në sektorin e mikpritjes” i cili u organizua nga dev.al dhe Pago gjatë “Tourism Fair Albania 2026”, të moderuar nga Aurora Sulçe, ku përfaqësues të industrisë së mikpritjes dhe ekspertë të teknologjisë diskutuan hapur mbi realitetin aktual, sfidat dhe drejtimin e ardhshëm të tregut.
Situata: Një sektor në fazë tranzicioni
Kristi Topuzi nga Hotel Mondial e përkufizoi tregun shqiptar në një fazë tranzitore për sa i përket adoptimit të teknologjisë.
Sipas tij, mungesa e digjitalizimit është më e dukshme te strukturat e vogla, por ka raste edhe në struktura të mëdha. Ai vuri në dukje se ka ende sot hotele pa një faqe web dhe kjo përbën një problem shumë të madh duke parë se turisti i sotëm është përherë e më shumë digjital dhe e vlerëson hotelin fillimisht nga prezenca online.
Panelistët ranë dakord se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku modeli tradicional, rezervime me telefon, procese manuale dhe mungesë sistemesh të integruara, nuk mjafton më për të përballuar një turizëm në rritje dhe gjithnjë e më ndërkombëtar.
Nevoja për digjitalizim: eksperienca fillon para mbërritjes
Në ndërhyrjen e tij, Igli Gjelishti, themelues dhe drejtues i dev.al, theksoi se është e domosdoshme që operatorët e industrisë së turizmit të kuptojnë që eksperienca e një klienti, nuk nis në momentin që ai shkel në hotel, por në momentin që ai fillon të kërkojë për hotelin, vijon më pas në mënyrën e të bërit check-in dhe plotësohet me pagesën.
Ai vërejti që është e patolerueshme që ende sot të shihen turistë që dalin në kërkim të një ATM-je për të tërhequr para cash, sepse hoteli apo restoranti ku kanë shkuar nuk pranon pagesa me kartë.
Ndërsa Ilirjana Bitri, përgjegjëse e shërbimit të klientit për sistemin devPMS, theksoi rolin e sistemeve të menaxhimit hoteleve (PMS) si bazë e organizimit modern: “Një strukturë menaxhuese fillon nga një sistem PMS i mirë. Pa një platformë të tillë, rritet rreziku për overbooking dhe gabime njerëzore. Me një sistem të integruar, shmangen këto probleme dhe menaxhimi bëhet më i organizuar” – theksoi ajo.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të rezervimit me pagesën dhe fiskalizimin:
“Klienti kërkon, bën rezervimin, bën pagesën, fiskalizohet fatura dhe procesi përfundon. Janë procese që duken të thjeshta, por kur i mundëson me një sistem, janë tejet efikase.”
Nga këndvështrimi i biznesit, Gertjan Veshaj nga Hotel Valza theksoi ndryshimin mes operimit manual dhe atij të digjitalizuar:
“Nuk ka të krahasuar. Rrit transparencën, rrit koordinimin e stafit dhe shmang gabimet njerëzore. Sot një person mund ta menaxhojë check-in dhe check-out edhe nga telefoni. Është kursim kohe dhe parash” – shpreh Veshaj, prej vitesh përdorues i devPMS.
Pagesat: pika më e ndjeshme e përvojës
Diskutimi u fokusua fort edhe te pagesat, si momenti final dhe shpesh më kritik i eksperiencës së turistit.
Kristi Topuzi theksoi se turisti modern nuk pret të funksionojë me cash:
“Turistët presin të paguajnë pa para cash. Është e vështirë kur duhet të kërkojnë ATM, të tërheqin para dhe t’i konvertojnë në monedhën vendase. Kjo i lodh dhe i krijon pasiguri.”
Julian Xhembulla, CTO në Pago, e përkufizoi pagesën me kartë si të shpejtë, të thjeshtë dhe të saktë, duke garantuar që siguria e të dhënave është maksimale në çdo hallkë të procesit.
Diskutimi u ndal te rezistenca që ekziston ende ndaj pagesave elektronike, shpesh e lidhur me informalitetin dhe perceptimin për komisionet. Megjithatë, sipas panelistëve, reduktimi i kostove dhe formalizimi i tregut do të çojnë natyrshëm në reduktim të cash-it.
Igli Gjelishti theksoi se ideja se “kursen duke mos deklaruar” është një iluzion, pasi gabimet, abuzimet dhe kostot e administrimit të cash‑it janë shumë më të larta sesa detyrimet që shmangen.
Gjithashtu, ulja e komisioneve të pagesave me kartë e paralajmëruar nga Banka e Shqipërisë dhe detyrimi ligjor që bizneset e hotelerisë dhe transportit të pranojnë pagesa elektronike deri më 30 maj, pritet të nxisë adoptimin masiv të pagesave dixhitale.
Në këtë kontekst, Gjelishti theksoi se zgjidhja e përbashkët dev.al & Pago – që përfshin menaxhimin, automatizimin, faturimin dhe pagesat online ose me POS – është një ofertë unike dhe e plotë për tregun.
E ardhmja: smart hospitality dhe konkurrueshmëria rajonale
Paneli u mbyll me fokus te zhvillimet e ardhshme.
Julian Xhembulla parashikoi rritje të madhe në smart hospitality, me turistë që presin t’i kenë të gjitha shërbimet në smartphone – nga rezervimi te ushqimi e transporti. Ai përmendi edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për personalizimin e ofertave dhe shërbimeve.
Sipas Iglit Gjelishti, digjitalizimi nuk është më një alternativë, por një domosdoshmëri ekonomike. “Nëse nuk ecim me kohën, ne jemi ata që humbasim. Turisti do gjejë një alternativë tjetër.” – u shpreh ai.
Konkluzioni: Digjitalizimi si parakusht për rritje
Mesazhi i panelit ishte i qartë dhe unanim: Digjitalizimi nuk është më zgjedhje apo luks. Ai është kusht për konkurrueshmëri, transparencë dhe rritje të qëndrueshme.
Në një rajon ku vendet e tjera kanë avancuar ndjeshëm, Shqipëria nuk mund të mbështetet më vetëm te çmimi i lirë. Standardi digjital do të jetë një nga faktorët kryesorë që do të përcaktojnë fazën e ardhshme të zhvillimit të turizmit shqiptar.









