Analizë nga qendra studimore e taksave, Altax
Në pesë vitet e fundit (2020–2025), kostoja e jetesës në Shqipëri ka marrë një trajektore rritëse të qëndrueshme, duke arritur një shtrenjtim mesatar prej +19,1 % sipas të dhënave zyrtare të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) për muajin Korrik 2025 dhe krahasimi me periudhat më para.
Kjo është vetëm fotografia “mesatare”, ndërkohë që për një familje tipike shqiptare, realiteti është më i ashpër, sepse struktura e shpenzimeve është shumë e ndryshme nga pesha e barazuar që përdor IÇK-ja.
Ushqimet janë forca kryesore që ka shtyrë çmimet lart, me një rritje prej +33,1 % në këto pesë vite.
Për një familje mesatare që shpenzon rreth 45–50 % të buxhetit për ushqim e pije joalkoolike, efekti real i kësaj rritjeje është ndjerë shumë më rëndë se sa sugjeron shifra e përgjithshme e inflacionit.
Energjia dhe banesa kanë shënuar një rritje më modeste, rreth +11 %, por këto janë shpenzime fikse e të domosdoshme nuk ka luks për t’i reduktuar.
Faturat e dritave, ujit dhe qiraja apo mirëmbajtja e banesës kanë mbajtur presion të vazhdueshëm mbi të ardhurat neto të familjeve.
Shpenzimet për restorante dhe hotele, të ndikuara nga turizmi dhe sidomos nga sezonet e forta në qytetet bregdetare, janë rritur rreth +9 %. Për shumë familje, kjo do të thotë se argëtimi jashtë shtëpisë është bërë më i kufizuar dhe më i kushtueshëm.
Nëse llogarisim inflacionin efektiv sipas peshës reale të shpenzimeve të një familjeje tipike shqiptare, ku ushqimet dhe energjia zënë mbi 60 % të buxhetit rezulton se rritja e ndjerë e kostos së jetesës në këto 5 vite nuk është +19,1 %, por afërsisht +24–25 %.
Kjo do të thotë se, për të mbajtur të njëjtin standard jetese si në vitin 2020, një familje sot duhet të shpenzojë rreth një të katërtën më shumë. Në terma praktikë, kjo diferencë midis inflacionit “zyrtar” dhe atij “të ndjerë” shpjegon pse shumë familje raportojnë vështirësi më të mëdha financiare edhe pse shifrat mesatare nuk duket aq dramatike. Ajo që ka ndryshuar nuk është vetëm çmimi i mallrave, por edhe fakti që pjesa më e madhe e rritjes ka ndodhur pikërisht te ato kategori ku shpenzohet më shumë dhe ku kursimi është më i vështirë.
Inflacioni zyrtar peshohet sipas mesatares kombëtare, por realiteti i një familjeje shqiptare është ndryshe. Pjesa më e madhe e buxhetit shkon për ushqim dhe energji. Merrni shembull një pensionisti me të ardhura 21 mijë lekë në muaj.
Mbi gjysmën e kësaj shume, rreth 11–12 mijë lekë, shkon vetëm për ushqime bazë, të cilat janë shtrenjtuar mbi 33 % në pesë vitet e fundit. Kur shton edhe faturat e dritave, ujit dhe shpenzimet e banesës, mbetet shumë pak për gjithçka tjetër.
Për këtë arsye, shtrenjtimi real që ndjehet në xhep është shumë më i lartë se sa tregon inflacioni mesatar zyrtar. Bazuar në të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjes të INSTAT-it, një familje shqiptare mesatare e ndan buxhetin e saj në mënyrë shumë të pabarabartë midis kategorive të shpenzimeve. Pjesën më të madhe e zënë ushqimet dhe pijet jo-alkoolike, me gati 40 % të buxhetit.
Për një pension prej 21 mijë lekësh në muaj, kjo do të thotë rreth 8 300 lekë që shkojnë vetëm për ushqim, dhe me rritjen mbi 33 % të çmimeve në pesë vitet e fundit, kjo pjesë është bërë dukshëm më e rëndë për xhepin.
Në vend të dytë vjen kategoria e banesës, ujit dhe energjisë, me afro 10 % të buxhetit. Për të njëjtin pension, kjo është rreth 2 000 lekë në muaj, por në praktikë kjo shifër është shpesh më e lartë, sidomos gjatë dimrit kur rriten faturat e energjisë.
Restorantet dhe hotelet përbëjnë rreth 7,3 % të shpenzimeve, ose rreth 1 500 lekë nga një pension mesatar. Kjo shifër tregon më shumë raste të rralla daljesh, pasi për shumë familje me të ardhura të kufizuara, këto shpenzime janë të para që kufizohen kur çmimet e domosdoshme rriten.
Pjesa e mbetur, rreth 43 %, përfshin transportin, veshjen, kujdesin shëndetësor, arsimin, kulturën dhe shpenzime të tjera të përditshme.
Kjo kategori shpesh shërben si “valvul sigurie” ku familjet kursejnë për të mbajtur nën kontroll shpenzimet bazë, por kjo do të thotë edhe më pak mundësi për investime në cilësinë e jetës. Në këtë mënyrë, struktura reale e buxhetit tregon pse inflacioni i ndjerë është më i lartë: rritja e madhe e çmimeve ka prekur pikërisht ato kategori ku shpenzohet më shumë dhe ku kursimi është i vështirë.
- Rritja e çmimeve në ushqime ka kontribuar më shumë se gjysmën e inflacionit efektiv, sepse ushqimet zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve dhe kanë pësuar rritje të fortë (+33,1 %).
- Banesa dhe energjia, edhe pse me rritje më modeste (+11 %), kanë ndikim të konsiderueshëm sepse janë shpenzime të domosdoshme.
- Restorantet dhe hotelet, edhe pse me peshë më të vogël në buxhet, shtojnë koston për konsumatorët që shpenzojnë aty.
- Grupi i “të tjerëve” (transport, veshje, shëndet, kulturë, etj.) sjell një kontribut të rëndësishëm falë peshës së konsiderueshme dhe rritjes mesatare të çmimeve (rreth 15 %).
Në total, inflacioni efektiv i ndjerë nga një familje shqiptare është rreth 21,4 %, pra më i lartë se inflacioni zyrtar mesatar prej 19,1 %. Kjo tregon se shtrenjtimi i jetesës është më i fortë sesa thonë shifrat mesatare, për shkak të përqendrimit të shpenzimeve në kategori me rritje më të madhe çmimesh.
Çfarë do të thotë kjo në lekë?
Nëse një familje në vitin 2020 shpenzonte 100,000 lekë në muaj për të përmbushur nevojat e saj, atëherë: Duke llogaritur vetëm inflacionin zyrtar prej 19.1 %, ajo do t’i nevojitej 119,100 lekë në vitin 2025 për të ruajtur të njëjtin nivel jetese.
Por, duke marrë parasysh inflacionin efektiv prej 21.4 %, e cila pasqyron më mirë strukturën reale të shpenzimeve, i duhen 121,400 lekë, pra rreth 2,300 lekë më shumë në muaj sesa thonë shifrat zyrtare.
Kjo diferencë e vogël në dukje, në fakt përkthehet në një ngarkesë financiare të konsiderueshme për familjet me të ardhura të kufizuara.
Jeta e përditshme është shtrenjtuar më shumë sesa duket në statistikat zyrtare të inflacionit. Familjet me të ardhura të ulëta ose fikse, si pensionistët apo punonjësit me paga të pandryshuara ndjejnë më fort këtë ngarkesë, pasi ushqimi dhe energjia përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre.
Rritjet më të mëdha vijnë nga grupet bazë të shpenzimeve, si ushqimet dhe energjia, si dhe nga sektorët lidhur me turizmin, që ndikojnë kryesisht në zonat urbane dhe bregdetare.
Për të ndihmuar në mënyrë efektive këto familje dhe për të hartuar politika sociale dhe fiskale të drejtë është thelbësore që vendimmarrësit të marrin në konsideratë inflacionin efektiv, atë që përshkruan më saktë realitetin e jetesës dhe jo vetëm mesataren e IÇK-së zyrtare.