Edi Rama ka vendosur t’u kufizojë pushtetin kryebashkiakëve edhe me ligj. Qeveria ka miratuar vendimin që ua heq bashkive të drejtën për të dhënë leje ndërtimi për pallate mbi 6 kate, duke ia kaluar këtë kompetencë vetes, përmes Këshillit Kombëtar të Territorit, që drejtohet nga Kryeministri.
“Këshilli Kombëtar i Territorit është autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për: veprat e infrastrukturës apo/dhe objektet ndërtimore, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit, kur shtrihen brenda zonës së brezit bregdetar, si dhe çdo objekt mbi 6 kate, kur shtrihen jashtë kësaj zone”.
Ky rregull i ri i miratuar nga qeveria është pjesë e ndryshimeve të VKM për zhvillimin e territorit, ku një vëmendje i ka kushtuar edhe hapësirave publike. Atë që shembi me fadroma, tashmë e ktheu edhe në normë duke i hequr të drejtën e shfrytëzimit të këtyre hapësirave: “Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga autoritetet e zhvillimit për pasuritë private, të cilat kanë qenë pjesë e kufirit të zhvillimit dhe të destinuara për hapësira publike, si sheshe, parqe etj. Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit dhe e deklaratave paraprake për kryerje punimesh, si dhe kryerja e çdo lloj punimi për vendosjen e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, të cilat janë të ngarkuara me servitut publik”.
Pjesë të këtyre hapësirave të ndaluara janë edhe vetë pronat private ndërmjet pallateve të cilat tashmë me ligj nuk mund të shfrytëzohen për asnjë aktivitet biznesi: “Pavarësisht, nëse nuk është regjistruar servituti në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të njëjtat leje dhe punime nuk lejohen as në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre në zonat urbane, të cilat plotësojnë kushtet ligjore për të qenë të ngarkuara me servitut publik, të tilla, si prona që përbëjnë rrugën e daljes nga objektet drejt hapësirave publike, rrugët e kalimit ndërmjet objekteve apo nga objektet drejt rrugëve dhe shesheve publike etj”.
Tashmë, me rregulloren e re, edhe shfrytëzimi i hapësirave të lejuara nga bizneset do të lejohet vetëm nëse paguajnë tarifën përkatëse.