Nga Thethi e deri te ndërtimet pa leje në Jug e në të gjithë Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama pohoi se çdo godinë do të rrafshohet. Gjatë takimit me deputetët e zgjedhur dhe kandidatët e 11 majit për Tiranën, Rama tha se ky nuk është një aksion por reformë që do të vijojë gjatë. Kërkoi sërish angazhim prej të gjithë të tijve, ku tashmë fokusi do jetë dhe te siguria ushqimore duke pohuar askush nuk do të shesh më bulmet pa faturë.
“Ka dhe një teori tjetër që e kishte nxjerr në pah dhe një prift çuditërisht dje që ma çoi dikush dhe u habita sesa një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori duke folur për joshje për rrena, sikur me demek ne i joshëm, i gënjyem dhe pastaj i premë në besë. Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Premtimi ynë ka qenë “do legalizojmë pronën e gjyshërve”. Premtimi ynë nuk ka qenë dhe kurrë nuk e kemi bërë këtë në asnjë nivel dhe askush nga përfaqësuesit tanë në asnjë cep të Shqipërisë “na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje”.
Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male, me kushtin që t’i drejtohen institucioneve dhe të marrin lejen përkatëse. Madje kemi bërë dhe Paketën e Maleve për t’ua lehtësuar edhe më shumë.
Kemi marrë përsipër të përmbyllim procesin e legalizimeve brenda vitit 2028 ku hyjnë të gjitha digjitalizimi i hartave etj, etj. Por ama ta harroi kushdo qoftë që do të legalizoi çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji. Çdo lloj ngrehine e ngritur në cenim të hapësirës publike të infrastrukturës publike të projekteve të infrastrukturës, të zonave të mbrojtura, të infrastrukturës kritike do të rrafshohet. Nuk do të ketë asnjë tolerancë, asnjë dialog, asnjë ndalim më në këtë proces. Duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithëve atyre që ndërtojnë dhe njëkohësisht ndaj të gjitha tentativave për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territorin. Do të jetë jo e lehtë, por do të jetë e pandalshme konstante dhe do të vazhdojë aq sa do të vazhdojë”, ka deklaruar Rama.
Shefi i qeverisë tha se asnjë oligark apo investitor strategjik, siç është pretenduar nga opozita dhe jo vetëm, nuk do të përfshihet në projektet e zhvillimit në zonat rurale malore, por edhe ato bregdetare të vendit.
“Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark, aty nuk bëhet fjalë që do lejohen ndërtime dhe resorte. Është jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion, janë për të ardhur keq. Thethi dhe banorët e tij nuk janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grup njerëzish që nuk kanë lidhje me këtë histori. Ne do i mbështesim ata që kanë prona nëpër male me kusht që t’i drejtohen institucioneve, madje kemi bërë dhe ‘Paketën e maleve’”, deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se procesi i legalizimeve do të përmbyllet brenda vitit 2028, por theksoi se nuk do të ketë legalizime në kundërshtim me ligjin.
“Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë. Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve”, u shpreh Rama.