Nga Ergis Sefa, ekspert për ekonominë
Pse është kaq e rëndësishme ngushtica e Hormuzit?
Imagjinoni një vijë detare më të ngushtë se Otranto, që shërben si arteria kryesore për një pjesë të madhe të naftës dhe gazit natyror të botës.
Përmes saj kalon rreth 20-30% e konsumit ditor global të naftës dhe një pjesë e konsiderueshme e gazit natyror të lëngshëm (LNG), veçanërisht nga Katari.
Në thelb, çdo ndërprerje, sado e vogël, ka potencialin të shkaktojë një efekt domino me pasoja të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike.
Impakti potencial mbi ekonominë botërore:
Nëse Ngushtica e Hormuzit bllokohet (qoftë edhe pjesërisht ose për një periudhë të shkurtër), ka pasoja me rëndësi:
— Rritje e qenësishme e çmimeve të naftës dhe gazit:
Tregjet e energjisë do të tronditen. Nafta Brent shkon lehtësisht mbi $100 USD/fuçi, madje edhe më lart. Kjo përkthehet në kosto më të larta për karburantet, transportin dhe prodhimin në çdo sektor.
— Presioni inflacionist:
Çmimi i lartë i energjisë ndikon direkt në koston e prodhimit dhe transportit të pothuajse çdo malli. Kjo do të nxiste një valë të re inflacioni global, duke gërryer fuqinë blerëse dhe duke vështirësuar politikat monetare e fiskale.
— Çrregullime të zinxhirëve globalë të furnizimit:
Përtej energjisë, shumë mallra dhe materiale të papërpunuara kalojnë përmes kësaj ngushtice. Bllokimi do të shkaktonte vonesa, mungesa dhe rritje të primeve të sigurimit për transportin detar, duke paralizuar industri të tëra (nga elektronika tek automobilat).
— Frenim i rritjes ekonomike dhe (potecialisht) recesion:
Një goditje e tillë ndaj kostove të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit do të ulte besimin e investitorëve, do të pakësonte konsumin dhe do të rrezikonte një recesion global, duke e bërë më të vështirë rimëkëmbjen nga sfidat e mëparshme ekonomike.
Po Europa, Shqipëria dhe Kosova?
Europa, pas largimit nga varësia nga gazi rus, ka ridimensionuar ndjeshëm burimet e saj të energjisë, duke u kthyer më shumë drejt Lindjes së Mesme për naftë dhe LNG. Ngushtica e Hormuzit është bërë një arterie edhe më kritike.
— Një bllokim do të godiste rëndë sigurinë energjetike të BE-së, duke shkaktuar rritje drastike të çmimeve të energjisë dhe duke testuar aftësinë e bllokut për të gjetur shpejt burime alternative (të cilat janë të kufizuara dhe më të shtrenjta).
— Do të ndikonte në industrinë dhe konsumatorët europianë, duke rrezikuar vendet e punës dhe stabilitetin social.
Shqipëria dhe Kosova:
Duke qenë ekonomi të vogla dhe të varura nga importet e energjisë, ndikimi do të ishte veçanërisht i thellë.
— Vulnerabilitet Energjetik:
Shqipëria, pavarësisht potencialit hidroenergjetik, nuk i mbulon tërësisht nevojat me prodhim të brendshëm dhe importon. Mbi të gjitha, është plotësisht e varur nga importet për karburantet.
Kosova, megjithëse mbështetet tek qymyri, importon gjithashtu energji elektrike dhe varet plotësisht nga nafta e importuar. Çdo rritje çmimi në tregjet ndërkombëtare përkthehet menjëherë në fatura më të larta për qytetarët dhe bizneset.
— Inflacion i shpejtë:
Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit do të përshkallëzonte menjëherë inflacionin, duke ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të familjeve dhe duke rrezikuar stabilitetin ekonomik.
— Goditje për buxhetin e shtetit:
Qeveritë do të përballeshin me rritje të shpenzimeve për importe, ndoshta duke u detyruar të rrisin subvencionet ose të ulin investimet në sektorë të tjerë.
Në një botë kaq të ndërvarur, ngushtica e Hormuzit mbetet një kujtesë e mprehtë e brishtësisë së sigurisë sonë ekonomike.