Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, paralajmëroi pasoja serioze të vonesëës së krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, duke theksuar se vendi po humb mundësi të mira për zhvillim ekonomik dhe integrim ndërkombëtar.
Ai në intervistë për Ekonomia Online veçoi ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo situatë po ka mbi klimën e investimeve dhe sigurinë ekonomike të vendit:
“Ne si OEAK së bashku me Këshillin e Marrëdhënieve Amerikano-Shqiptare shprehëm shqetësimin tonë lidhur me vonesat në konstituimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti. Rrjedhimisht, shprehëm edhe disa shqetësime specifike se pse vonesa në konstituimin e institucioneve mund të jetë problematike në rastin e Kosovës. Duke nisur nga zhvillimet aktuale gjeopolitike, humbja e mundësive të ndryshme, por natyrisht edhe kërcënimet, të cilat mund të paraqiten në rastin e Kosovës dhe në aspektin e sigurisë, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, do të thotë fuqizimit të sektorit privat: tërheqjes së investimeve të huaja, investimeve amerikane dhe investimeve të tjera të huaja”, tha ai.
Në këtë kontekst, Zeka përmendi edhe çështjen e tarifës doganore për produktet amerikane si shembull konkret të dështimit institucional për të marrë vendime të rëndësishme.
Zeka tha se është në pritje projektligji për këtë çështje, i cili është përgatitur nga presidentja e Kosovës, por nuk mund të procedohet pa konstituimin e Kuvendit.
“Por ajo çka është më e rëndësishme, masa tarifore ndaj produkteve amerikane. Na nevojiten institucione plotësisht funksionale, të cilat mund ta shtyjnë më tej rregullimin e kësaj çështjeje. Pra, shfuqizimin e detyrimit doganor për produktet amerikane, mund të ndërmarrin vetëm institucionet, të cilat kanë kompetenca të plota, autoritet të pacenuar dhe të padiskutueshëm. E kemi parë deklaratën e presidentes së Kosovës që tashmë ka përgatitur një projektligj për sa i përket kësaj çështjeje dhe po e pret konstituimin e Kuvendit, ashtu që i njëjti projektligj të mund të sillet para deputetëve dhe të mund të merret vendimi. Kjo është vetëm një çështje sa për të ilustruar se si ndikon kjo situatë, ky ngërç aktual politik në mundësitë, të cilat Kosova dështon që t’i shfrytëzojë në këtë aspekt” tha ai.
Zeka theksoi se çdo ditë e humbur pa institucione funksionale është një hap mbrapa për vendin.
“Secila përpjekje e dështuar, natyrisht që është ditë e humbur dhe është mundësi e humbur për Kosovën që të debllokojë mundësitë e saj zhvillimore që të pengojë më tej avancimin e Kosovës edhe në aspektin ndërkombëtar. Storia e Kosovës, megjithatë, mbetet e papërfunduar për aq kohë sa ne nuk sigurojmë një numër më të madh njohjesh ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë këtu Këshillin e Evropës, Organizatën Botërore të Drejtësisë e shumë mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, që janë të rëndësishëm për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës,” tha ai për EO.