Analizë nga qendra studimore, Altax
Rritja e pagës minimale është një vendim kompleks që duhet të marrë parasysh ekuilibrin midis mirëqenies së punëtorëve dhe kapacitetit të bizneseve për ta përballuar atë. Nëse paga minimale rritet pa bazë në produktivitet ose rritje ekonomike, mund të shkaktojë probleme si rritja e informalitetit, papunësia dhe inflacioni. Për këtë arsye, konsultimi me bizneset dhe sindikatat është thelbësor për të vendosur një nivel optimal të pagës minimale.
Rritja e pagës minimale ndikohet nga disa faktorë ekonomikë, socialë dhe politikë, të cilët përcaktojnë nëse një rritje është e qëndrueshme apo jo. Këta faktorë mund të grupohen në disa kategori kryesore:
- Faktorët Ekonomikë
- Produktiviteti i punës. Paga minimale duhet të rritet në përputhje me rritjen e produktivitetit, pra sa mallra dhe shërbime prodhon një punëtor në një njësi kohe. Nëse paga rritet më shpejt se produktiviteti, bizneset mund të përballen me kosto më të larta dhe të mos jenë në gjendje ta mbulojnë atë.
- Inflacioni dhe kostoja e jetesës. Kur inflacioni rrit çmimet e mallrave dhe shërbimeve bazë, qeveritë mund të vendosin për rritje të pagës minimale për të ruajtur fuqinë blerëse të punëtorëve. Por, nëse rritja e pagës nuk përputhet me inflacionin, atëherë fuqia blerëse e punëtorëve bie.
- Rritja ekonomike dhe gjendja e tregut të punës. Nëse ekonomia po rritet me ritme të shpejta, bizneset kanë më shumë kapacitet për të paguar paga më të larta. Në një treg pune me papunësi të ulët, punëtorët kanë më shumë fuqi negociuese për të kërkuar paga më të larta.
- Struktura e tregut të punës. Nëse tregu dominohet nga sektorë me paga të ulëta (si ndërtimi, turizmi, bujqësia), atëherë rritja e pagës minimale mund të jetë më e vështirë. Mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni mund të rrisin presionin për të rritur pagën minimale.
- Faktorët Fiskalë dhe Buxhetorë
- Politikat e tatimeve dhe sigurimeve shoqërore. Rritja e pagës minimale rrit të ardhurat nga tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, por gjithashtu mund të rrisë kostot e biznesit dhe buxhetit të shtetit. Një ulje e barrës tatimore për bizneset mund të ndihmojë në përballimin e kostove shtesë nga rritja e pagës minimale.
- Impakti në shpenzimet publike. Nëse paga minimale rritet, mund të ndikojë edhe në rritjen e pensioneve dhe ndihmës sociale, duke krijuar më shumë presion mbi financat publike.
- Faktorët Socialë
- Fuqia blerëse dhe mirëqenia e punonjësve. Një përmirësim i standardit të jetesës për punonjësit me paga të ulëta është një nga arsyet kryesore për të rritur pagën minimale. Nëse punonjësit fitojnë më shumë, rritet konsumi, gjë që mund të stimulojë ekonominë.
- Emigracioni dhe konkurrenca për punëtorët. Largimi i fuqisë punëtore drejt vendeve me paga më të larta (si Gjermania, Italia apo Greqia) detyron rritjen e pagës minimale për të mbajtur punëtorët në vend.
- Faktorët Politikë dhe Institucionalë
- Politikat e qeverisë dhe angazhimet elektorale. Vendimet politike shpesh ndikojnë në rritjen e pagës minimale, veçanërisht para zgjedhjeve. Presioni nga sindikatat dhe organizatat e punëtorëve mund të ndikojë te qeveria për të rritur pagën minimale.
- Legjislacioni dhe standardet ndërkombëtare
Direktivat e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare mund të kërkojnë një nivel të caktuar page minimale për të siguruar standarde të drejta pune.
Harmonizimi me vendet e tjera të rajonit mund të ndikojë në nivelin e pagës minimale për të shmangur konkurrencën e pabarabartë.
Një rritje e pagës minimale nga 400 në 500 euro mund të ketë efekte pozitive në fuqinë blerëse, por pa një analizë dhe konsultim me bizneset, ajo mund të shkaktojë trazira në tregun e punës, presion mbi bizneset dhe inflacion të shtuar. Një strategji më e kujdesshme dhe me konsultim me aktorët ekonomikë do të ishte e nevojshme për të balancuar përfitimet dhe rreziqet e kësaj mase.
Për të pasur një pamje të plotë mbi efektet e mundshme, mund të analizojmë çdo aspekt të mundshëm të kësaj mase, duke e ndarë në grupe kryesore, duke theksuar elementet më të rëndësishme të diskutimit.
Efektet mbi bizneset
Kosto më e lartë e punës. Një nga efektet e menjëhershme të rritjes së pagës minimale është rritja e kostove të punës për bizneset. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset e vogla dhe ato që operojnë në sektorët me margjina të ulëta fitimi, siç janë bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet. Për këto biznese, mund të bëhet e vështirë të përballojnë këto kosto të shtuar pa ndikuar në qëndrueshmërinë e tyre financiare.
Rreziku i mbylljes ose tkurrjes së bizneseve. Rritja e kostos së punës mund të çojë në disa biznese të cilat mund të mos jenë në gjendje të përballojnë rritjen e pagës minimale, duke i detyruar të mbyllin ose të zvogëlojnë numrin e punonjësve. Kjo mund të ndikojë negativisht në punësimin dhe të shkaktojë një rritje të informalitetit, pasi disa biznese mund të kërkojnë mundësi për të shmangur kostot e pagave të larta duke e çuar punën në sektorin informal.
Ndikimi në çmime. Një ndikim tjetër i mundshëm është rritja e çmimeve për mallrat dhe shërbimet, pasi bizneset mund të detyrohen t’i kalojnë kostot e shtuar të punës tek konsumatorët. Ky efekt mund të çojë në një rritje të inflacionit, duke e bërë jetesën më të shtrenjtë për qytetarët.
Efektet mbi punësimin
Rritje e papunësisë dhe informalitetit. Nëse disa biznese nuk mund të përballojnë rritjen e kostove të punës, ato mund të reagojnë duke ulur numrin e punonjësve ose duke kaluar në pagat informale. Kjo do të ndihmonte në rritjen e informalitetit në tregun e punës dhe mund të kishte pasoja negative për sigurinë sociale dhe të drejtat e punonjësve.
Presion mbi investitorët e huaj. Për investitorët e huaj, kostoja e punës është një faktor kyç për vendosjen e investimeve. Rritja e papritur e pagës minimale mund të bëjë që disa investitorë të kërkojnë mundësi më të lira në tregje të tjera, duke shkaktuar një ulje të investimeve të huaja në Shqipëri.
Efektet mbi financat publike dhe sistemin fiskal
Rritje e të ardhurave nga tatimet dhe sigurimet shoqërore. Rritja e pagës minimale mund të sjellë një rritje të të ardhurave për shtetin, pasi do të rriten tatimet mbi të ardhurat personale dhe kontributet për sigurimet shoqërore. Kjo mund të ndihmojë në mbushjen e buxhetit shtetëror dhe përmirësimin e financave publike.
Shtesë e kostove për buxhetin e shtetit. Nëse paga minimale rritet dhe kjo ndikon në sektorin publik, shteti mund të përballet me nevojën për të alokuar më shumë fonde për pagat e punonjësve të administratës publike. Kjo mund të krijojë një presion shtesë mbi buxhetin e shtetit, veçanërisht nëse ky sektor është i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të pagave.
Efekt zinxhir mbi pensionet dhe përfitimet sociale. Rritja e pagës minimale do të ndikojë edhe në sistemin e pensioneve dhe përfitimeve sociale. Kjo mund të çojë në rritjen e pagesave për pensionet dhe ndihmën ekonomike, duke shtuar barrën fiskale për shtetin.
Efektet sociale dhe konsumi
Rritje e fuqisë blerëse. Një efekt pozitiv i rritjes së pagës minimale është rritja e fuqisë blerëse për punonjësit me paga të ulëta. Ata do të kenë më shumë mundësi për konsum, çka mund të stimulojë kërkesën për mallra dhe shërbime në ekonomi, duke mbështetur rritjen ekonomike në afatshkurtër.
Inflacion i mundshëm. Nga ana tjetër, nëse bizneset i kalojnë kostot e shtuara të punës te konsumatorët, mund të ndodhë një rritje e inflacionit. Ky efekt mund të neutralizojë rritjen e fuqisë blerëse të punonjësve, pasi çmimet e mallrave dhe shërbimeve do të rriten.
Pse është e domosdoshme të konsultohet vendimi politik me bizneset?
Konsultimi me bizneset është një hap thelbësor për të siguruar që politika e rritjes së pagës minimale është e qëndrueshme dhe e zbatueshme. Pasi bizneset janë aktorët kryesorë që do të ndikohen nga ndryshimet në pagat, është e rëndësishme të kuptohet kapaciteti i tyre për të përballuar këto ndryshime pa rrezikuar mbylljen e bizneseve ose rritjen e informalitetit. Për më tepër, një konsultim i tillë mund të çojë në një plan më të qëndrueshëm dhe të matur, ku paga minimale mund të rritet gradualisht, në përputhje me rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomisë.
Rritja e pagës minimale dhe produktiviteti
Rritja e pagës minimale duhet të jetë në përputhje me rritjen e produktivitetit për të shmangur efekte negative. Nëse produktiviteti nuk ka pasur një rritje të ngjashme me rritjen e pagës, atëherë kjo mund të dëmtojë ekonominë duke krijuar presion mbi bizneset, punësimin dhe inflacionin. Për këtë arsye, politika e pagave duhet të mbështetet mbi një analizë të realitetit ekonomik dhe jo thjesht mbi vendime politike apo sociale.
Por, sa e lidhur me produktivitetin është rritja e pages me 100 euro nga 2023 në 2025?
Rritja e pagës minimale me 100 euro nga 2023 në 2025 duhet të analizohet në raport me produktivitetin e punës, pasi një rritje e pagave pa një rritje të qëndrueshme të produktivitetit mund të krijojë tensione ekonomike[2].
Në Shqipëri, produktiviteti i punës ka pasur një rritje modeste. Nëse supozojmë një rritje mesatare të PBB-së prej 3.9% në vitet 2023 – 2024, kjo duhet të reflektohet edhe në rritjen e produktivitetit. Nga analiza të mëparshme të kryera për këtë qëllim rezulton se produktiviteti I punës është rritur jo më shumë se 0.6% për rritje mesatare të pagës me 5-6%.
Në rastin e pagës minimale kemi një deklaratë për rritje me 25% në 2026 krahasuar me 2025. Por, nëse rritja e pagës minimale është më e lartë se rritja e produktivitetit, bizneset detyrimisht do të përballen me rritje të kostove pa një rritje ekuivalente në prodhim.
Në kushtet kur produktiviteti ka mbetur në nivele të ulta, atëherë kjo rritje krijon presion mbi bizneset dhe mund të çojë direkt në një periudhë afatshkurtër në (a) reduktim të punësimit, (b) rritje të çmimeve për të kompensuar kostot dhe (c) rritje të informalitetit.
Ky vendim politik në këtë mënyrë do të vijojë të mbajë gjallë informalitetitn, ashtu si ndodhi edhe në rastin kur u mor vendim për rritjen e paghës minimale ne 40 mijë lekë në vitin 2023.
Në atë që vlerësojmë bazuar në argumentat më poshtë, rritja e pagës minimale në 500 euro duket më shumë një vendim politik me qasje elektorale sesa një politikë e bazuar në rritjen e produktivitetit dhe kushtet ekonomike. Për të justifikuar këtë analizë, duhet të shqyrtojmë secilin nga faktorët kryesorë që ndikojnë në një rritje të qëndrueshme të pagës minimale dhe të shohim nëse ato plotësohen.
Në vijim në formën e pyetjeve dhe argumentave referuar tyre do të japim sqarimet që mendojmë se vlejnë për diskutim publik.
Së pari, produktiviteti i punës e justifikon këtë rritje?
Në vitet e fundit, produktiviteti është rritur, por jo aq sa të mbulojë një rritje kaq të madhe të pagës minimale. Me një rritje ekonomike prej 3.9% në 2023-2024 dhe me një strukturë të tregut që dominohet nga sektorë me vlerë të ulët të shtuar (bujqësia, ndërtimi, turizmi), rritja e pagës minimale me 25% (nga 400 në 500 euro) është më e lartë se rritja e produktivitetit të punës. Pa një rritje të produktivitetit, bizneset ose do të rrisin çmimet (inflacion), ose do të ulin punësimin dhe të kalojnë në informalitet.
Pra, kushti nuk plotësohet, pasi rritja e pagës nuk mbështetet nga produktiviteti.
Së dyti, inflacioni dhe kostoja e jetesës e kërkon një rritje të tille?
Inflacioni në Shqipëri ka qenë i lartë, veçanërisht për ushqimet dhe qiratë, duke ulur fuqinë blerëse të popullsisë. Në këtë aspekt, një rritje e pagës minimale mund të ndihmojë punonjësit me paga të ulëta të mbajnë nivelin e konsumit, por kjo nuk do të funksionojë nëse çmimet rriten edhe më shumë si pasojë e kësaj mase.
Nisur nga kjo situatë, kushti plotësohet pjesërisht, por nëse bizneset i transferojnë kostot te konsumatorët, fuqia blerëse mund të mos përmirësohet realisht.
Së treti, rritja ekonomike dhe tregu i punës e mbështetin këtë vendim?
Rritja ekonomike është e moderuar (3.9%), por nuk po sjell një transformim strukturor që të justifikojë një rritje kaq të madhe të pagës minimale. Ndërkohë, duhet që të ketë dhe të pranohet nga tregu një mungesë kritike e fuqisë punëtore që të justifikojë rritje të forta të pagave, jo nga politika, por nga tregu vetë. Papunësia edhe pse në rënie nuk është aq e ulët sa të rrisë presionin për rritjen e pagave, gjë që tregon se kërkesa për punë ende nuk është aq e lartë sa të diktojë një rritje të detyrueshme të pagës minimale.
Në këtë kuptim, ky kusht ekonomik nuk plotësohet, pasi ekonomia nuk ka një dinamikë që të kërkojë rritje të tillë të pagës minimale.
Së katërti, a mund ta përballojë ekonomia shqiptare (efekti fiskal dhe kapaciteti i bizneseve)?
Bizneset e vogla, që përbëjnë shumicën e tregut të punës, do të jenë më të prekurat, pasi për ta, një rritje e tillë mund të jetë e papërballueshme. Sektori publik do të përballet me kosto më të larta për rrogat, pensionet dhe ndihmën sociale, që mund të kërkojë më shumë taksa ose më shumë borxh për ta financuar. Nëse bizneset nuk arrijnë ta përballojnë, mund të kemi rritje të informalitetit dhe ulje të punësimit formal.
Në këtë kontekst edhe ky kusht nuk plotësohet, pasi ekonomia nuk ka një bazë të qëndrueshme për ta përballuar këtë rritje pa pasoja anësore.
Së pesti, sipas kontekstit politik a është një vendim elektoral ky premtim?
Vendimi politik vjen në një periudhë zgjedhore (2025), kur qeveria kërkon të sigurojë votat e grupeve me paga të ulëta. Rritjet e mëdha të pagave minimale, pa një analizë të qartë ekonomike janë shpesh strategji populiste për të fituar mbështetje politike. Për këtë vendim dhe deklaratë nuk ka pasur një konsultim të gjerë me bizneset dhe sindikatat, duke treguar se vendimi nuk është rezultat i një analize të thelluar ekonomike.
Pra, në këtë rast kushti nuk plotësohet, pasi vendimi ka një qasje të qartë elektorale.
Nga pesë kushtet kryesore, vetëm një (inflacioni) justifikon pjesërisht rritjen e pagës minimale, ndërsa të tjerat tregojnë se:
✔ Nuk ka rritje të mjaftueshme të produktivitetit për ta justifikuar këtë masë.
✔ Nuk ka presion nga tregu i punës që të kërkojë rritje të detyrueshme të pagës minimale.
✔ Rritja mund të dëmtojë bizneset dhe të çojë në rritje të informalitetit.
✔ Vendimi ka një qasje të qartë elektorale.
Ndërkohë ne duhet të marrim në konsideratë vendimet e ngjashme në pak vite më parë.
Rritja e pagës minimale në 40,000 lekë në vitin 2023 na ofron disa mësime të rëndësishme që mund të vlerësohen për premtimin e ri elektoral për 500 euro (50,000 lekë) në 2025. Analiza e kësaj eksperience ndihmon të kuptojmë pasojat ekonomike dhe sociale të një rritjeje të nxituar dhe të detyruar të pagës minimale.
Rritja e pagës minimale në 2023 solli një formalizim të detyruar të disa pagave të ulëta, duke bërë që shumë punonjës të kalojnë nga paga 32,000-35,000 lekë në 40,000 lekë.
Megjithatë, një pjesë e bizneseve, veçanërisht të voglat dhe mikrobizneset kaluan në informalitet ose punësim të pjesshëm për të shmangur kostot e rritura të sigurimeve shoqërore.
Rritja në 500 euro në 2026 mund të thellojë fenomenin e informalitetit, pasi bizneset që tashmë ishin në kufirin e mbijetesës në 2023 mund të mos përballojnë një tjetër rritje kaq të madhe.
Puna në të zezë dhe punësimi fiktiv mund të rriten, veçanërisht në sektorë me marzhe të ulëta fitimi, si bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet.
Shumë biznese në 2023, për të kompensuar rritjen e pagave minimale, rritën çmimet e produkteve dhe shërbimeve, duke kontribuar indirekt në inflacion.
Bizneset e vogla u goditën më shumë, pasi nuk kishin mundësi të negocionin me furnitorët ose të automatizonin proceset e punës për të ulur kostot.
Rritja në 500 euro në 2026 do të jetë një goditje edhe më e fortë për bizneset, duke i detyruar ose të rrisin çmimet, ose të shkurtojnë fuqinë punëtore.
Shtimi i barrës fiskale dhe i detyrimeve për sigurime mund të frenojë investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Rritja e pagës minimale në 2023 solli një shtim të të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe tatimet mbi pagat. Nga ana tjetër, pensionet dhe ndihmat sociale të lidhura me pagën minimale u rritën, duke krijuar një kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Në 2026, rritja në 500 euro pritet të rritë të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por edhe shpenzimet publike, veçanërisht për pensionet, ndihmën ekonomike dhe rrogat e administratës publike. Nëse të ardhurat nga tatimet nuk mbulojnë këtë rritje të kostove, qeveria mund të përballet me deficit fiskal dhe borxh më të lartë.
Është e vërtetë, se në 2023 pas rritjes së pagës minimale, ka pasur një rritje të konsumit, por ajo nuk ka qenë aq e madhe sa të kompensonte efektet negative te bizneset. Rritja e çmimeve neutralizoi përfitimet e pagave më të larta për shumë konsumatorë.
Po kështu, një rritje e pagës minimale në 500 euro në 2026 mund të rrisë përkohësisht konsumin, por nëse bizneset reagojnë me rritje çmimesh, fuqia blerëse mund të mos përmirësohet realisht. Inflacioni i krijuar mund të konsumojë përfitimet e kësaj rritjeje.
Së fundmi, edhe në 2023 rritja e pagës minimale ishte një vendim politik pa konsultim të thelluar me bizneset. Bizneset e vogla dhe të mesme e kundërshtuan vendimin, por ai u imponua nga qeveria pa marrë masa lehtësuese.
Ashtu si në 2023, premtimi për 500 euro pagë minimale në 2026 nuk është i bazuar në një analizë të plotë ekonomike dhe nuk ka pasur konsultime me bizneset për të parë ndikimin real të kësaj rritjeje. Premtimi vjen në një vit zgjedhor, që tregon se ka një qasje të fortë elektorale, më shumë sesa një strategji ekonomike afatgjatë.
Çfarë mund të bëhet ndryshe për të shmangur efektet negative?
Nga përvoja e 2023, qeveria duhet të marrë disa masa për të bërë një rritje të qëndrueshme të pagës minimale:
- Rritja e pagës minimale duhet të bëhet graduale dhe e bazuar në produktivitet. Në vend të një rritjeje të menjëhershme me 100 euro, mund të bëhet në hapa të vegjël, të ndërlidhur me rritjen ekonomike.
- Për të shmangur rritjen e papunësisë dhe informalitetit, qeveria mund të ulë përkohësisht kontributet e sigurimeve për bizneset e vogla.
- Për t’ju përgjigjur tendencave të inflacionit duhet të ketë politika për të parandaluar rritjen artificiale të çmimeve nga bizneset që mund të spekulojnë me rritjen e pagave.
- Por, për të mbyllur atë që nevojitet më shumë në tregun e punës është qasja me politika gjithpërfshirëse për rritjen e produktivitetit, të tilla si: investime në arsimin profesional, teknologjinë dhe inovacionin për të rritur vlerën e prodhimit dhe për ta bërë pagën më të lartë të përballueshme nga bizneset.
Përvoja e 2023 tregon se një rritje e shpejtë dhe e imponuar e pagës minimale mund të sjellë pasoja të paparashikuara: rritje çmimesh, më shumë informalitet dhe presion mbi buxhetin e shtetit.
Premtimi për 500 euro në 2025 ka të njëjtat karakteristika si rritja e pagës në 40,000 lekë në 2023, një vendim i njëanshëm dhe elektoral, më shumë sesa një reformë e mirëfilltë ekonomike.
Pa masa mbështetëse për bizneset dhe një plan për rritjen e produktivitetit, rritja e pagës minimale në 500 euro rrezikon të jetë e paqëndrueshme dhe të krijojë më shumë probleme sesa zgjidhje.
Në këtë vendim që duket pozitiv për një pjesë të mirë të punonjësve, në fakt rritja e pagës minimale = Taksa në mënyrë indirekte, pasi:
- Bizneset do të paguajnë më shumë për sigurime dhe tatime për punonjësit me paga të ulëta.
- Qeveria mund të ketë nevojë për më shumë të ardhura për të financuar koston e rritur të pagave në sektorin publik dhe shpenzimet sociale.
- Konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta si pasojë e transferimit të kostove nga bizneset.
- Nëse kjo rritje nuk shoqërohet me lehtësira fiskale për bizneset ose rritje të produktivitetit, ajo mund të veprojë si një taksë indirekte që rëndon mbi punëdhënësit, punëtorët dhe konsumatorët njëkohësisht.
Në përfundim, një vendim për rritjen e pagës minimale duhet të jetë i balancuar dhe të marrë parasysh të gjitha këto faktorë. Rritja e pagës minimale mund të ketë përfitime të mëdha për punonjësit, por duhet të jetë pjesë e një politike të mirëfilltë që përfshin rritjen e produktivitetit, nxitjen e investimeve, dhe rritjen e konkurueshmërisë. Pa këto elementë, pasojat mund të jenë të padëshiruara dhe të dëmtojnë më shumë se të përfitojnë.
Produktiviteti i punës matet si PBB për punëtor dhe tregon sa mallra dhe shërbime prodhohen për çdo punonjës
Nëse rritja e pagës minimale nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit, kjo do të thotë se bizneset paguajnë më shumë për të njëjtën sasi pune, gjë që mund të (a) rritë kostot e prodhimit, (b) ulë konkurrencën e biznesit dhe (c) nxitë inflacionin.