NGA AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka qenë dhe mbetet një nga motorët kryesorë të rritjes globale për dekada. Megjithatë, në vitet e fundit, pasiguritë ekonomike, ndryshimet në politikat monetare dhe sfidat globale kanë nxitur debatin dhe shtruar pyetje nëse ekonomia e SHBA-ve do të përballet me një recesion në të ardhmen e afërt? Dhe ky recension a do shoqërohet me “efektin domino” në ekonominë e vendeve europiane dhe në ekonominë globale? A do të vazhdojë ekonomia amerikane në vitet që pasojnë dhe në periudhë afatgjatë të zhvillohet me ritme të larta dhe të ruajë lidershipin në ekonominë globale (duke sfiduar parashikimet e disa institucioneve ndërkombëtare (Goldman Sachs etj.) se në vitet 2050 dhe 2075 ekonomia amerikane nga pikëpamja e ritmeve të rritjes do të renditet në vend të tretë, pas ekonomisë kineze dhe asaj indiane? Çfarë ndikimi do të ketë i ashtuquajturi “Trampizëm në Ekonomi” me në qendër “Luftën e Tarifave”? Këto pyetje janë bërë nga shumë analistë, sidomos pas masave të para që Presidenti i porsazgjedhur Trump mori gjatë mbledhjes së tij të parë të kabinetit. Po cilat kanë qenë reagimet e Presidentit Trump për këtë çështje? Në një intervistë të tij, Presidenti Trump nuk mohoi faktin se ekonomia amerikane mund të hyjë në recesion, por kjo do të jetë një e keqe e përkohshme për një të mirë më të madhe, që do ta “bëjë Amerikën të madhe përsëri”. Trump tha: “US do përjetojë një ‘periudhë tranzicioni’, deri sa politikat e tij të japin efektet, kur u pyet nëse ekonomia mund të bjerë në recesion këtë vit. Ndërsa, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick deklaroi se “nuk ka shanse” për rënie të ekonomisë. President Trump, gjithashtu, iu përgjigj pyetjeve të Maria Bartiromo në “Sunday Morning Future”, duke iu shmangur përgjigjes eksplicite në lidhje me një rrënjë të plotë të një shpërthimi recesionesh për ekonominë amerikane këtë vit. “Unë urrej të parashikoj gjëra si këto”, – tha ai për recesionin. Komentet e presidentit erdhën si përgjigje ndaj disa shqetësimeve të disa liderëve të biznesit në lidhje me paqëndrueshmërinë mbi tarifat e vendosura mbi Kinën, Kanadanë dhe Meksikën, si dhe në përgjigje të shqetësimit në rritje për një ngadalësim të zhvillimit ekonomik. Bazuar në faktet, analizat dhe mendimet e shprehura nga ekspertët në shtypin botëror, lë të kuptojmë se ku do të fokusohet politika ekonomike e SHBA-ve dhe nëse ajo do të hyjë në recesion, duke konsideruar faktorët kryesorë të politikave ekonomike, treguesit aktualë dhe perspektivat e mundshme.
POLITIKA EKONOMIKE DHE “LUFTA E TARIFAVE”
Në fund të janarit 2025, Presidenti Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 25% për importet nga Meksika dhe Kanadaja, duke filluar nga 1 shkurti 2025. Këto masa u morën si përgjigje ndaj çështjeve të lidhura me trafikimin e drogës dhe emigracionin e paligjshëm. Megjithatë, më 6 mars 2025, Presidenti Trump njoftoi pezullimin e këtyre tarifave deri më 2 prill 2025, pas një bisede telefonike me Presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum. Pak ditë më vonë, e konfirmoi këtë element të politikës ekonomike si me Meksikën, ashtu edhe me Kanadanë. Në të njëjtën periudhë, Presidenti Trump njoftoi një rritje prej 10% të tarifave ekzistuese për importet nga Kina, duke filluar nga 1 shkurti 2025 dhe një shtesë të dytë 10% deklaruar në fillim të marsit). Kjo masë u mor për të adresuar shqetësimet lidhur me tregtinë e padrejtë dhe çështje të tjera ekonomike. Reagimi dhe kundërpërgjigja e Kinës ishte e menjëhershme. Së fundi Presidenti Trump u fokusua në raportet e SHBA-ve me Evropën për të vendosur tarifa ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë sektorë si automobilët, lëndët drusore dhe produktet farmaceutike dhe më një fokus të shpejtë për vendosjen e tarifës 200% për pijet alkoolike europiane. Shumë shpejt u zyrtarizuan edhe këto masa, pavarësisht se ishte shprehur që deri në mars 2025 do të negocionte me vendet europiane një nga një dhe jo me BE si tërësi dhe komisionin europian në veçanti. Ai kërkonte një qëndrim të veçantë të vendeve të veçanta, duke anashkaluar institucionet europiane. Këto masa kanë shkaktuar shqetësime në të gjitha ambientet ekonomike si në Europë, ashtu edhe në SHBA duke u shoqëruar me komente të ndryshme për këtë çështje. Nga ana tjetër, vendet e prekura kanë paralajmëruar për masa reciproke në rast të zbatimit të këtyre tarifave dhe shumë prej tyre kanë vendosur kundërmasa. Gjithë kjo ka krijuar një klimë pasigurie në tregjet ndërkombëtare dhe diskutime të pafundme ndërmjet analistëve ekonomik. Tregu i punës deri tani ka qenë relativisht i fortë, me norma papunësie në nivele historikisht të ulëta. Megjithatë, disa analistë kanë paralajmëruar se kjo mund të jetë një tregues që mund të ndryshojë shpejt, pasi ndërmarrjet mund të fillojnë të zvogëlojnë stafin, nëse kushtet ekonomike përkeqësohen. Kësaj “frike” i bashkohet dhe lëvizja e këshilltarit të presidentit, Elon Musk, i cili ka premtuar një ristrukturim të administratës shtetërore, me qëllim rritjen e eficiencës së saj. Në këtë aspekt ai synon:
-Reduktimin e shpenzimeve të qeverisë, duke konsoliduar departamente dhe agjenci që kanë funksione të mbivendosura dhe eliminuar programet e paefektshme ose të paarsyeshme.
-Reduktimin e burokracisë në sektorin publik, duke realizuar thjeshtimin e procedurave administrative, eliminimin e rregullimeve të tepërta që ngadalësojnë inovacionin dhe investimet, duke propozuar që qeveria të adoptojë në sektorin publik parime të menaxhimit nga sektori privat.
-Musk, si një adhurues i madh i automatizimit dhe teknologjisë, mund të propozojë përdorimin e teknologjisë për të automatizuar proceset burokratike, duke reduktuar nevojën për punëtorë në disa sektorë të qeverisë. (Përdorimin e inteligjencës artificiale-IA) që do të kursenin fuqi punëtore dhe do të rrisnin cilësinë e shërbimeve shtetërore).
Kjo reformë po shoqërohet me shkurtime shumë të mëdha të shumë vendeve të punës në administratën publike. Shumë ekspertë mendojnë se, nga kjo politike, pritet nga njëra anë të ketë presione në tregun e punës, nga ana tjetër potencialisht të bjerë konsumi i amerikanëve, nga frika të qenurit të papunë.
Një tjetër efekt i pritshëm i politikës ekonomike të Presidentit Trump, sipas ekspertëve, mund të jetë dhe rritja e inflacionit. Tarifat e reja doganore në fund të fundit do t’i paguajnë konsumatorët amerikanë, gjë që do të shoqërohet me një rritje të ndjeshme të çmimeve dhe ulje të fitimeve të pritshme. Kjo, sigurisht, nuk do të lejojë që FED-i të bëjë uljen e normave të interesit për të stimuluar investimet dhe konsumin. Nëse do të kemi shenja inflacioniste në SHBA, sipas Jerome Powell, Kryetari (Chair) i Bordit të Guvernatorëve në FED, institucioni që ai drejton “nuk do të ishte indiferent ndaj masave të përshtatshme për stabilizimin e simptomave inflacioniste”. Pra, pritshmëritë për uljen e ndjeshme të përqindjeve të interesit në SHBA nuk janë të sigurta gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Së fundit, por jo me më pak rëndësi është dhe fakti se tensionet tregtare dhe ndryshimet në ekonominë globale mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në SHBA edhe në aspektin e eksporteve të saj. Për shembull, një ngadalësim në Kinë ose Evropë mund të zvogëlojë kërkesën për eksportet amerikane dhe nga ana tjetër, përgjigja e shumë vendeve në “luftën e tarifave” të ulë konsumin e mallrave apo shërbimeve amerikane si në Europë, ashtu edhe në vendet e tjera. Konsideruar këtë ndikim të politikës ekonomike aktuale në SHBA mund të kemi një analizë më të detajuar të pritshmërive të saj.
PO A DO TË HYJË EKONOMIA E SHBAVE NË RECENSION? JA DISA TREGUES QË MUND TË SHPREHIN MUNDËSINË E RECENSIONIT
Të gjithë ekspertët e ekonomisë bien dakord se amerikanët “janë shumë të lidhur pas numrave” dhe mundohen çdo fenomen ta mishërojnë me një numër. Unë si sportdashës i basketbollit amerikan habitem se si për çdo ndeshje të luajtur, amerikanët kanë sajuar një mori treguesish (numra) që ta analizojnë atë në çdo këndvështrim. Ajo që më bën edhe më kurioz është se dhe publiku i kupton shumë mirë ato numra. E njëjta gjë ndodh edhe në ekonomi, ku në SHBA çdo gjë matet me një numër dhe protokollet e matjes pavarësisht që në shumë raste janë të paunifikuara, të japim një pamje të plotë të gjendjes ekonomike. Në këtë këndvështrim do të mundohemi t’u japim përgjigje pyetjeve tona.
1-TREGU I AKSIONEVE.
Tregu i aksioneve ka qenë gjithmonë treguesi i parë për të gjykuar ecurinë e ekonomisë amerikane. Këto dy javët e fundit ai ka qenë i paqëndrueshëm, me rënie të mprehta, sidomos në disa aksione të caktuara. Po të shikojmë me kujdes numrat e aksioneve ku duket qartë se tregu po rikthehet në gjendjen e tij para zgjedhjeve dhe se rënia më e lartë është te S&P 500, pastaj dhe tek NASDAQ. Gjatë dy javëve të para të marsit 2025, tregjet amerikane të aksioneve pësuan rënie të ndjeshme. Indeksi S&P 500 ra me 4.7%, ndërsa NASDAQ me 4.8%. Duke pasur parasysh kapitalizimin e tregut të këtyre indekseve, këto rënie përkthehen në humbje prej disa trilionë dollarësh në vlerën e tregut të aksioneve. Këto zhvillime u ndikuan nga shqetësimet mbi ndikimin e tarifave të reja tregtare të administratës “Trump” në ekonominë amerikane. Në veçanti, aksionet e kompanive teknologjike si “Tesla”, “Nvidia”, “Meta”, “Amazon” dhe “Alphabet” pësuan rënie të ndjeshme gjatë kësaj periudhe.
2-RËNIA E NDJESHME E DOLLARIT AMERIKAN.
Duket që zhvlerësimi i dollarit amerikan ndaj euros dhe frika e një inflacioni të ri spostuan masa monetare nga tregu amerikan në atë europian. Kështu, patëm shitje masive të aksioneve të këtyre kompanive për t’u investuar në kompanitë e armatimeve si në Europë, ashtu edhe në SHBA. Gjatë muajve shkurt dhe mars 2025, kursi i këmbimit euro/dollar amerikan (EUR/USD) ka shfaqur luhatje të ndjeshme. Në fillim të shkurtit 2025, euro këmbehej me rreth 1.01 dollarë amerikanë. Një sondazh i “Reuters” në atë periudhë tregoi se gati një e treta e strategëve të valutave prisnin që euro të barazohej me dollarin ose të binte më poshtë, një rritje nga një e pesta e tyre muajin e kaluar. Në fillim të marsit 2025, euro këmbehej me rreth 1.09 dollarë amerikanë.[1] Kjo rënie e euros ndaj dollarit mund t’u atribuohet disa faktorëve, përfshirë zhvillimet ekonomike globale, ndryshimet në politikat monetare të bankave qendrore dhe luhatjet në tregjet financiare. Është e rëndësishme të theksohet se kursi i këmbimit ndikohet nga një sërë faktorësh dhe mund të ndryshojë në varësi të kushteve ekonomike dhe gjeopolitike. Njëkohësisht ky është dhe një shkak i lëvizjes së kapitaleve nga njëri vend në tjetrin, gjë që vërtetohet me spostimin e kapitaleve nga tregu amerikan në atë europian. Kush kishte investime në dollarë në tregun amerikan, ka vënë re që vlera e tyre është ulur ndjeshëm në muajin e fundit.
3.BORXHI I MADH I EKONOMISË MË TË MADHE NË BOTË.
Ray Dalio, themeluesi i “Bridgewater Associates”, një nga fondet më të mëdha në botë, është një zë i njohur në botën e financave dhe ekonomisë. Në intervistat dhe shkrimet e fundit, Dalio ka shprehur shqetësime të thella në lidhje me borxhin amerikan dhe ndikimin e tij në ekonominë globale. Dalio ka theksuar se SHBA-të po përballen me nivele historikisht të larta të borxhit publik dhe privat. Ai paralajmëron se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe mund të çojë në një krizë financiare, nëse nuk menaxhohet siç duhet. Një nga paralajmërimet më të mëdha të Dalio është se dollari amerikan mund të humbasë statusin e tij si monedhë globale rezervë. Ai beson se kombinimi i borxhit të lartë, inflacionit dhe konkurrencës nga monedha të tjera (si juani kinez) mund të çojë në një rënie graduale të dominancës së dollarit[2]. Dalio beson se ekonomitë kalojnë nëpër “cikle të borxhit” dhe se SHBA-të janë në një fazë kritike të këtij cikli. Ai kërkon reforma strukturore, përfshirë uljen e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e produktivitetit, për të shmangur një krizë të mëtejshme. Dalio e krahason akumulimin e borxhit me grumbullimin e pllakave në arteriet e njeriut, duke argumentuar se kjo mund të çojë në një “infarkt financiar”. Ai thekson se rritja e shpenzimeve për shërbimin e borxhit mund të bëhet e paqëndrueshme dhe të shkaktojë destabilizim ekonomik. A do të mundet Presidenti Trump ta zgjidhë këtë problem dhe çfarë politikash do përdorë, asnjë nuk është në gjendje ta thotë këtë zgjidhje. Dalio propozon uljen e deficitit buxhetor në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të shmangur një krizë të mundshme borxhi. Ai gjithashtu paralajmëron se, nëse nuk merren masa për të adresuar këtë çështje, normat e interesit mund të rriten ndjeshëm, duke çuar në një recesion të mundshëm. Në librin e tij të ardhshëm, “Si shkojnë vendet në falimentim” (How Countries Go Broke), Dalio analizon ciklet e mëdha të borxhit dhe ofron një udhëzues për të njohur dhe adresuar situatat akute të borxhit. I pyetur se kur ekonomia amerikane mund të hyjë në krizë, Dalio u përgjigj që ekonomia amerikane do të hyjë në krizë kjo është e pashmangshme, por se kur këtë nuk besoj se mund ta di njëri. Mund të jetë për 5 muaj, për 5 vjet, por edhe për 15 vjet. Sigurisht që përderisa nuk mund ta dijë Rey Dalio se kur do të hyjnë SHBA-të në recesion, mos prisni që ky artikull t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, ndërkohë të gjithë tashmë e dinë që zhvillimi ciklik është element konstant i zhvillimit. Sakaq, politika ekonomike e Presidentit Trump synon të garantojë një zhvillim më të madh në dekadat e ardhshme.