Prof. Dr. Adrian Civici
Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë
Më shumë proteksionizëm dhe më pak imigrim pritet të ndikojnë në rritjen e inflacionit dhe kjo do të përkthehet në norma më të larta interesi në tregjet financiare në Shtetet e Bashkuara. Më pak taksa për bizneset do të thotë më shumë fitime dhe për rrjedhojë një rritje e vlerave e tregut amerikan të aksioneve. Më pak rregullim financiar është pozitiv për bankat dhe kriptovalutat amerikane.
Si pritet të ndikojë fitorja e Donald Trump në ekonominë globale? Ka disa akse të rëndësishme në programin ekonomik të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara: një rritje e detyrimeve doganore për produktet e importuara veçanërisht nga Kina dhe Evropa, lufta kundër emigracionit, taksat më të ulëta mbi fitimet e korporatave nga 21 në 15%, një relaksim financiar në kuadrin e një politike më të gjerë derregulluese.
Më shumë proteksionizëm dhe më pak imigrim pritet të ndikojnë në rritjen e inflacionit dhe kjo do të përkthehet në norma më të larta interesi në tregjet financiare në Shtetet e Bashkuara. Më pak taksa për bizneset do të thotë më shumë fitime dhe për rrjedhojë një rritje e vlerave e tregut amerikan të aksioneve. Më pak rregullim financiar është pozitiv për bankat dhe kriptovalutat amerikane.
Edhe nëse Presidenca e ardhshme Trump zbaton vetëm një pjesë të premtimeve të tij elektorale, presioni mbi financat publike, inflacioni, rritja ekonomike dhe normat e interesit do të ndihen në çdo cep të planetit.
E thënë shkurt, Amerika e parashikuar e Trump-it është që motor i tregjeve botërore të aksioneve wall Street-i që ecën mirë, bitcoin i shtrenjtë, dollar i fortë dhe naftë më e lirë.
Fitorja e Donald Trump me moton dominuese “Make America Great Again”, dhe një Kongresi tashmë të dominuar nga republikanët ka filluar të ndikojë në tregjet globale në mënyrë komplekse, me efekte veçanërisht të theksuara në tregun e aksioneve amerikane, dollarin dhe tregjet evropiane të aksioneve. Gjatë fushatës së tij, Donald Trump e bëri ekonominë strumbullarin e ambicies së tij për ta “bërë Amerikën përsëri të madhe”. Masat proteksioniste, ashpërsia e migracionit, riindustrializimi: objektivi është ruajtja e fuqisë blerëse të amerikanëve.
Cilat pritet të jenë efektet në ekonominë globale? Platforma e propozuar e politikave të Presidentit Trump – qoftë mbi tregtinë, imigracionin, politikat fiskale apo rregullatore, dhe qëndrimi i tij ndaj Fed – përfaqëson një spostim nga drejtimi i politikës së administratës Biden. Nëse zbatohet në tërësi, mund të ketë një ndikim të thellë në perspektivën e rritjes dhe inflacionit dhe në tregjet në Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës.
Tregjet financiare botërore reaguan me një rritje të fortë, e karakterizuar nga një rritje e indekseve kryesore amerikane dhe një rritje e aksioneve të kompanive të perceptuara si përfituese të politikës së tij ekonomike. Analistët presin që politika e re ekonomike e Trump të përfshijë masa proteksioniste, derregullime e lehtësime të konsiderueshme dhe ulje taksash, të cilat mund t’i japin një shtysë pozitive ekonomisë amerikane. Ekipi i Trump gjithashtu planifikon të lehtësojë barrën në tregun financiar, veçanërisht në favor të sektorit bankar: aksionet e Goldman Sachs dhe JPMorgan u rritën ndjeshëm, secila me më shumë se 10%, Goldman Sachs deri në 17%. TESLA, CEO i së cilës Elon Musk mbështeti vazhdimisht Trump-in, gjithashtu u rrit me më shumë se 13%. Kompania TMTG, e cila operon platformën Truth Social e themeluar nga Trump, gjithashtu konkludoi me një rritje deri në 35%.
Këto zhvillime reflektojnë pritshmëritë e rritjes, por edhe sfidat për ekonominë globale, pasi tregjet do tentojnë të balancojnë përfitimet e stimulit fiskal kundrejt rreziqeve të rritjes së inflacionit dhe rritjes së borxhit. Donald Trump gjatë gjithë fushatës së tij elektorale promovoi një politikë ekonomike me theks proteksionist, me taksa të ulëta dhe tarifa të larta mbi importet, të cilat pritet të ndikojnë direkt e indirekt në tregje. Bizneset dhe kompanitë e vogla amerikane duken të fituar nga kjo tendencë politike; ndërkohë, sektorë të tillë si energjia e gjelbër dhe vecanërisht stoqet kineze pësuan humbje. Forca e dollarit në rritje shkakton dobësim të monedhës euro dhe dëmton eksportet evropiane, ndërkohë që edhe yield-et e thesarit amerikan u rritën, duke sinjalizuar presione inflacioniste në një periudhë të afërt. Kompanitë e naftës dhe gazit mund të përfitojnë nga ndjenja pozitive afatshkurtër e krijuar nga programi “Drill Baby Drill”.
Edhe nëse Presidenca e ardhshme Trump zbaton vetëm një pjesë të premtimeve të tij elektorale, presioni mbi financat publike, inflacioni, rritja ekonomike dhe normat e interesit do të ndihen në çdo cep të planetit. E thënë shkurt, Amerika e parashikuar e Trump-it është që motor i tregjeve botërore të aksioneve wall Street-i që ecën mirë, bitcoin i shtrenjtë, dollar i fortë dhe naftë më e lirë.
Një element kyç i këtij reagimi është edhe perspektiva e masave të derregullimit që do të ndihmonte të përfitonin sektori bankar tregjet e teknollogjisë. Aksionet e Trump Media dhe ato të kompanive pranë Trump, duke përfshirë Tesla-n dhe bankat kryesore amerikane si JPMorgan dhe Bank of America, fituan ndjeshëm. Yield-i i thesarit 10-vjeçar u rrit në 4.4%, niveli më i lartë në muajt e fundit. Indeksi i dollarit amerikan fitoi 1.7% kundrejt një shporte valutash, duke u forcuar veçanërisht ndaj euros, pesos meksikane dhe monedhave të tjera të ndjeshme ndaj tregtisë në tregjet në zhvillim. Indeksi S&P 500 u rrit me më shumë se 2.5%, ndërsa indeksi Russell 2000 që përfaqëson kompanitë me kapital të vogël/mesatar regjistroi një rritje prej 5.8%, duke treguar besim te bizneset e vogla dhe të mesme që mund të përfitojnë nga politikat e masat derregulluese të premtuara. Qëndrimi proteksionist i Trump-it pritet të ndihmojë prodhuesit vendas, pasi tarifat më të larta mbi importet rrisin kostot për konkurrentët e huaj, duke i dhënë kompanive të vogla amerikane një avantazh konkurrues.
Ndërkohë, aktivet kineze të tregtuara në tregjet në off shore morën goditje, me indeksin Hang Seng që humbi më shumë se 2% dhe CNH/USD u zhvlerësua me 1.2% dhe BYD, prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në Kinë, pa rënie të aksioneve me 3.6 për qind.
Në Evropë, tregjet e aksioneve përfituan nga situata pozitive në Shtetet e Bashkuara, në disa sektorë si energjia dhe lëndët e para. Megjithatë, forcimi i dollarit, i cili ka arritur nivelin më të lartë që prej verës së shkuar, ka krijuar shqetësime për kostot e importit për shumë kompani evropiane. Dollari i fortë mund të pengojë konkurrencën e eksporteve evropiane, ndërkohë që favorizon kompanitë amerikane që përfitojnë nga një monedhë e qëndrueshme e mbështetur nga politikat e mundshme tarifore. Mbiçmimi i monedhës së gjelbër po ndikon negativisht edhe në çmimet e naftës bruto dhe në çmimin e arit.
Mjaft paqartësi e hamëndësime mbeten në lidhje me rolin që duhet të luajë Fed, që pritet të jetë në një pozicion pak më delikat me rritjen e mundshme të inflacionit, dhe që do t’i duhet të veprojë midis një politike buxhetore agresive dhe evolucioni i normave të interesit duke u detyruar të ngadalësojë ciklin e rritjes së normës bazë të interesit. Pritjet e tregut për inflacion më të lartë dhe për një Fed më të ashpër do të ishin pozitive për dollarin në afatin e afërt. Në sens të kundërt duket se po reagon çmimi i naftës, si efekt i një perspektive të rritjes së ofertës për shkak të synimeve të Presidentit Trump për kërkime e vënie në përdorim të rezervave të reja të naftës në SHBA. Megjithatë, mjaft ekspertë të tregjeve financiare dhe zhvillimit ekonomik vlerësojnë se në këto tendenca të reja të shfaqura e parashikuara ka ende elemente të një reagimi emocional “për ndryshimet e mëdha në tregjet financiare dhe ekonominë botërore që duhet të priten nga presidenca e re”.
Ajo që bie menjëherë në sy është dhe rritja e vlerës së kriptomonedhave, me çmimin e Bitcoin që këto ditë arriti në shifrat rekord të 82000 dollarëve. Qëndrueshmëria dhe rritja e vlerës së kriptomonedhave shpjegohet me një faktor thelbësor: Donald Trump ka thënë gjithmonë se është në favor të monedhave dixhitale, duke shmangur politikat, që synojnë kontrollin e rreptë të tyre. Ai ka theksuar “se duhet të mos pengohet rritja e këtyre teknologjive, të cilat nxisin inovacionin dhe konkurrencën ekonomike”. Gjatë fushatës së tij, Trump deklaroi mëse një herë se “synon që t’i jap fund luftës së Kamalës ndaj kriptovalutave”, duke sinjalizuar një mjedis rregullator më të favorshëm për asetet digjitale gjatë administratës së tij. Për më tepër, sipas Trump, kriptovalutat dhe blockchain ofrojnë mundësi për të përmirësuar efikasitetin e pagesave globale, për të ulur kostot e transaksionit dhe për të krijuar forma të reja kapitali. Promovimi i përdorimit të tyre, sipas ekspertëve, synon gjithashtu t’u japë investitorëve një klasë të re aktivesh për t’u marrë në konsideratë, duke rritur kështu likuiditetin dhe stimuluar ekonominë.
Investitorët duken se janë bërë më optimist duke besuar se vlera e aksioneve në bursë do të rritet si pasojë e pritshmërive që administrata e re e Presidentit Trump mund të miratojë politika specifike për të mbështetur biznesin, të tilla si shkurtimet e taksave, derregullimi, stimujt për rritjen ekonomike dhe stimujt e infrastrukturës. Ndërkohë që ka shqetësime edhe për politikat tregtare dhe proteksionizmin. Optimizmi i përgjithshëm për rritjen ekonomike dhe fitimet e korporatave po mbizotëron duke i rritur çmimet e aksioneve. Në fund të fundit, evidentojnë ekspertët, tregjet e aksioneve priren gjithmonë t’i përgjigjen pozitivisht situatave të stabilitetit politik dhe pritshmërive të politikave të favorshme për investimet.
Politika e presidentit të ri me ndikimin më të madh në ekonominë globale është ajo e tarifave. Si shtrirja ashtu edhe gjerësia e tarifave të shpallura gjatë zgjedhjeve janë më të mëdha se masat e marra në vitet 2018 dhe 2019. Lufta tregtare 2.0 mund të jetë më e dëmshme në shtrirje sesa lufta tregtare 1.0. Analizat e specializuara nga ekspertët e zhvillimit ekonomik dhe tregëtisë, tregojnë se tarifat totale prej 10%, me rrezikun e përgjigjeve apo reagimeve kaskadë, do t’i lënë të gjithë më keq. Një veprim i tillë mund të tensionojë marrëdhëniet ekonomike me Evropën.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme tregtare dhe investuese në botë, të cilat, në kulmin e tyre në vitin 2021, arritën në 1200 miliardë euro. Shqetësimi më i menjëhershëm ekonomik për Evropën ka të bëjë me tarifat. Donald Trump ka nisur idenë e zëvendësimit të taksës federale mbi të ardhurat me detyrime doganore të përgjithësuara që variojnë nga 10 në 20%. Rritja e tarifave doganore do të ndikojë drejtpërdrejt dhe indirekt në Evropë.
Ndikimi i drejtpërdrejtë do të jetë rritja e tarifave mbi eksportet evropiane në çdo gjë, nga çeliku tek automjetet, djathi dhe vera, me synimin për t’i bërë ato më pak konkurruese në tregjet amerikane. Edhe nëse tarifat nuk synojnë drejtpërdrejt produktet evropiane, kompanitë evropiane ende mund të vuajnë nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të aplikojnë sanksione ndaj produkteve që përdorin pjesë ose teknologji kineze.
Ndërsa tregjet amerikane morën një nxitje pozitive, tregjet evropiane u rënduan nga pasiguria. Në veçanti, prodhuesit gjermanë të automjeteve janë vënë nën presion, sepse Trump mund të vendosë tarifa ndëshkuese për importet nga Gjermania. Porsche, BMË, Mercedes dhe Volksëagen njohën një rënie të aksioneve përkatësisht me 6.5 për qind, 6.4 për qind, 5 për qind dhe 4.9 për qind, për shkak të frikës se politikat tregtare të Presidencës Trump mund të përkeqësojnë më tej rentabilitetin në një treg tashmë të vështirë për prodhuesit evropianë të automjeteve.
Megjithatë, disa kompani evropiane që operojnë në sferën e armatimeve dhe industrisë së luftës, mund të përfitojnë nga presidenca e Trump, ndërsa pritshmëritë rriten se Trump do vazhdojë të rrisë presionin ndaj vendeve të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB të tyre, ose, akoma edhe më tepër për shkak të situatës së komplikuar me disa konflikte të ashpra ushtarake në disa rajone të botës.
Por ndikimi më i madh pritet të jetë në kontinentin Aziatik, sidomos me Kinën që mendohet se do të mbajë barrën e taksës tarifore prej 60%. Gjatë fushatës, Donald Trump premtoi taksa importi prej 60% veçanërisht për produktet kineze dhe rritje prej 10% për pjesën tjetër të botës. Lufta tregtare e premtuar nga Donald Trump kundrejt Kinës gjithashtu rrezikon të rëndojë në dinamikën e rritjes globale, të nxitur nga Azia dhe Amerika. Azia tani kontribuon me 60% në këtë rritje, por rrezikon të penalizohet nga një përkeqësim i luftës tregtare, paralajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas FMN, Shtetet e Bashkuara janë një nga të vetmet vende të mëdha të përparuara që presin rritje mbi 2% vitin e ardhshëm, por sipas PIIE (Peterson Institute for International Economics), aplikimi i programit të ri të administratës Trump për PBB-së amerikane për periudhën 2027 – 2031, rrezikon të kushtojë më shumë se 2% në vit. Sipas Jamie Thomson, kreu i skenarëve makroekonomikë për Oxford Economics, “e gjithë kjo, mund të zvogëlojë rritjen globale me 0.75 pikë përqindjeje duke bërë që edhe tregtia globale të reduktohet me 3% deri në fund të dekadës”.