Nga Laura Sanders*
Edhe një javë pasi u ktheva nga Shqipëria, në mendjen time isha ende në Bjeshkët e Nemuna, një emër i përshtatshëm për karstet dramatike gëlqerore dhe pyjet e dendura të ahut, që qëndronin para meje.
Me skena që ngjasojnë me Andet peruane, ishte e vështirë të besohej se isha vetëm tre orë fluturim larg shtëpisë time në Mbretërinë e Bashkuar. Këto peizazhe të egra kanë pak shenja qytetërimi (pa llogaritur numrin në rritje të alpinistëve në Qafën e Valbonës).
Një detoks për jetën moderne, luginat janë të mbushura në mënyrë sporadike me kulla (shtëpi-ferma në veri të Shqipërisë), të cilat janë qindra vjeçare, ndoshta të njëjtat me ato ku ka kaluar edhe shkrimtarja e udhëtimeve viktoriane Edith Durham. Në udhëtimin e saj të vitit 1909, “High Albania”, ajo vuri në dukje se si “koha ndaloi” në Theth dhe fshatrat përreth.
Dikush mund të argumentojë se nuk ka ndryshuar shumë që atëherë, me disa përjashtime: ju mund të merrni një taksi Land Rover Defender në vend të një mushke; ka një grusht hotelesh pas një bumi të turizmit pas mijëvjeçarit dhe, fatmirësisht, Kulla e Ngujimit është thjesht një muze i kthyer ne atraksion turistik ditët e sotme, pasi gjakmarrja është tashmë një gjë e rrallë. Sigurisht, tani ka edhe ujë të nxehtë dhe Wi-Fi (përveç se nëse ka stuhi).
Fermat atje kanë kaluar brez pas brezi dhe për to kujdesen në mënyra tradicionale; familja me të cilën qëndrova ende i çon bagëtitë në kullotat verore në Theth dhe përsëri në ultësirë në Shkodër, për t’i shpëtuar dimrave të ashpër.
Shumë si ata, tani po hapin shtëpitë e paraardhësve të tyre për alpinistët, duke ofruar një shkëmbim kulturor të çmuar, ushqim të gatuar në shtëpi nga ferma në tryezë dhe bukuri gjithëpërfshirëse.
Por edhe në vitin 2024, Thethi dhe Valbona janë relativisht të shkëputur nga bota e jashtme; atje vetëm kohët e fundit u shtruan disa nga rrugët dhe është më shpejt të ecësh në kalimin mes të dyjave, sesa të ngasësh makinën.
Bota natyrore mbetet edhe më e pandryshuar. Pjesë të mëdha të pyjeve janë aq të paprekshme sa konsiderohen të lashta, veçanërisht afër kufirit me Kosovën, ku ka pemë që mendohet të jenë më shumë se 350 vjeçare. Ndërsa ngjitesha në Qafën e Valbonës (1800 m mbi nivelin e detit), hodha sytë poshtë lumit të Valbonës. Një vijë e thjeshtë përmes fushës, që përmbytet në qershor, është një nga lumenjtë më të pastër të Europës.
Megjithatë, pretendimi përfundimtar i Shqipërisë për të qenë kufiri i egër i fundit i Europës është Vjosa e fuqishme, lumi i fundit krejtësisht i paprekur i kontinentit, jashtë Rusisë. Ndonëse një pjesë e tij përshkon Greqinë, shumica kalon nëpër Shqipëri, ku u bë lumi i parë që u caktua park kombëtar në vitin 2023 për ta mbrojtur atë.
Shtatëdhjetë e pesë për qind e Shqipërisë përbëhet nga këto peizazhe më të mëdha dhe ndërkohë që mund të cilësohen si destinacioni i përballueshëm, dashamirësit e plazhit po humbasin shumë ndërkohë që shkojnë në bregdet.
Në vend të kësaj, shkoni në Tiranë dhe në veri. Brenda pak minutash nga aeroporti, ju po kaloni me makinë nëpër kullota, pemishte, barinj që kullosin delet dhe male të mjegullta përgjatë horizontit.
Ndaloni për të admiruar peisazhin te Mrizi i Zanave, një restorant i vlerësuar me çmime ku vendasit dynden gjatë fundjavave. Bëni një turne falas në dyqanet e tyre të verës dhe djathit dhe mësoni se si ata prodhojnë ushqimin e tyre. Nuk ka menu; do t’ju shërbehet çfarëdo që është në sezon.
Vazhdoni për dy deri në tre orë të tjera për në Shkodër, emri i liqenit më të madh të Europës Jugore, i cili lulëzon në kufirin me Malin e Zi. I njohur si qyteti i çiklizmit në Shqipëri, Shkodra është një bazë e përkryer për të eksploruar liqenin dhe Alpet Shqiptare.
Pak më vonë, vazhdova të lahesha në ujin freskues në resortin e Liqenit të Shkodrës, ku, pas një zhytjeje në perëndim të diellit, e kalova duke parë Malin e Zi në bregun tjetër.
Bukuria e liqenit ka tërhequr prej kohësh turistët gjermanë, por pjesa më e madhe e Europës Perëndimore ende nuk është në dijeni të bukurisë së fshehur të Shqipërisë së Veriut. Të zgjoheshe dhe të shikoje Bjeshkët e Nemuna në njërën anë dhe kufirin malazez nga ana tjetër, ishte magjike. Udhëtimi i ngadaltë është mënyra më e mirë.
Ndërsa turizmi rritet, shpresoj vetëm që Shqipëria të mbetet e egër në zemër. / Independent UK
*Laura është një gazetare e pavarur, shkrimtare e udhëtimeve. Ajo shkruan dhe ndan këshilla dhe rekomandime për udhëtimet për media të mëdha, si “The Independent”, “The Telegraph”, Conde Nast Traveller, iNews etj. Në vitin 2021, Laura lancoi podcastin “True Travel” ku çdo javë interviston një të ftuar për aventurat e tyre unike dhe frymëzuese.