Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Shqiptarët gjithmonë kanë shfaqur dashuri për monedhat e huaja. Përpara viteve 2000, ishte dollari, preferenca ndaj të cilit u zëvendësua me euron, pas hedhjes në qarkullim të saj si monedhë fizike në janar të 2002-it. Gati 22 vite më pas, dashuria për euron jo vetëm vijon, por është në kulmet e saj.
Sot gjysma e ekonomisë sonë është e eurozizuar. Thënë ndryshe, 50% përdorin euron si monedhë në pagesa, pavarësisht se monedha zyrtare është leku.
Por cilët janë sektorët ku euro përdoret masivisht?
Përvoja e mjaft vendeve tregon se nivelet e larta të euroizimit janë pasoja të kombinimit të disa faktorëve, ku përfshihen: krizat ekonomike dhe financiare dhe mungesa e besimit në monedhën vendase; diferenca midis normës së interesit të euro-s dhe normës së interesit të lekut, është shtysa kryesore që çon në kreditimin në monedhë të huaj; tregu i punës përbën një faktor të rëndësishëm, ku niveli lartë i papunësisë në Shqipëri ka sjellë emigrimin në vendet që përdorin euron, duke i dhënë dërgesave të emigrantëve një rëndësi të lartë si burim i të ardhurave në vend.
Politikat e gabuara makroekonomike dhe përjetimi i periudhave me inflacion të lartë apo deflacion; lidhjet e ngushta ekonomike dhe financiare me pole të rëndësishme ekonomike të monedhës së huaj, sic është numri i lartë i bankave që bankën “mëmë” e kanë në një nga vendet e Bashkimit europian dhe që ka nxitur përdorimin e euros.
Gjithashtu, edhe integrimi tregtar luan rol të rëndësishëm në përdorimin e euros në vendet kandidate, siç është Shqipëria.
Përballë një situatë të tillë dhe përdorimit masivisht të euros në ekonominë shqiptare, cilat janë risqet?
Rreziku kryesor është ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimi I euros është ai që po përjetojmë tashmë prej më se dy vitesh, ku monedha europiane ka humbur më shumë se 20% të vlerës së saj duke goditur kryesisht eksportuesit, por edhe familjes që marrin remitanca.
Risku i dytë është mungesa e transferimit të efekteve të politikës monetare, si në rastin e krizës së inflacionit, që sapo kaluam. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë ndikojnë vetëm gjysmën e ekonomisë që operon me lekun, duke lënë jashtë çdo impakti pjesën tjetër që përdor euron.
Kjo është edhe arsyeja që institucioni mbikëqyrës bankat i është rikthyer nismës së deuroizimit, thënë ndryshe uljes së përdorimit të euros në ekonomi, një nismë e ndërmarrë që në vitin 2017, por pa sukses.