Rritja e nomës bazë të interesit për lekun, politikë e ndjekur tashmë prej dy vitesh nga Banka e Shqipërisë në përpjekje për të mbajtur nën kontroll inflacionin, është materializuar në aktivitetin kreditues dhe depozitues. Banka Qendrore raporton se interesat e kredive janë rritur, ndërsa ato të depozitave janë ulur.
Sipas Raportit të Politikës Monetare, interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit rezultoi 6.6%, duke regjistruar një rritje margjinale nga tremujori i katërt i vitit 2023. Rritja e interesave të kredisë për biznese në këtë tremujor është vërejtur kryesisht tek kreditë e vogla (shuma deri në 35 mln lekë), të cilat jepen për biznesin e vogël e të mesëm, e më pak tek kreditë e mëdha.
“Që prej fillimit të ciklit normalizues të politikës monetare, norma e interesit të kredisë për biznese është rritur me 1.0 pikë përqindje. Interesi mesatar i kredisë hipotekare për individë rezultoi më i lartë në këtë tremujor, në 4.3%, nga 4.0% që ishte në tremujorin paraardhës. Ndërkohë, interesi i kredisë konsumatore qëndroi thuajse i pandryshuar nga tremujori i kaluar, në 9.7%. Këto norma interesi janë rritur me përkatësisht 0.8 pikë përqindje dhe 1.4 pikë përqindje kundrejt niveleve mesatare të tyre përpara rritjes së normës bazë (viti 2021)”, theksohet në raport.
Interesat e kredisë së re në euro për bizneset shënuan rritje të mëtejshme në tremujorin e parë të vitit 2024, mesatarisht në 7.0%, nga 6.8% në tremujorin e katërt të vitit 2023 dhe nga 5.4% një vit më parë. Në mënyrë të ngjashme, edhe interesi i kredisë për blerje banese për individë vijoi rritjen, duke rezultuar 5.5% nga 5.0% që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe nga 3.6% një vit më parë.
Rritja më e ngadaltë e interesave të kredive në lekë kundrejt atyre në euro ka çuar në diferenca negative mes tyre. Ky fenomen u vërejt fillimisht te kreditë hipotekare në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, dhe më pas tek kreditë për biznese, në tremujorin e katërt. Në tremujorin e parë të vitit 2024, normat e interesit për kreditë në lekë janë rreth 0.3 për qind dhe 0.9 për qind, më të ulëta krahasuar me interesat në euro për bizneset dhe për kreditë hipotekare të individëve.
“Ky zhvillim ka orientuar gjithnjë e më shumë kërkesën për kredi në monedhë vendase, duke reduktuar rrezikun e kredisë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit dhe duke zgjeruar sferën e ndikimit të politikës monetare. Interesat për depozitat me afat vijojnë të mbeten në nivele të ulëta. Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë rezultoi 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2024, duke ruajtur nivelin mesatar të regjistruar në tremujorin e mëparshëm”, vlerësohet në raportin e BSH-së.
Interesi i depozitave me afat deri në një vit ka vijuar rritjen graduale, ndërkohë që në këtë tremujor vërehet për herë të parë, që pas fillimit të ciklit normalizues të politikës monetare, rënie e normës së interesit të depozitave me afat maturimi më të lartë. Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në euro mbeti gjithashtu i pandryshuar në këtë tremujor në 1.1%.
Edhe tek depozitat në euro vërehen sinjale për rënie të normës së depozitave me afate të gjata maturimi, duke reflektuar pritjet e tregut për mosrritje të normave bazë apo edhe rënie të tyre në të ardhmen. Diferenca mes interesit të depozitave në lekë dhe atyre në euro ka mbetur e qëndrueshme pranë niveleve mesatare të vitit të kaluar, prej 0.7 për qind.