Opinion nga Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës studimore Altax
Euro në këmbimin e saj me Lekun në fillimin e muajit Maj 2024 është zhvlerësuar mesatarisht me 3.7% nga fundi i vitit 2023. Nëse shikojmë kursin e këmbimit të Euros me Lekun, në fillimin e muajit Maj 2023 me fundin e vitit 2022, zhvlerësimi ishte 2.8%.
Nga ky krahasim shikojmë se Euro është zhvlerësuar më shumë në 4-mujorin e parë 2024 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Po çfarë e uli më tej këtë balancë të Euros me Lekun në 2024?
Në analizën e faktorëve ndikuesë për kursin e këmbimit ne do të tentojmë të përafrojmë të dhënat e tremujorit të parë 2024 me ato që ndikuan edhe në 2023 në zhvlerësimin e Euros, Dollarit amerikan dhe Paundit Britanik dhe në forcimin e Lekut shqiptar.
Në këtë logjikë të analizës së faktorëve të shumtë që ndikojnë në kursin e këmbimit po radhitim arsyet e bazuara në të dhënat e publikuara nga institucionet, sipas fushës së mbulimit të tyre.
- Sezoni i lulëzimit të turizmit në Shqipëri është pothuajse afër dhe falë Euros së dobët ky vit mund të jetë një kohë veçanërisht e jo aq e përballueshme për të parë personalisht çdo turist i huaj bukuritë dhe guzhinën spektakolare të natyrës dhe historisë së Shqipërisë.
Megjithatë, edhe pse qeveria dhe institucionet direkte për administrimin e politikave të mikpritjes nuk mund të premtojmë turma të vogla, rënia e monedhës nuk ka kaluar pa u vënë re, me vendin që mirëpriti 10.3 milionë vizitorë në vitin 2023, numri më i madh historik.
Tremujori i parë 2024 shënoi rekordin e radhës, në të cilin numri i vizitorëve të huaj tejkaloi nivelin e 1.54 milionë hyrjeve të vizitorëve të huaj apo 464 mijë vizitorë (+ 43.3%) më shumë nga tremujori parë 2023, ku 80% e tyre erdhën nga vendet fqinje, si dhe Italia dhe Greqia dhe pjesa tjetër nga Europa Lindore (4.5%), Evropa Perëndimore (5%) dhe pjesa tjetër (10.5%) erdhën nga Evropa Veriore, Linore , Afrika, Amerika, Azia dhe Lindja e Mesme.
Nëse llogaritim që në tremujorin e parë 2024 numri i qytetarëve shqiptarë tejkaloi nivelin e 1.75 milionë daljeve jashtë Shqipërisë, apo 361.7 mijë vizitorë (+ 25.9%) më shumë nga tremujori parë 2023, atëherë bilanci i hyrje-daljeve të të huajve dhe shqiptarëve është 102.7 mijë vizitorë.
Nisur nga bilanci i pagesave për tremujorin e parë 2023, prurjet e vizitorëve të huaj në ekonomi regjistruan një vlerë prej 624 milionë Euro. Në mungesë të të dhënave nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë 2024, në një bazë krahasuese të lidhur me numrin e rritur të vizitorëve prej 43.3% më shumë, llogaritja arrin në një hyrje të valutave kryesore deri në 900 milionë Euro.
Nisur nga bilanci i pagesave për tremujorin e parë 2023, daljet e valutave të huaja nga ekonomia regjistruan një vlerë prej 435 milionë Euro. Në mungesë të të dhënave nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë 2024, në një bazë krahasuese të lidhur me numrin e rritur të daljeve të shqiptarëve prej 25.9% më shumë, llogaritja arrin në një hyrje të valutave kryesore deri në 550 milionë Euro.
Diferenca e vlerave të hyra në ekonomi nga turistët dhe të vlerave të dala nga ekonomia shqiptare për tr.1 2024 krahasuar me tr.1 2023 është 350 milionë Euro.
Vini re! Efekti i hyrjeve të valutave nga vizitorët e huaj është me ndikim në zhvlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.
2. Bilanci tregtar i Shqipërisë në Tr.1 2024 rezulton me diferencë negative (eksporte minus importe) dhe është 113.7 miliardë lekë ( deri në 1.09 miliardë Euro). Në tremujorin e parë 2023, deficiti tregtar i Shqipërisë ishte 85.7 miliardë lekë (deri në 790 milionë Euro). Kjo diferencë tregon se Eurot (1.09 miliardë në 2024 dhe 790 milionë në 2023) kanë mbetur në ekonomitë e vendeve nga ku kanë importuar bizneset shqiptare. Ndikimi kryesor vjen nga rënia e vlerës së eksporteve shqiptare, që japin efektin e tyre edhe në rënien e konsumit.
Ndryshimi i vlerave të deficiteve tregtare për tr.1 2024 me tr.1 2023 është 300 milionë Euro.
Vini re! Efekti i daljeve të valutave nga vendi për importet është me ndikim në vlerësimin e kursit të të valutave të huaja.
3. Remitancat në tremujorin e parë 2023 ishin në vlerën 214 milionë Euro. Në mungesë të të dhënave nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë 2024, në një bazë krahasuese të lidhur me një ndikim të pandjeshëm në krahasim me 2023, llogaritja jonë nuk kalon më shumë se viti 2023 dhe mbetet që remitancat për tr.1 2024 të jenë në nivelet e tr.1 të vitit 2023.
Vini re! Efekti i hyrjeve të valutave në vend nga dërguesit jashtë Shqipërisë është me ndikim në zhvlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.
4. Investimet e huaja në tremujorin e parë 2023 ishin në vlerën e 308 milionë Euro. Në mungesë të të dhënave nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë 2024, si dhe me një bazë krahasuese të lidhur me një rritje të pandjeshme në krahasim me 2023, llogaritja jonë nuk kalon më shumë se viti 2023 dhe mbetet që ato të jenë rreth asaj vlere. Arsyeja kryesore janë tërheqja e SHELL nga parashikimi për investime të reja, si dhe një stabilitet në kërkesën për pasuri të paluajtshme gjatë 2024.
Nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje në qarkullim të parasë fizike jashtë bankave edhe gjatë 2024 ndikon në vendimet e investitorëve seriozë për të investuar në sektorë të tjerë.
Edhe performanca ekonomike e Shqipërisë edhe pse rezistente ndaj krizave të viteve të fundit, e krahasuar gjithmonë me fqinjët e saj nuk e ka qëndrueshmërinë në kohë për të bindur investitorët e mëdhenj të investojnë kapitalin e tyre.
Vini re! Efekti i hyrjeve të valutave në vend nga investimet e huaja është me ndikim në zhvlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.
5. Borxhi publik në nivelin që paraqitej në fund të tremujorit të parë 2023 ishte 1.38 triliard lekë dhe më i ulët se tremujori paraardhës me – 1.62 miliard lekë. Në fundin e tremujorit të parë 2024, borxhi publik ishte 1.36 triliard lekë dhe është më i ulët se tremujori paraardhës -5.65 miliard lekë.
Nëse vlerësojmë ndikimin e tyre në fund të tremujorit të parë 2024 ne kuptojmë se është më i vogël në krahasim me fundin e tremujorit të parë 2023.
Pra mosmarrja e një borxhi të ri nga tregjet e huaja është tregues pozitiv për dobësimin e Lekut dhe vlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.
6. Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 3 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 130.4 miliardë lekë (deri në 1.25 miliardë Euro) me një realizim në masën 96 përqind të planit të periudhës. Ndërsa, i krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 4.1 përqind më i lartë ose rreth 5.1 miliardë lekë më shumë.
Efekti shtesë në Tr.1 2024 nga Tr.1 2023 është deri në 49 milionë Euro.
Vini re! Efekti i realizimit të shpenzimeve publike (paga, shpenzime operative dhe investime) është me ndikim në vlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja, pasi forcohet oferta e Lekut.
7. Norma e interesit të kreditimit të ekonomisë për tremujorin e parë 2024 mbeti në nivelet e vitit 2023, me 3.25%.
Në krahasim me Tr.1 në vitin 2023 duket se ka pak ndryshim në drejtim të normës së interesit të kreditimit të ekonomisë, ndërkohë që dukshëm kjo rritje e normës së interesit vitit 2023 e ka tkurrur kreditimin e ekonomisë dhe individëve.
Vini re! Efekti i rënies së kreditimit nga sistemi financiar është me ndikim në vlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja, pasi forcohet oferta e Lekut.
Në një përmbledhje të faktorëve ndikuesë për tremujorin e parë 2024 të krahasuar me tremujorin e parë 2023, kuptojmë se:
- efekti neto nga turizmi është me ndikim në zhvlerësimin e Euros dhe valutave të tjera, por i amortizuar në masë të madhe nga efekti i bilancit tregtar negativ. Efekti nga shpenzimet publike jep ndikim në dobësimin e Lekut duke amortizuar plotësisht edhe ato ndikime nga faktori i turizmit.
- efekti nga remitancat dhe investimet e huaja nuk janë me ndikim në zhvlerësimin e Euros, pasi efekti i tyre amortizohet nga mosmarrja e një borxhi të ri, pra nuk ka hyrje të re të Euros.
Nga analizimi i faktorëve ndikuesë në zhvlerësim apo vlerësim të kursit të këmbimit shihet se nuk janë faktorët e ekonomisë formale dhe zhvillimeve të saj. Ndikimet kryesore në rënien e Euros me të paktën 3.8% të vlerës së saj nga fundi i vitit 2023 (për 4-muajt e parë të vitit 2024) është një ndikim që vjen prej faktorëve informalë.
Paqëndrueshmëria e çmimeve e shkaktuar nga paraja informale (e zezë) në sistemin financiar po ndikon në besueshmërinë e ekonomisë, ku sipërmarrësit racionalë investojnë kryesisht te pasuritë e paluajtshme të vendit, që përbëjnë ¼ e investimeve të huaja, pasi kanë marrë parasysh rrezikun e vendit në investime në sektorë të tjerë.