NGA AKADEMIK. PROF. ANASTAS ANGJELI
Po t’i kthehemi historisë pas Luftës së Dytë Botërore, në periudha të ndryshme, kanë shpërthyer konflikte rajonale dhe vatra lufte, edhe pse ato kishin ndikime të kontrolluara në aspektin ekonomik. Situata e sotme është e ndryshme. Jemi përballë tri vatrave lufte shumë të nxehta (lufta Rusi-Ukrainë, lufta Izrael-Gaza, sulmi Iran-Izrael dhe reagimet e pritshme), të cilat duket se jo vetëm po kërcënojnë paqen globale, por kanë shkaktuar kriza ekonomike e financiare, me efektin domino dhe që kanë dhe po çojnë në ndryshime jo vetëm gjeopolitike dhe gjeoekonomike, duke vështirësuar edhe parashikimet e zhvillimeve të ekonomisë botërore.
Kujtojmë krizën, pasojat dhe ndryshimet që solli kriza e koronavirusit, pastaj ajo e luftës Rusi –Ukrainë, që solli një krizë të thelle ekonomike e financiare, me ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, kriza ushqimore, (e drithërave), rritja e çmimit të energjisë, naftës dhe e efekti domino i saj, kriza e inflacionit etj.. Dhe kur mendohej se edhe pse lufta Rusi-Ukrainë vazhdon, kriza e çmimeve dhe e inflacionit po shkonte drejt stabilizimit, një vatër e re, lufta IzraelGaza dhe tashme ajo Iran–Izrael po tërheq vëmendjen, se një krizë e re ekonomie, financiare dhe e çmimeve mund të rishfaqet. Treguesi më i dukshëm është fillimi i rritjes së menjëhershme të çmimit të naftës.
Dhe është e natyrshme se vatrat e hapura të luftës kanë qenë dhe janë të lidhura jo vetëm me faktorë të tjerë të njohur, por gjithnjë kanë pasur dhe interesa të mëdha ekonomike, veçanërisht për burimet energjetike. Dhe jo vetëm ato. Por, sa herë që shpërthejnë vatra lufte rajonale, shpërthejnë edhe konflikte, edhe zhvillime në treg e mbi të gjitha analizohen parametrat e tri mallrave bazë naftës, arit dhe dollarit amerikan. Të gjithë që përpiqen të bëjnë parashikime në këto tre elemente, në fakt nuk japin numra, por intervale numrash, sepse e dinë shumë mirë që tregu edhe pse është shumë i monitoruar dhe i studiuar, mbetet gjithmonë i paparashikueshëm.
Pavarësisht nga kjo, në të gjitha analizat dhe botimet e fundit ekonomike prestigjioze kemi diskutime alternative dhe parashikime progresive dhe regresive për ecurinë e këtyre produkteve. Por këtu do të mundohemi t’u japim përgjigje pyetjeve që kanë të bëjnë me parashikimet për rritjen e çmimit të naftës, ndikimin që mund të sjellin në rritjen e çmimeve të tjera. A do rikthehet rritja e çmimeve dhe inflacionit për shkak të këtyre zhvillimeve? Cili duhet të jetë qëndrimi i politikës monetare etj.?
NJË VËSHTRIM MBI PARASHIKIMIN E ÇMIMIT TË NAFTËS PËR VITIN 2024
Parashikimet për ecurinë e shumë parametrave ekonomikë, ndër të cilët janë edhe çmimet e lëndëve energjetike, të monedhave, të arit dhe të përqindjes së interesit, janë pjesë e parashikimeve që ekspertët bëjnë për shumë tregues të zhvillimeve ekonomike në çdo fundviti dhe fillim të vitit pasardhës. Pas luftës Rusi Ukrainë dhe tashmë të zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, në qendër të vëmendjes është rivendosur çështja e çmimit të naftës. Për këtë duhet të kuptohen dy koncepte për llojet e naftës. “Brent” dhe “WTI” janë dy terma të përdorur për të treguar dy lloje të naftës dhe standardet përkatëse që ndjekin trendin e çmimit të naftës bruto. Për të dy indekset vlera e referencës është kostoja e naftës për fuçi.
“Brent” është indeksi i referencës për Lindjen e Mesme, Evropën dhe Afrikën, ndërsa “WTI” (West Texas Intermediate) është një përzierje e llojeve të ndryshme të naftës që nxirret në Shtetet e Bashkuara, prandaj përfaqëson tregun amerikan. Vërtet të ndara si koncepte, por shumë të integruara si ndikime dhe të gjithë njohësit e fushës i tregojnë këto si dy ene komunikuese.
Parashikimet për çmimin e naftës në vitin 2024 u përllogariten nga ekspertët më të mirë të institucioneve prestigjioze në botë, bazuar në faktorë të ndryshëm si ecuria aktuale e konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, sanksionet e lidhura me të nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe mbledhjet periodike të organizatave si (OPEC+) etj.. Në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar, anëtarët e OPEC+ u takuan për të diskutuar ndryshimet e mundshme në prodhimin kolektiv. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e saj ranë dakord të reduktojnë prodhimin e “arit të zi” me një vlerë totale prej rreth 2.2 milionë fuçi. Këto shkurtime, të cilat sot duken larg realitetit, mund të përkeqësoheshin më tej në rast të një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Iranit, prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë. Në këtë periudhë, kjo ngjarje ishte parashikuar, por propabiliteti që të ndodhte nga vetë anëtarët konsiderohej jo i lartë, megjithatë ishte një nga faktorët kryesorë që duhej të merrej parasysh. Në rast se do të ndodhte diçka e tillë dhe nëse vendi hynte në konflikt, vendet e (OPEC+) parashikonin një tronditje serioze të furnizimit me naftë me ndikim të madh në tregun botëror.
Sipas “Goldman Sachs”, nëse Irani nuk do të hynte në lojë, disponueshmëria totale globale do të reduktohej me rreth 20%. Pavarësisht kësaj, megjithatë, ekspertët e këtij institucioni mendonin se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit nuk do të kishte një ndikim të rëndësishëm në çmimin e naftës. Por, një nga parashikimet më të përhapura për çmimin e naftës për vitin 2024 është se çmimi do të rritet. Disa analistë e parashikonin atë edhe pa filluar reagimi i Iranit në një kthim të shpejtë në 90 dollarë për fuçi. “Goldman Sachs”, në korrik të vitit 2024 duke përdorur modelet e saj të parashikimit, priste që çmimi i Brent të stabilizohej rreth 95 dollarë për fuçi.
Vlerësimi i “JP Morgan” është pak më optimist për çmimin e naftës në vitin 2024. Disa muaj më parë “JP Morgan” pohoi se çmimi i Brent nuk do të arrinte kurrë 100 dollarë për fuçi, duke përjashtuar ngjarjet e jashtëzakonshme gjeopolitike që, për fat të keq, megjithatë kanë ndodhur. Pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme, parashikimet e “JP Morgan” për çmimin e Brent rezultuan deri tashti të jenë më të sakta se “Goldman Sachs”.
Sipas një nga eksperteve nga më të specializuara në parashikimin e çmimit të naftës, Natasha Kaneva, drejtuese e kërkimit material global për kompanitë shumëkombëshe, çmimi i naftës do të mbetet i qëndrueshëm në 83 dollarë për fuçi dhe më pas do të bjerë në vitin 2025. Kjo e parashikoi këtë çmim në dhjetor të vitit 2023 dhe u vërtetua deri në shkurt të këtij viti. Por…
Sipas vlerësimeve të fundit të publikuara nga Banka e Amerikës, nafta e papërpunuar Brent do të mbetet e qëndrueshme në vitin 2024, pavarësisht faktit se OPEC+ ka reduktuar ofertën globale që nga viti 2022 dhe ka të ngjarë të vazhdojë ta bëjë këtë vitin e ardhshëm. Francisco Blanch, kreu i sektorit të studimit të çmimeve të mallrave dhe derivateve BoA, pret një çmim Brent prej 90 dollarë për fuçi dhe atë të WTI të qëndrueshme në 86 dollarë, duke u mbajtur si parashikues shumë më i saktë se shumë institucione të tjera ndërkombëtare.
Së fundmi në një intervistë të nëntorit të vitit 2023, Edward L. Morse, i Citi BANK priste që nafta Brent të përfundonte vitin 2023 me 76 dollarë për fuçi. Morse nënvizoi paqëndrueshmërinë e mundshme të tregjeve të energjisë për shkak të paqëndrueshmërisë politike të disa prodhuesve si Irani, Iraku, Nigeria, Libia dhe Venezuela dhe rëndësinë e shqyrtimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
Këto ishin disa nga parashikimet më serioze që u bënë për çmimin e naftës në fund të vitit të kaluar dhe që të gjithë studiuesit e sotëm i konsiderojnë të vlefshme për analizat e situatës aktuale.
EFEKTET E KONFLIKTEVE RAJONALE NË ÇMIMIN AKTUAL TË NAFTËS
Çmimi i naftës së papërpunuar WTI mund të rizgjohet këtë javë me një shtytje vendimtare në rritje të shkaktuar nga përkeqësimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, drejt niveleve më të larta të kohëve të fundit prej 87.5 dollarë për fuçi dhe çmimi i naftës bruto WTI mund të rritet sërish pas mbylljes së fundit javore (java e dytë e prillit). Gjithçka do të varet nga reagimi i tregut në hapjen e bursës në javën e ardhshme, pas një mundësie reale të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pas “Hakmarrjes Iraniane” në përgjigje të sulmit të mëparshëm izraelit në Siri.
Sipas analizës teknike të bërë me të dhënat, deri më datë 15 prill 2024, mendohet se është e qartë se shtytja rritëse mund të arrijë rezistencën e ndërmjetme prej 87.5 dollarë për fuçi dhe më pas objektivin e 88 dollarëve. Me tejkalimin e këtij niveli, në varësi të zhvillimeve, një kthim drejt çmimit prej 90 dollarë për fuçi as që do të na befasonte. Kjo është bazuar në analizat teknike e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare dhe analiza e statusit dhe tendencës së këtij fenomeni.
Këto analiza na lejojnë të gjykojmë se sa çmimi i naftës do të kushtëzohet nga nivelet e spekulimit dhe sa nga kërkesa dhe ofertat në treg. Të gjithë specialistet pranojnë se ende tregu i naftës nuk është kthyer në një treg spekulatorësh, por më shumë investitorësh dhe për pasojë rritjen e çmimit përveç uljes së sasive e lidhin me elemente të kostove shtesë që ka produkti. Kostoja kryesore shkesë është ajo e transportit. Nëse vendet perëndimore do të ruajnë dhe garantojnë transportin në rugët klasike ku kalon 80% e naftës, personalisht mendoj se çmimi i naftës do të stabilizohet tek 90 euro për fuçi në muajt e ardhshëm.
Meqenëse në tregun shqiptar veprimet në bursë janë të kufizuara dhe pothuajse inegzistente, vështirë se njerëzit dallojnë dot si konceptin e investitorit nga ai i spekulatorit. Spekulatori do ndryshime sa më të shpeshta dhe sa më të mëdha të çmimit të një produkti, sepse nga kjo fiton, ndërsa investitori kërkon stabilitet dhe rrjedhje normale të çmimeve mbi bazën e kostove. Aktualisht deri tashti vihet re se tregu i ka absorbuar më parë efektet e luftërave rajonale dhe ka marrë masa për të mos lënë spekulatorët t’i përdorin ato për përfitime të rastësishme. Sigurisht që nuk ka treg ku nuk funksionojnë spekulatorët, por gjendja e energjetike dhe mbi të gjitha çmimet e naftës kanë nga prapa edhe shtete që mundohen t’i kontrollojnë ato.
Ja një paralelizëm edhe me tregun e arit. Të gjithë e dimë së në raste pasigurie (lufte) të gjithë drejtohen te metalet e sigurta dhe të gjithë drejtohen nga ari. Edhe dy ditët e fundit ari nuk po kalon dot stekën e 1300 dollarëve për onc, gjë që tregon se deri më sot tregjet kanë absornuar efektin e luftërave lokale dhe reagimin e Iranit.
Këto parashikime, bazuar në studime dhe parashikime të studiuesve dhe e institucioneve më prestigjioze te çështjeve të naftës dhe çmimeve të saj nuk duhet të ulin “vigjilencën” e politikave ekonomike e financiare, veçanërisht të politikës monetare përballe të papriturave që mund të sjellin zhvillimet në Lindjen e Mesme, zgjerimit të konfliktit në këtë rajon, lidhjen e ngushtë me tregjet e naftës, efektet domino dhe rritjen e ndikimit të jashtëm në ekonominë tonë. Të panjohurat dhe risqet që mund të shfaqen, kërkojnë vëmendje, vigjilencë dhe gatishmëri për reagim.