Nëse pranoni shumë reagime, ju mund të përfundoni me një produkt në të cilin keni shpenzuar më shumë kohë se sa është dashur për të ardhura të vogla.
Varësisht se ku dëshironi të përfundoni në treg, është e rëndësishme që të synoni për një produkt me vlera të larta. Njerëzit duhet të dinë se ju kujdeseni për nevojat dhe dëshirat e tyre dhe se produkti juaj po zgjidh problemet e tyre. Por, nëse pranoni shumë reagime, do të përfundoni me të kundërtën: një produkt me peshë të rëndë në të cilin keni shpenzuar shumë kohë për pak të ardhura.
Konsumatorët shpesh provojnë të më bindin që të ndërtoj gjëra për platformën time Chattypeople e cila do të marrë shumë kohë dhe do të ketë pak vlera. Mua më është dashur të marr vendime të rënda që të injoroj disa reagime të konsumatorëve që të fokusoj kohën time në tipare të vlefshme të produktit. Nëse dëshironi të krijoni një produkt me vlerë, bëni prioritet tiparet me vlerë, dhe zgjidhni me kujdes se çfarë reagime pranoni.
Këtu janë disa këshilla të cilat i kam mbledhur që të ju ndihmoj të krijoni një produkt me vlerë duke injoruar audiencën:
A mund ta bëni lehtë dhe shpejtë?
Nëse përdoruesit tuaj kërkojnë diçka e cila bëhet lehtë, nuk merr shumë kohë për t’u krijuar dhe nga e cila përfiton një audiencë e gjerë, shpesh ia vlen të shikoni këtë mundësi. Por, nëse kërkesa e përdoruesit është për një fushë specifike dhe merr kohë të gjatë për t’u krijuar, kam më pak gjasa t’a bëj atë. Kjo do të thotë të dilni nga ky territor për shkak se është e vështirë të shkallëzoheni.
Ju e njihni produktin tuaj më së miri.
Më pëlqen thënia e cila thotë, ‘’Nëse Henry Ford do i kishte pyetur konsumatorët e tij se çfarë dëshirojnë, ata do të dëshironin kuaj më të shpejtë’’. Një pjesë e punës tuaj si ndërmarrës është të dini se konsumatorët nuk mund të shohin atë që është e mundur, dhe nuk shohin horizontin e menjëhershëm të problemit të tyre.
Dini se ku do të përfundoni
Unë iu kam thënë shumë bizneseve fillestare dhe ndërmarrësve se duhet të kenë një vizion për qëllimin final të produktit që e prodhojnë. Qëllimi juaj final do të informojë çdo ndërrim të produktit që vendosni të bëni, dhe si secili mund të ju devijojë nga produkti që e ndërtoni. A jeni ende në rrugë, apo duhet të bëni ndryshime? Nëse qëllimi juaj final është një makinë, por produkti juaj i parë është një skateboard, ndërtimi i një motori ka kuptim, por bërja e tij rezistent ndaj ujit nuk ka kuptim. Rezistenca ndaj ujit nuk do ju afrojë me makinat. Sigurohuni se jeni të vetëdijshëm se çfarë do ju ndihmojë përgjatë rrugëtimit.
Dini vlerën tuaj
Një pyetje e rëndësishme që duhet të bëhet para se të pranoni reagimet e konsumatorëve është: A do të paguajë konsumatori për këtë? Nëse po, ia vlen koha dhe përpjekjet që do të bëni për të krijuar tipare të reja. Nëse përfshirja e reagimeve nuk do të zgjidhë një problem që është i nevojshëm për të mbajtur konsumatorët të lumtur, ose nëse nuk do të fitoni para, nuk ia vlen. Gjithashtu, a kanë konsumatorët mjaftueshëm probleme që të përdorin një tipar të ri të cilin po e kërkojnë? Merrni në konsideratë se mund të shpenzoni shumë kohë në diçka që askush nuk do ta përdorë.
Shikoni më shumë se sa dëgjoni
Vëzhgoni se çfarë bëjnë konsumatorët tuaj, jo atë që thonë se e duan. Fatkeqësisht, njerëzit shpesh thonë se duan gjëra por në fakt nuk i duan apo nuk kanë nevojë për to. Edhe nëse uleni me konsumatorët dhe dëgjoni reagimet e tyre, ata do t’ju japin sugjerime por nuk do t’i përdorin ato në fund. Në këtë rast, ka një program për të monitoruar sjelljet e konsumatorëve, të cilin sugjeroj fuqishëm që ta përdorni. Në këtë mënyrë e dini se ku po ndahen sjelljet dhe reagimet e konsumatorëve tuaj.
Sigurisht që ju dëshironi t’i dëgjoni konsumatorët tuaj. Por, kërkesat e mëdha mund të bëjnë më shumë dëm se sa të mira. Bëhuni të matur me kohën tuaj, mendoni se çfarë dëshironi të përmbushni, zgjidhni problemet që mundeni dhe shtoni ato që kanë më së shumti kuptim për kohën dhe paratë tuaja./Entrepreneur