Rritja e konsumit, si pasojë e sezonit turistik ka shtuar ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave ka njoftuar se të ardhurat totale për 6-mujorin e parë të këtij viti arritën 319.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 14.5%, ose 40.5 miliardë lekë më shumë.
Përmirësimi i rendimentit të të ardhurave erdhi nga ecuria e mirë e qershor, ku u arkëtuan 62 miliardë lekë, një nivel rekord mujor ky. Në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, rritja është shumë e lartë, prej gati 35%.
Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, nga 40.5 miliardë lekë që janë rritur të ardhurat në total për 6 mujorin, 8.9 miliardë lekë më shumë u mblodhën nga tatim fitimi; 6.2 miliardë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe 3.7 miliardë lekë nga TVSH (neto).
Pozitivisht kanë ndikuar dhe fitimet e rritura të bizneseve si dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Ndërkohë, të ardhurat në doganë mbeten të ulëta, të ndikuara nga rënia e çmimeve të mallrave të importuara.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 270.6 miliardë lekë, 24.9 miliardë ose 10.1% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 12 miliardë ose 4.6% më shumë se plani 6-mujor për vitin 2023.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 102.9 miliardë lekë, 77 milionë lekë ose 0.1% më pak se 6 mujori 2022, si dhe 2.7 miliardë lekë ose 2.6% më pak se plani i të ardhurave doganore për 6 mujorin e vitit 2023.
Të ardhurat nga TVSH në import për 6 mujorin rezultojnë 70.7 miliardë lekë, 1.8 miliardë lekë ose 2.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 1.5 miliardë ose 2% më pak se plani për 6 mujorin 2023.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 26.4 miliardë lekë, 2.2 miliardë lekë ose 9.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 675 milionë lekë ose 2.5% më pak se plani i akcizës për 6 mujorin 2023.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.5 miliardë lekë, 785 milionë ose 34% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 63.2% kundrejt planit për 6-mujorin 2023.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 4.2 miliardë lekë, 336 milionë lekë ose 8.6% më shumë se 6 mujori 2022, si dhe realizim në masën 107.9% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 6 mujorin 2023 u realizuan në masën 167.8 miliardë lekë, 25 miliardë ose 17.5% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar, si dhe 14.7 miliardë lekë, ose 9.6% më shumë se plani i 6 mujorit 2023.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 22.3 miliardë lekë, 3.7 miliardë ose 20% më shumë se 6 mujori 2022, si dhe 1.7 miliardë ose 8% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 6 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 6 mujore 2023 janë 9.1 miliardë lekë, 1.2 miliardë lekë ose 15.9% më shumë se 6 mujori 2022, si dhe 610 milionë lekë ose 7.2% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 6 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 33.8 miliardë lekë 8.9 miliardë lekë, ose 35.8% më shumë se 6 mujori 2022, si dhe 7.7 miliardë lekë ose 29.4% më shumë se plani i 6 mujorit të vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 27.8 miliardë lekë, 6.2 miliard lekë ose 28.6% më shumë se 6 mujori 2022, si dhe 3.9 miliardë ose 16.4% më shumë se plani i 6 mujorit 2023.
Taksat nacionale, për periudhën 6 mujore 2023 u realizuan në masën 17.6 miliardë lekë, 3.1 miliardë lekë ose 14.9% më pak se 6 mujori 2022, si dhe 4.2 miliardë lekë ose 19.2% më pak se plani i përcaktuar për 6 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 66.3 miliardë lekë, 9.2 miliardë lekë ose 16.2% më shumë se 6 mujori 2022, si dhe realizim 109.2% të planit për 6 mujorin 2023.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 6 mujore të vitit 2023, arritën në rreth 273.8 miliard LEK me një realizim në masën 91.3 për qind të planit të periudhës ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar ky zë ka rezultuar 3.6 për qind më i lartë ose rreth 9.6 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 6 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 39.2 për qind të planit vjetor.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 6 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 95.4 për qind dhe 78.2 për qind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 44.4 për qind dhe 24.8 për qind të tij.
Shpenzimet korente për periudhën 6 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 242.9 miliard lek, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.3 për qind më i lartë ose rreth 16.6 miliard lek më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 6 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 30.8 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 2.6 për qind më i lartë ose rreth 783 milionë LEK më shumë.
Niveli i sufiçitit për periudhën 5 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 36.2 miliard lek nga rreth 7 miliard lek suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 87.5 për qind më i lartë ose rreth 16.9 miliard LEK më shumë.