Që kur u prezantua ChatGPT në nëntor, kjo mini-industri ka sfiduar rënien që është vënë re në sektorin e teknologjisë në tërësi, shkruan The Economist. Pothuajse çdo javë, duket sikur dikush krijon një Inteligjencë Artificiale “gjeneruese”, mbështetur në modelet “themelore”, algoritmet e gjera dhe komplekse mbi të cilat janë ndërtuar modele si ChatGPT dhe shërbime të tjera të inteligjencës artificiale.
Më 24 shkurt, Meta, kompania mëmë e Facebook, prezantoi një model me emrin LLAMA.
Është raportuar se edhe Elon Musk, shefi i Tesla-s dhe i Twitter-it, dëshiron të krijojë një Inteligjencë Artificiale të ngjashme me ChapGPT, por më konservatore.
Një katalog mbi teknologjitë më të mira dhe të domosdoshme, që përpilohet nga Ben Tossell, një sipërmarrës britanik, sapo është rritur duke përfshirë, ndër të tjera, aplikacione si Isaac Editor (i cili i ndihmon studentët të shkruajnë ese), Pickaxe (i cili analizon dokumente) dhe Ask Seneca (që u përgjigjet pyetjeve mbi një shkrim të caktuar). ChatGPT është shumë i përfolur dhe ka mbi 100 milionë përdorues.
Por në përgjithësi, të gjitha këto aplikacione moderne të Inteligjencës Artificiale, mbështeten në shërbimet e mundësuara nga modelet “themelore”.
Çdo model është trajnuar në një sërë grupe tekstesh, imazhesh, skedarësh zanorë ose të dhënash të tjera. Kjo i lejon ata që të interpretojnë udhëzime në gjuhën natyrore dhe të përgjigjen me tekst, art ose me muzikë. Megjithëse sisteme të tilla kanë ekzistuar prej kohësh, u nevojit lançimi i një shërbimi konsumator si ChatGPT, për të tërhequr blerësit dhe investitorët.
Siç thotë Mike Volpi nga firma Index Ventures, kjo ndodhi në një kohë kur mbështetësit e teknologjisë, të djegur nga rënia e hidhur e kriptomonedhave dhe nga rrjeti zhgënjyes Metaverse, ishin në kërkim të zbulimit të madh të radhës. Përveç kësaj, modelet “themelore”, e bëjnë më të lehtë ndërtimin e shërbimeve dhe aplikacioneve të reja, në krahasim me rrjetet browser dhe celularët smartphone.
“Mjafton të hapni laptopin, të krijoni një llogari dhe ju mund të ndërveproni me modelin”, thotë Steve Loughlin nga firma Accel.
Paratë po vërshojnë në këtë biznes. Në janar, u raportua se Microsoft derdhi 10 miliardë dollarë në firmën startup Openai, e cila ka krijuar ChatGPT, pasi kishte kryer një investim të mëparshëm prej 1 miliard dollarësh. Pete Flint nga firma NFX, tani numëron më shumë se 500 firma startup që merren me krijimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese.
Deri tani, ato kanë grumbulluar në total më shumë se 11 miliardë dollarë, duke përjashtuar këtu firmën Openai (shih grafikun). Zoti Volpi e krahason këtë lulëzim me një “shpërthim kambrian”.
A ka fitime?!
Pra, cilat platforma gjeneruese të Inteligjencës Artificiale do të arrijnë fitime të mëdha? Tani për tani, kjo nuk dihet me siguri në qarqet e teknologjisë. “Thjesht nuk është e qartë nëse në Inteligjencën Artificiale gjeneruese, do të ketë një skenar afatgjatë ku fituesi i merr të gjitha”, shkruan Martin Casado dhe kolegët e tij në firmën Andreessen Horowitz, në një postim të fundit online.
Shumë firma startup ofrojnë ide të ngjashme, për t’u dukur në treg. Edhe modelet “themelore” me burime intensive, mund të arrijnë marzhe të ulëta fitimi: Megjithëse aplikacione si ChatGPT nga Openai janë përpara, alternativat me burim të hapur nuk janë shumë mbrapa.
Inteligjenca Artificiale gjeneruese, po hyn gjithashtu në një fushë të minuar ligjore. Modelet shpesh kryejnë gabime. Ato gjithashtu mund të dalin nga binarët. Sydney, mjeti chatbot që po krijon Microsoft-i në motorin e kërkimit Bing, duke përdorur teknologjinë e Openai-t, ka ofenduar tashmë disa përdorues dhe i ka shprehur dashurinë të paktën njërit (që atëherë është frenuar).
Për më tepër, platformat e Inteligjencës Artificiale mund të mos gëzojnë të njëjtën mbrojtje ligjore si mediat sociale.
Një grup i zemëruar janë zotëruesit e të drejtave të autorit të përmbajtjes online, mbi të cilat modelet ekzistuese të Inteligjencës Artificiale po trajnohen pa kërkuar leje ose pa paguar kompensim. Kompania mediatike Getty Images dhe artistë individualë, kanë ngritur padi kundër gjeneratorëve të artit të mbështetur në Inteligjencë Artificiale, si Stable Diffusion. Stable Diffusion është përgjigjur:
“Ne i marrim seriozisht këto çështje. Po shqyrtojmë dokumentet dhe do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”. Edhe platformat e lajmeve u druhen inteligjencave artificiale që gllabërojnë tekstet.
Openai tashmë ka vonuar prezantimin e GPT-4 për këtë vit, që është një përditësim i shumëpritur për modelin e tij themelor. Tërheqja ndaj Inteligjencës Artificiale gjeneruese duket se do të vazhdojë. Për investitorët që priren ndaj rrezikut, basti më i sigurt për momentin është tek ofruesit e fuqisë së mjaftueshme përpunuese, e nevojshme për të trajnuar dhe për të drejtuar modelet “themelore”.
Çmimi i aksioneve të firmës Nvidia, që modelon çipa të dobishëm për aplikacionet e Inteligjencës Artificiale është rritur me 60% këtë vit, deri tani. Shërbimet kompjuterike cloud dhe pronarët e qendrave të të dhënave, po fërkojnë duart gjithashtu. Çfarëdo platforme e Inteligjencës Artificiale që të dalë në krye, është e sigurt se do të jetë e suksesshme.