Opinion nga Eduart Gjokutaj drejtues i qendrës studimore të taksave, ALTAX
Një gjetje kryesore e përmendur si politika gjithpërfshirëse më e mirë për të reduktuar pabarazinë në të ardhura është se politikat arsimore dhe institucionet e mirëprojektuara të tregut dhe të punës, të plotësuara nga një sistem funksional i tatimit progresiv mbi të ardhurat, në harmoni me taksat dhe tarifat qendrore dhe vendore dhe në balancë me transfertat nga buxheti për shtresat nevojtare për rritjen e mirëqenies sociale, të gjitha së bashku mund të reduktojnë pabarazinë në të ardhura.
Pabarazia ka aspekte të ndryshme të saj, ku pabarazia në të ardhurat, pabarazia gjinore, apo pamundësia për të gjeneruar të ardhura për arsye shëndeti dhe mungesë të shanseve për të përfituar nga mundësitë ekonomike, të gjitha këto janë të lidhura ngushtë dhe përforcohen reciprokisht në një shoqëri ku pabarazinë e komplikon edhe plakja e popullsisë, që po fillon të ndihet për herë të parë në dekada.
Pra, nisur nga tendencat që kërkojnë analizë duhet vëmendje e posaçme nga politikëbërësit që ta konsiderojnë nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse në përshtatjet e politikave me zhvillimet që kanë ndërhyrë në çdo politikë të derisotshme në nivele të ndryshme ndikuese.
Pandemia preku në mënyrë disproporcionale punonjësit e sektorit informal dhe ata me kualifikim të ulët, veçanërisht nga sektori i shërbimeve, e ndjeshme edhe më shumë nga gratë dhe të rinjtë që mbajtën peshën më të madhe. Pabarazia u rrit gjithashtu midis sektorëve të ekonomisë dhe segmenteve të bizneseve, në varësi të shkallës së tyre të elasticitetit dhe kapacitetit për t’iu përgjigjur goditjes. Ndërkaq, aktivitetet e shërbimeve dhe transporti pritet të rimarrin vetveten nga pandemia më gradualisht se pjesa tjetër e aktiviteteve.
Konflikti ushtarak Rusi – Ukrainë, që do të vijojë për shumë kohë nxorri zbuluar ato politika te brendshme jo funksionale dhe të papjekura, të cilat po ndikojnë në tregun shqiptar dhe konsumatorin me një peshë të shtuar mbi peshën e kostove të jashtme në thellim të mundshëm të pabarazisë.
Në mungesë të llogaridhënies dhe transparencës cilësore, tashmë nevojitet një pergjigje politike qe permbledh ndaj goditjeve te ndryshme dhe me prekje te gjithanshme të jetës së vendit.
Plani Anti Inflacion mund të ishte fillimi i paketës politike me ndikim direkt në kufizimin e pabarazisë me ndihmën e një bashkëpunimi gjithpërfshirës do të ndikojë si duhet në ecjen më tej me politika elastike dhe më realiste.
Rimëkëmbja elastike ndonjëherë kërkon balancimin e kërkesave kontradiktore.
Nëse shqetësimi më urgjent është krijimi i vendeve të punës sa më shpejt që të jetë e mundur, përshpejtimi i projekteve të punëve publike, si rrugët urbane ose rurale, kjo mund të rikonsiderohet si qasja më efektive. Por kjo duhet te diskutohet në procesin e nje dialogu dhe llogaridhenie, nëse vërtetë ka ndikuar edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe konsolidimit të buxhetit. Në fakt të dhënat e buxhetit të shtetit në vitet e fundit tregojnë për një rëndim të borxhit publik, kryesisht për arsye të shpenzimeve kapitale.
Kriza aktuale ka shumë veçori që e dallojnë atë nga ato të mëparshmet dhe ndërlikojnë konkluzionet e bazuara në krizat e mëparshme. Nga njëra anë, konteksti pas pandemisë dhe rindërtimit të pjesshëm nga tërmeti ka lënë hapësirë të vogël për efektin e dukshëm të investimeve publike, për shkak të sjelljes më të fortë paraprake të krizës dhe grumbullimit të parave në pak grupe individësh. Në të njëjtën kohë, ashpërsia e rënies ekonomike, e shoqëruar edhe nga politika e liruar monetare, paraqet kushte që në të shkuarën kanë tentuar të rrisin efikasitetin e stimulit fiskal, por që sot nuk po e japin të njëjtin efekt për shkak të veçorive si më lart.
Të dhënat më të fundit sugjerojnë se investimet publike nuk kanë sjellë kthime të larta të përfitimeve në ekonomi, pasi madhësia e stokut fillestar të kapitalit publik është më e ulët dhe cilësia bazë, sasia dhe ndërlidhja e infrastrukturës janë ende të pamjaftueshme për tu konsideruar efektive sipas pritshmërisë së planifikuar. Ndikimi i inflacionit në infrastrukturë është një arsye më shumë për Planin Anti Inflacion të zgjuar dhe gjithpërfshirës.
E gjithë situata ekonomike dhe sociale në vitin 2022 (edhe pse nuk është mbyllur) na shfaqet me treguesë të mjaftueshëm për të analizuar se masat antikrizë dhe përpjekjet për rikuperim të ekonomisë nuk kanë arritur të krijojnë klimë besimi te konsumi më të fortë se përpara dy viteve. Por edhe niveli i investimeve hyrëse në ekonomi nuk ka ndryshime në rritje, pasi në vetvete nuk janë kuruar dhe adresuar për zgjidhje shkaqet që kanë krijuar këtë situatë.
Një shkak kryesor është forcimi i pozitave të pabarazisë duke u stimuluar përqëndrimi i pasurisë në pak individë dhe grupe në disfavor të shumicës së individëve dhe familjeve me pak të ardhura të disponueshme për konsum dhe kursim.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore, Indeksi i Pabarazisë GINI[1] është 30.8%, por me tendencë rritje në kohën e pandemisë, ku sipas të dhënave të publikuara në raportin Mbi të dhënat e pasurisë globale[2], Indeksi i Pabarazisë GINI në 2021 është 31.4%[3]
Pabarazia e përforcuar ndër vite në nivele qëndrueshme tashmë mund të lërë plagë afatgjata dhe të dëmtojë stabilitetin ekonomik, social dhe politik.
Në mjedisin ekonomik dhe politik aktual, të vështirë për të rigjetur ekuilibra më të mirë socialë, Ne (Buxheti dhe politikat sociale që duhet të krijohen brenda bizneseve të mëdha) duhet të sigurojmë mbështetje të vazhdueshme për më të cenuarit. Goditjet e fundit konfirmojnë rëndësinë e forcimit të sistemeve të mbrojtjes sociale.
Në të gjithë botën, ne kemi parë prova të ndikimit pozitiv dhe kosto-efektivitetit të ndërhyrjeve të mbrojtjes sociale që kontribuojnë në uljen e varfërisë, zhvillimin e kapitalit njerëzor, krijimin e vendeve të punës dhe qëndrueshmërinë e bizneseve përballë goditjeve.
Diskutimi i sotëm me pikësynim arritjet për të nesërmen duhet të bëjë të qartë se koha favorizon ata që investojnë cilësisht në burimet sot dhe kjo duket për ato vende që nga investimi në burimet njerëzore kanë bërë përparime dhe inovacione të rëndësishme në forcimin e sistemeve të tyre të mbrojtjes sociale, përfshirë edhe gjatë periudhave të forta të testimit të skemave, si ajo e periudhës së pandemisë.
Ndërsa qeveria po përpiqet me të gjitha mundësitë që i kanë mbetur të ndihmojë rimëkëmbjen nga goditjet e viteve të fundit, çdo strategji e re për të nxitur një rritje afatgjatë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse duhet t’i japë përparësi nevojave imediate të më të cenuarve.
Ulja e inflacionit është thelbësore, pasi inflacioni është në fund të fundit, një taksë për të varfërit. Rritja aktuale e inflacionit është kryesisht e nxitur nga faktorë të jashtëm, përkatësisht çmimet e larta të ushqimeve dhe karburanteve dhe ndërprerjet e ofertës disa prej të cilave datojnë para krizës.
Por, ndërsa ndikimin e jashtëm jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar, qasja e ndikimit mbi faktorët ndikuesë të brendshëm është veprimi politik i duhur për të ndikuar në uljen e inflacionit në Shqipëri. Ky veprim është shpejtësia dhe efikasiteti i politikës aktuale në vazhdimin e reformave të ngecura, apo që nuk po performojnë efektivisht për të rritur elasticitetin ndaj goditjeve dhe për të trajtuar shtytësit themelorë të pabarazisë. Kjo qasje ka të njëjtën vlerë për ekonominë si moslënia në mes të investimeve që kanë filluar, pasi humbasin edhe vlerën e investuar nëse nuk përmbyllen sipas programit.
Politika fiskale ka një rol kyç për të luajtur në këtë kohë, për të ndryshuar dhe korigjuar gabimet e politikave të derisotshme dhe duke përshtatur disa politika të nisura buxhetore për rishpërndarjen e të ardhurave (rritja e pagave publike dhe fondeve sociale). Për shembull, politikat për të rritur fondet në mirëqenien sociale mund të ndihmojnë në barazimin e kushteve përpara se njerëzit të hyjnë në tregun e punës nëpërmjet ofrimit të arsimit publik profesional më cilësor, shërbimeve shëndetësore më cilësore sipas grupmoshave dhe me kosto më të ulët, si dhe mosthellimit të mëtejshëm të alokimit të fondeve të buxhetit përtej infrastrukturës bazë që po realizohet në këtë dekadë të fundit. Fondet për investimet kapitale janë në disbalancë me ato për mirëqenien sociale.
Ndërsa rishpërndarja e fondeve sociale duhet të fillojë të marrë nga buxheti fonde në rritje në raport me investimet kapitale, edhe pse duket si një paradoks në kushtet e emergjencës së infrastrukturës në vend. Një diskutim mjaft i madh dhe me një lobim nga qeveria duhet të jetë nxitja e kolonave të dyta dhe të treta të fondeve të pensioneve, të cilat janë në interesin publik të forcohen sot për të minimizuar krizën e paaftësisë paguese të skemës aktuale nesër. Qeveria mban përgjegjësi për adresimin e të ardhmes, pasi reforma që miratoi në Kuvend në vitin 2015 ka ndikuar mjaftueshëm për thellimin e deficitit buxhetor për përballimin e kostove të shtuara për pensionet, por pa siguruar në mënyrë të qartë burimet e financimit të kësaj reforme për periudha afatgjata.
Ndërkaq, politikat e rishpërndarjes që mund të ndihmojnë edhe më tej në korrigjimin e pabarazive, për shembull, nëpërmjet tatimit progresiv mbi të ardhurat dhe ndihmës sociale për të ndihmuar njerëzit të përballen me ngjarjet e jetës duhet të plotësohen me të gjitha instrumentet e nevojshme.
Tatimi progresiv duhet të synojë të taksojë më shumë të ardhurat nga kapitali se sa ato nga puna, por me vëmendjen që të përfshijë të pasurit. Aktualisht, tatimi mbi të ardhurat nga puna dhe shkalla e financimit monetar të konsumit të qeverisë, është rezultat i një loje pazari dhe në funksion të politikës elektorale, se sa një sistem i ndershëm dhe me premisa për të garantuar siguri dhe paanshmëri.
Por, realisht për ta bërë riorientimin e politikës fiskale më të pranueshëm, ne mendojmë se investimet që orientohen drejt dixhitalizimit në sektorin privat bëjnë dallimin në raport me gjithë investimet që bën aktualisht buxheti i shtetit. Ato mund të ndihmojnë, më shumë se sa vetë investimet me fonde mjaft të papërballueshme për infrastrukturën.
Teknologjia dhe konkurueshmëria bazuar te investimet dixhitale do të sjellin më tepër përfitueshmëri për bizneset/individët veçanërisht në lehtësimin e aksesit në financa dhe ofrimin efikas të mbështetjes së të ardhurave të tyre duke ndikuar në zgjerimin e tregut përtej kufijve aktualë. Një simbiozë e tillë e sektorit privat nëpërmjet teknologjisë dixhitale arrin të përfitojë edhe bashkëpunime reale, të pavarura nga fondet e buxhetit për investime në ato pjesë të infrastrukturës që kanë pritshmëri tek e ardhmja.
Kjo do të thotë se investimet e infrastrukturës duhet të vijojnë të synojnë plotësimin e mungesave nga e kaluara, por zhvillimin e tyre duhet ta synojnë sipas kërkesave të ardhme të transportit dhe ekonomisë për një kthyeshmëri të lartë të investimeve. Por investimi më i madh të konsiderohet ai që forcon mirëqenien sociale dhe mban të lidhur individin me vendin e tij.