Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë takimeve me strukturat në Vlorë u shpreh se ka bindjen se shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë .
Ai tha se zbardhja e aferës së inceneratorëve do të sjellë tronditje shumë të mëdha.
“Është detyra jonë ta ngremë popullin. Dhe kjo gjë të jeni të sigurt se kjo do të ndodhë. Kur bëra thirrjen për 2 Marsin kisha besim të plotë se njerëzit do të vinin. Ishte ligji për betimin e gjykatës kushtetutese për betimin te Lana te noterët privatë. Dhe kam një besim shumë të madh se gjërat do të ndryshojnë shumë më shpejt se sa besojnë edhe shumë prej jush këtu.
Na duhet njerëz me shumë karakter në këtë betejë. Ky sistem luftohet me anti-korrupsion. Prandaj edhe zbardhja e aferës së inceneratorëve do të sjellë tronditje shumë të mëdha shumë shpejt dhe do të ketë ndryshime të paparashikueshme për secilin që ka parasysh se çfarë ka ndodhur në këto 9 vite. Edhe bota e ka kuptuar se çfarë sharlatani është ky që kemi për kryeministër”, u shpreh Meta.
“Problemet më të mëdha që kanë ata në Europë vijnë nga krimi i organizuar shqiptar. Edhe çështjen e vizave të Kosovës që nuk ia japin kjo është. Për shkak të kriminalitetit shumë të lartë të grupeve shqiptare në Kosovë. Dhe hapja e negociatave ishte se ata morën një vendim për shkak të Ukrainës. Ata nuk kanë për të filluar asnjëherë realisht me këtë qeveri. Ka shumë çështje që kanë mbetur pezull. Zhvillimet do të jenë të forta dhe të shpejta.
Duhet të jemi të përgatitur për të mbajtur peshën e duhur. Paniku nga ana e tyre është i qartë përderisa shpikin budalliqe. Nuk e dinin këta se Saliu kishte qenë sekretar partie para vitit 90. Tani e zbuluan këta dhe do bëjnë ligje. Këto janë të gjithë tregues të panikut. I dini ju këto punë se i keni provuar edhe në kurrizin tuaj këtu në Vlorë. Më hapët dhe një parrullë ju mua. Flasim pastaj. Ju kishte dehur Luli juve dhe kujtonit ju se do dehesha dhe unë”, deklaroi ai.