Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Yuri Kim ka marrë pjesë sot në një ceremoni për promovimin e një libri.
Ajo shprehu vlerësime të larta për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Shefja e diplomacisë amerikanë e ka cilësuar punën e saj në vendin tonë si një privilegj të madh që i është dhënë për të shërbyer.
Yuri Kim vlerësoi miqësinë dhe partneritetin me Shqipërinë ndër vite duke kujtuar raportet në një shekull dhe dy momentet kur ambasada u detyrua të evakuohej për herë të parë në vitin 1946 për një kohë shumë të gjatë dhe më pas në vitin 1997. Kim rrëfeu edhe një histori me ambasadorin Ryerson.
Fjala e plotë e Yuri Kim:
“Këtë vit, gjatë festimeve tona të 100-vjetorit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, kam menduar për gjithçka që ka ndodhur përpara se të gjithë ne të dilnim në skenë. Shumë çka ka ndodhur.
Ne kemi pasur pjesën tonë të sprovave dhe mundimeve, si dhe të sukseseve. Dhe këtu sot rastësisht në këtë ditë kur urojmë zotin Qafoku për librin e tij të shkëlqyer, festojmë edhe fillimin formal të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E kush do ta kishte imagjinuar këtë njëqind vjet më parë?!
Ja çfarë desha të them. Për çdo Ambasador Amerikan është një nder i madh, t’i kërkohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, të përfaqësojë vendin tonë në një vend tjetër. Për ata nga ne që mund të vijnë në Shqipëri si ambasadorë, është një nder edhe më i madh dhe është një nder shumë i veçantë. Nuk është se Shqipëria është vendi më i madh, apo sepse është vendi më i pasur, nuk është asgjë e ngjashme me këto. Është thjesht sepse ky është vendi më i veçantë. Nuk ka asnjë vend si Shqipëria, asnjë njeri në botë si shqiptari. Dhe miqësia që kanë amerikanët, që ambasadorët amerikanë mund të përjetojnë personalisht me ju, është diçka vërtet e paharrueshme.
Mund ta kem përmendur edhe më parë se përpara se të vija në Tiranë, kam vizituar ambasadorët e mëparshëm që janë ende mes nesh, përfshirë ambasadorin Ryerson. Ai më dha udhëzime për rrugën drejt shtëpisë së tij sipas mënyrës së vjetër. Nuk më dërgoi një pikë në hartë për ta ndjekur përmes GPS. Ai më dërgoi një udhëzim të gjatë: ec për dy milje nga kjo anë, kthehu majtas, 1,5 milje nga kjo anë, kthehu djathtas, të gjitha këto. Dhe unë thashë, “si do ta di që kam mbërritur në shtëpinë tënde”? Është një udhëtim i gjatë, një orë jashtë Uashingtonit. Ai më tha, mos u shqetëso, do ta kuptosh. Pra, unë jam duke ngarë makinën për një orë, kaloj shtëpi, kuaj, ferma, aeroporte. Dhe pastaj, në fund të një ore të gjatë, shoh diçka dhe e di se këtu jeton Ambasadori Ryerson. E dini nga e kuptova? Edhe aty në fshat në Uashington DC, shumë vite pasi u largua nga ky vend, jashtë shtëpisë së tij, valëvitet me krenari flamuri kuqezi pranë flamurit amerikan. Në zemrën e tij, ai nuk u largua kurrë nga Shqipëria.
Pra, kjo është gjëja tjetër që dua të them. Në njëqind vjet miqësi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ne jemi larguar dy herë, në vitin 1946 për një kohë shumë të gjatë dhe në vitin 1997. Shpresoj që episode të tilla mos përsëriten kurrë, shpresoj që të gjithë të nxjerrim mësimet e diktaturës, të dhunës. Shpresoj që të bashkohemi, të qëndrojmë së bashku si miq. Unë mund t’ju them këtë, Amerika ka qenë me ju që në fillim, që në ditët e para të Republikës së Shqipërisë, të Mbretërisë Shqiptare, madje edhe para se të ekzistonit si Republika e Shqipërisë, Mbretëria e Shqipërisë, ne besuam në popullin shqiptar. Ne besuam në sovranitetin tuaj. Ne besuam në pavarësinë tuaj. Ne besuam në forcën tuaj, në të ardhmen tuaj. Ne besojmë tek ju, ne besojmë në Shqipërinë në Evropë dhe besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një nder i madh për çdo ambasador amerikan që të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara këtu në Tiranë, Shqipëri, në këtë kryeqytet Europian.
Miqësia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë rroftë edhe për një qind vjet, miqësia mes popullit shqiptar dhe popullit amerikan rroftë edhe për njëqind vjet të tjerë.
Faleminderit!