Dy vëllezër nga Sauku janë arrestuar nga policia pasi kultivonin lëndë narkotike në Peqin. Në pranga është vënë edhe bashkëpunëtori i tyre nga Rrogozhina.
Policia bën të ditur se gjatë kontrollit masiv të territorit, në fshatin Garunjë, Peqin, kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë canabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies. Janë asgjësuar gjithsej 381 rrënjë kanabis.
Në pranga janë vënë Njazi Sina, 36 vjeç dhe Gentian Sina, 45 vjeç ( ëllezër), të dy banues në Sauk, Tiranë; Myslim Sina, 47 vjeç, banues në Rrogozhinë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 3 shtetasit e arrestuar janë autorët e kësaj veprimtarie kriminale.
Në banesën e vëllezërve Njazi e Gentian Sina u gjendën 2 armë gjahu dhe 2 radio si të policisë. Sakaq, në gjendje të lirë është proceduar kryeplaku i fshatit për shpërdorim detyre, Halit Metalla.
Njoftimi i policisë:
Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.
Gjenden dhe asgjësohen fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Arrestohen në flagrancë 3 autorët e dyshuar të kultivimit, 2 prej tyre vëllezër me njëri-tjetrin.
Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.
Gjatë kontrollit në banesën e 2 vëllezërve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë gjahu, një sasi municioni luftarak, 1 palë dylbi, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 thikë, 1 automjet, dhe 3 aparate celuare.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Elbasan, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Brothers”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Nj. S., 36 vjeç dhe G. S., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Sauk, Tiranë;
M. S., 47 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi H. M., me detyrë kryetar i fshatit Garunjë e Madhe, Peqin.
Gjatë kontrollit masiv të territorit, në fshatin Garunjë, Peqin, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë canabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies. Nga veprimet hetimore dyshohet se 3 shtetasit e arrestuar janë autorët e kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve G. S. dhe Nj. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë gjahu, një sasi municioni luftarak, 1 palë dylbi, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 automjet, 3 aparate celuare dhe 1 mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.