Deputetja e Partisë Socialiste Luljeta Bozo ka diskutuar për zhvillimet më të fundit në politikë.
Përsa i përket projektit “Ballkani i Hapur”, ajo u shpreh se Kosova duhet ti bashkohet kësaj nisme pasi është në interes të rajonit, por edhe të vetë Kosovës, pasi ky mund të jetë një hap që Serbia të njohë krimet e luftës.
“Zhvillim pozitiv, besoj dhe shpresoj se edhe Kosova do i bashkëngjitet se është në interes të të gjithëve sepse respekton dhe zbaton katër liritë kryesore, lëvizje e mallrave, njerëzve transmetim kulturash te njëri-tjetri. Ka lehtësi në pikat doganore, ka vlerë se të gjitha kulturat e vendeve bashkëpunojnë, Ata kanë problemin, ma merr mendja mua, ngul këmbë që Serbia të njohë krimet që janë bërë në Kosovë dhe ta njohë si shtet. Njohja do vijë më shpejt nëse do kemi këto. Kosova ekonomikisht merr e jep, tregtinë më të madhe e ka me Serbinë. Ti jep e merr edhe në këto drejtimet e tjera, sepse gjërat që kanë kaluar populli kosovar nuk harrohen por nuk duhet mbetur si çengel që rajoni mos të ecë përpara”, tha Bozo.
Teksa vlerësoi figurën e presidenti të zgjedhur Bajram Begaj, Bozo tha se procesi i zgjedhjes u zhvillua në mënyrë demokratike, por ishte opozita që dogji mundësinë të mos propozonte kandidatë.
“Procesi i zgjedhjes së presidentit u zhvillua në mënyrë demokratike, sepse iu tha mundësi gjithë grupeve parlamentare të shprehin kërkesat dhe dëshirat e tyre sesi duhet të jetë presidenti i ardhshëm. Parimet ishin pak a shumë njësoj. PS duke respektuar opozitën ia la të drejtën që në tre raundet e para të binte emrat dhe kur do të gjesh gjithmonë diçka për të ngecur e gjen. Nuk sollën emra dhe u detyruam që në raundin e katërt ta propozojë vetë”, tha Bozo.
Sa i përket Sali Berishës në krye të PD-së, Bozo tha se ka ardhur koha që t’i hapë rrugën të rinjve, pasi askush nuk është i përjetshëm.
“Sado eksperiencë të kesh duhet të hapësh rrugë për të futur të rinjtë. Të marrësh përsipër të drejtosh forcën më të madhe opozitare, duhet të kishte dhënë më shumë hapësirë të rinjve PD që mund ta çonin më përpara. S’mund të jesh i përjetshëm, ti mund të punosh por po nuk tërhoqe mbrapa brezin e ri nuk ecën puna”, vijoi ajo.