Që pas 29 marsit, mbrëmjes së arrestimit në Fier i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili prej javësh ka qëndruar në spital, është paraqitur dje për herë të parë në SPAK.
Emiljano Ramazani, pamje nga skena e krimit
Emiljano Ramazani, pamje nga skena e krimit
Nën masa te rrepta sigurie, prej orës 8 të mëngjesit ai është vënë përballë hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në SPAK për të rikonfirmuar deklarimet e dhëna.
Dumani do të nisë përballjen me Erion Alibejn, për të cilin ka bërë akuza të rënda, si porositja e vrasjes së efektivit Krenar Guçe, i cili ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Vrasjeve në Policinë e Elbasanit në vitet 2019-2020, teksa aktualisht është me detyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si specialist.
Fotografia e tij u gjet në telefonin e Nuredin Dumanit, i cili në dëshminë e tij ka treguar një listë me emra dhe foto që prisnin të ekzekutoheshin.
Pas Dumanit, rreth 2 orë më pas ka mbërritur në SPAK edhe Henrik Hoxhaj, një tjetër i penduar i drejtësisë, i cili për llogari të Nuredin Dumanit ka ekzekutuar Emiljano Ramazanin, porosi e dhënë, sipas tyre, nga Alibej.
Erion Alibeaj kishte vendosur të hakmerrej ndaj çdo personi që kishte marrë pjesë në ngjarjen e rëndë të Bradasheshit, ku ai humbi vëllanë, xhaxhanë dhe një mikun e tij, shtetas turk. Masakra me 3 viktima solli një sërë vrasjesh.
Dëshmia e një të riu të marrë nga oficeri Krenar Guçe hodhi dritë mbi vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Renis Runajt, të kryera në hark të shkurtër kohor.
U zbuluan edhe 2 ngjarje të tjera me katër viktima në Durrës që dolën në dritë falë dëshmitarit Klevis Alla.
pjimage-216
Në shtator të 2020- ës, Erion Alibej zyrtarisht është akuzuar si porositësi i dy vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, për të cilat ka folur edhe Dumani.
Ekzekutimi i Emiljano Ramazanit, i njohur me nofkën “Rramani”, u bë poshtë shtëpisë së tij, teksa ai po parkonte automjetin tip “Ford Fokus”. Autorët kanë qenë tre veta në makinë dhe njëri prej tyre ka qëlluar 5 herë me armë tip pistoletë.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, pasi ai njihej si shpërndarës kokainë në qytet, ndërsa pak ditë pas vrasjes së tij, u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë, Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, trupi i të cilit u gjet i hedhur në rrugë. Tashmë priten edhe ballafaqimet me persona të tjerë të Dumanit dhe të Hoxhës.
Në qeli gjenden personazhe mjaft interesante të aktivitetit të tyre kriminal, si Euglen Halili dhe Klevis Alla, dy të rinj që kanë fituar statusin prej gati dy vitesh dhe që kanë nisur të flasin, ndërkohë që Dumani vijonte të nënshkruante kontrata vdekjesh, madje edhe për një zyrtar të lartë Policie.
Ai hynte dhe dilte nga Kosova, siguronte makina dhe armë, drekonte nëpër lokale të njohura në Elbasan, por Policia nuk e “njihte” dhe ai kthehej i paprekur në strofullat e tij në trekëndëshin Tiranë-DurrësElbasan. Vetëm së fundmi ai u vendos në Fier, pasi i duhej të kryente vetë një krim, të cilin nuk e arriti dot, sepse ra në pritë në Papër të Elbasanit!
Dëshmia e Henrik Hoxhajt/ “Dumani më siguroi mjetet, më mbajti 13 mijë euro për makinën që përdorëm në vrasje”
“Në verën e vitit 2020, shtetasi Nuredin Dumani më kontakton përsëri e me pyeti nëse isha i interesuar të bëja një vrasje në Elbasan për shumën 100 mijë euro. Këtë vrasje unë e mora përsipër ta kryeja së bashku me shtetasin Skerdi Tasi, nga fshati Frakull i Fierit.
Unë kam rënë dakord në parim për të marrë pjesë në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani, por duke qenë se më është kërkuar që pas ngjarjes pistoletën e vrasjes ta hidhja në një servis makinash në Peqin, me qëllim për të akuzuar për vrasjen dikë tjetër dhe unë nuk kam pranuar, shuma është ulur në 90 mijë euro, nga 45 mijë euro, njëra pjesë për mua dhe pjesa tjetër për Skerdin që do të ishte ekzekutori.
Në këtë vrasje unë do të isha shofer i makinës. Nuredin Dumani ka organizuar gjithçka që kishte lidhje me vrasjen dhe më ka treguar makinën me të cilën lëvizte Emiljano Ramazani.
Nuredini gjithashtu ka siguruar një automjet tip “Passat” benzine (ngjyrë e kaltër në gri). Makinën “Passat” unë e kam marrë aty te vendi ku ishte djegur pas ngjarjes. Aty e kishte lënë Nuredini dhe së bashku me mjetin ka lënë brenda një armë automatike kallashnikov, një pistoletë model TT ruse dhe një pistoletë model “Zastava”, të cilat ishin te “Passat”-i.
Pasi mora porosinë, jam takuar me Skerdin dhe së bashku me të kam lëvizur nëpër Elbasan duke mbajtur në vëzhgim Emiljanon me qëllim për të kryer punën… …Dy-tri ditë pas ngjarjes, unë kam takuar Nuredinin te rrethrrotullimi i “TEG” dhe ai me ka dhënë aty shumën prej 77 mijë eurosh që kishte premtuar për vrasjen, pasi nga shuma 90 mijë euro, kishte zbritur 13 mijë euro shumën e makinës “Passat” të përdorur për ngjarjen.
Më sa kam marrë vesh unë nga Nuredin Dumani, i cili më ka treguar vetë pas ngjarjes se pistoletën e vrasjes që u përdor për Emiljano Ramazanin e kishte hedhur te servisi në Peqin shtetasi Klevis Kapllani, por unë nuk e kam njohur këtë person”.Panorama