Mediat e huaja kanë sjellë dëshminë e disa ushtarëve të burgosur rusë, që tregojnë trajtimin që i është bërë nga shteti në luftën e nisur në Ukrainë.
Ata pretendojnë se janë hedhur në betejë si “çakej” dhe se Presidenti Putin nuk i ka dhënë trajtimin e duhur. Një prej ushtarëve që është rrëfyer është Privat Vadim, 26 vjeç i kapur prej forcave armike në Kharkiv.
“Dëgjova një shpërthim të madh pranë vendit ku ndodheshim. Mendova se të gjithë vdiqëm, nuk kishte se si të mbijetonim. Kishte një kamion para nesh të mbushur plot e përlot me municion. Shpërthimi nuk po ndalonte dhe duke u zvarritur, u strehova në një vend më të sigurt”, tha ushtari.
Ai ka treguar më tej se për 10 ditë ka mbijetuar vetëm duke ngrënë biskota dhe qëndronte në një shtëpi të braktisur. Kur këmba e tij e dëmtuar gjatë sulmit nisi të rikuperohej, ai tentoi të arratisej, por u pikas nga ushtarët ukrainas dhe u arrestua.
Vadim iu bashkua ushtrisë 6 vite më parë, i shtyrë nga paratë mujore që përfitonte. Ai po stërvitej kohët e fundit për të drejtuar mjete luftarake.
“Shumë njerëz mendojnë se është ushtria e dytë në botë, por ne nuk kemi asgjë. Nuk kemi trajnime, nuk kemi pajisje. Është krim ta thuash këtë në Rusi” tha Vadim.
Kaporal Ivan, është një tjetër ushtar i arrestuar. Ai ka treguar mes lotësh momentin kur ka komunikuar me familjarët.
Ivan ishte pjesë e një baterie artilerie raketore të zënë pritë në buzë të Kharkiv. Makineria që ai drejtonte u shkatërrua, por ai arriti të shpëtonte dhe të arratisej me dy shokë.
Ata u fshehën në një shtëpi deri në mbrëmje, më pas ikën në këmbë nëpër një pyll derisa panë një raketë-hedhës tjetër Grad, për të cilin menduan se ishte një njësi ruse.
Ivan shkoi deri te ekipi i raketave, me të dyja duart në ajër.
Por në kohën kur e kuptoi se ishte në fakt një njësi ukrainase, gjithçka që mund të bënte ishte të dorëzohej.
Ai tha: “Më urdhëruan të shtrihesha, më hoqën të gjitha rrobat dhe më kontrolluan. Pastaj të nesërmen më morën.
“Frika ime më e madhe ishte se do të vdisja. Kur po dorëzohesha, kisha frikë se do të më pushkatonin.”
Deri në atë moment, karriera e tij dyvjeçare ushtarake ishte shpenzuar kryesisht duke drejtuar një fadromë bore për të pastruar rrugët përreth Murmanskut dhe ka shtuar më tej se nuk ka pasur kualifikimin e duhur ushtarak për një luftë të këtyre përmasave.
I pyetur për mizoritë ruse, duke përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjen, Ivan tha: “Jam i tronditur. Ata janë thjesht idiotë.”Bw