Uji, kripa, koha dhe erëzat e duhura janë vetëm disa nga kushtet bazë për të sjellë në tryezë një pjatë të përsosur makaronash.
Por në kuzhinë, gatimet në dukje të thjeshta, shpesh mund të fshehin gracka duke na bëjnë të gabojmë.
Nëse makaronat tuaja nuk janë gatuar në mënyrën e duhur dhe nuk janë shumë të shijshme, ndoshta ju keni bërë një nga këto 10 gabime.
Kombinoni me kujdes salcën dhe sasinë e makaronave
Për të pasur në tryezë pjatën perfekte, duhet të llogarisni me kujdes sasinë e salcës në raport me makaronat dhe sa i uritur jeni.
Një racion i denjë varion nga 80-100 gr makarona, ndërsa për salcën sa më shumë aq më mirë.
Kombinoni llojin e makaronave me salcën
Makaronat e gjata shkojnë mirë me salcat më pak të dendura, makaronat e shkurtra shkojnë me salcat me bazë perimesh dhe bishtajoresh. Ndërsa makaronat e mbushura shkojnë më tepër me salcat delikate
Jo të gjitha makaronat janë të njëjta
Ka shumë lloje makaronash. Disa janë të ndryshme për nga madhësia, tekstura, përpunimi, bluarja e miellit dhe natyrisht, kostoja.
Një cilësi e dobët, do t’ju bëjë të sillni në tryezë një pjatë jo dhe aq të mirë. Nëse po mendoni për një drekë apo darkë të veçantë, zgjidhni makarona me miell të bluar guri dhe nuk do të pendoheni.
Kripa
Le të fillojmë me sasinë! Doza e saktë është 7-8 gram kripë e trashë për çdo 100 gram makarona.
Hedhja e kripës direkt në ujë të ftohtë, shton pak më tepër kohën që duhet për të zier uji. Ndërsa shtimi i saj kur uji fillon të ziejë, pakëson kohën.
Të dyja zgjedhjet janë të vlefshme, mjafton të mos e hidhni kurrë kripën dhe makaronat në ujë të vluar në të njëjtën kohë. Kjo do të ulë temperaturën e ujit dhe do të ndërpresë procesin e zierjes. Së pari kripën dhe më pas makaronat.
Vaji
Prej kohësh është përfolur se shtimi i disa pikave vaj në ujë ndihmon që makaronat të mos ngjiten.
Shtimi i vajit nuk është vetëm një gabim, por në fakt, është absolutisht i kotë. Vaji përdoret tek salca, kështu që uji mjafton për makaronat.
Tenxherja dhe kapaku
Nëse jeni duke përgatitur makarona të gjata, tenxherja duhet të jetë e madhe dhe me anët e larta.
Për makaronat e shkurtra, do të funksionojë edhe një tenxhere më e vogël, por ende mjaft e madhe për të mbajtur të gjithë sasinë që do gatuani.
Kapaku duhet të përdoret vetëm para se të hidhni makaronat, asnjëherë pas, sepse kjo do të derdhë ujin nga tenxherja.
Sa ujë?
Për 100 gram makarona duhet 1l ujë dhe nëse përdorni më pak ujë, makaronat ka shumë të ngjarë të ngjiten.
Koha e gatimit
Nëse ka një numër të shkruar në paketim, ndiqni udhëzimet.
Por nëse jeni adhurues i makaronave “al dente” ose nëse përgatitja juaj përfshin një gatim të dytë në furrë, zvogëloni kohën e gatimit me 2 ose 3 minuta.
Kullimi
Merrni një kullesë të përshtatshme për të mbajtur të gjitha makaronat që do t’ju duhet të kulloni.
Vendosni një enë poshtë saj për të mbajtur një pjesë të ujit dhe derdhni makaronat butësisht në kullesë./Agroweb.org