Në fund të vitit 2021, në shtetet e Bashkimit Europian kishte të regjistruar 566 mijë shqiptarë, pa përfshirë Greqinë, sipas statistikave të publikuara nga Bashkimi Europian.
Pjesa më e madhe e tyre është në Itali, ku deri në fund të vitit 2021 ishin të regjistruar 433 mijë shtetas, ose 76% e deklarimeve totale të Eurostat (pa Greqinë).
Eurostat nuk i ka publikuar të dhënat për Greqinë, por së bashku me Italinë, mbetet shteti që ka pritur në vite më shumë shtetas, në nivele të ngjashme me Italinë.
Në tre vitet e fundit, numri i shqiptarëve që jetojnë në shtetet e Bashkimit Europian është rritur me gati 30 mijë persona. Ajo që vihet re qartë është tendenca e re për të ikur drejt Gjermanisë. Nga 30 mijë persona që kanë arritur të regjistrohen në një vend të BE-së në tre vitet e fundit, rreth 27.3 mijë prej tyre kanë ikur drejt Gjermanisë, duke e çuar numrin në total në gati 77 mijë persona, të tretin pas Italisë e Greqisë për numrin e shtetasve shqiptarë në total që jetojnë në një vend të BE-së.
Franca është shteti i dytë pas Gjermanisë që ka parë rritjen më të lartë të shtetasve shqiptarë me rreth 8500 persona që janë shtuar, në një total prej 33 mijë personash. Ndryshe nga Gjermania, ku shkojnë përgjithësisht personat që kanë një kontratë pune, dhe si rrjedhojë figurojnë të regjistruar si rezidentë, në Francë është shumë më i lartë numri i personave që kërkojnë azil dhe si rrjedhojë mund të mos figurojnë ne regjistrimet e shtetasve jo të BE-së që jetojnë në Francë. https://www.monitor.al/aplikimet-per-azil-nga-shqiptaret-ne-2021me-shume-se-gjysma-ishin-ne-france/
Për të njëjtën periudhë është ulur me rreth 7 mijë persona numri i shqiptarëve në Itali. Italia mbetet gjithsesi shteti kryesor pritës me rreth 433 mijë shtetas shqiptarë.
Në vendet e tjera të BE-së janë të regjistruar më pak sesa 7 mijë persona. Pas Francës renditen Belgjika (6,807), Suedia (6,184) dhe Austria (3,038).
Rritja e lejeve të qëndrimit nga Gjermania
Gjermania, e cila po përballet me kufizime në tregun e brendshëm të punës, po tërheq vitet e fundit shtetas nga e gjithë bota, përfshirë dhe shqiptarë. Specialitete si mjekë, infermierë, specialistë të teknologjisë së informacionit janë ndër profesionet më të kërkuara në Gjermani.
Të dhëna të tjera të Eurostat, që janë të disponueshme deri në vitin 2020 tregojnë se lejet e qëndrimit që Gjermania ka dhënë ndaj shtetasve shqiptarë janë rritur ndjeshëm duke filluar nga viti 2018. Në atë vit mbi 10 mijë shtetas shqiptarë u pajisën me leje për të jetuar e punuar në ekonominë më të madhe të Europës. Në 2019-n, numri i tyre i kaloi 12 mijë. Në 2020-n, ndonëse në pandemi dhe kufizime të forta në lëvizje, u dhanë rreth 8,300 leje qëndrimi.monitor