Babis Anagnostopoulos do të dalë sot para bankës së të akuzuarit, në gjyqin që do të mbahet, ku do të japë sqarime për vrasjen e bashkëshortes së tij 20-vjeçare Caroline Krauts. Ngjarja që tronditi jo vetëm Greqinë, u regjistrua në maj të vitit të kaluar në shtëpinë e çiftit, në Glyka Nera të Athinës.
Anagnostopoulos rreth orës 08:30 të mëngjesit me orën lokale ka kaluar pragun e Gjykatës së Jurisë së Përzier për të nisur gjyqin për vrasjen e 20-vjeçares Caroline Krauts. Piloti, kishte veshur një kostum me kravatë, një jelek antiplumb dhe një maskë për ta mbrojtur nga koronavirusi.
Gjatë paraqitjes së tij në Gjykatën e Jurisë së Përzier, ai shoqërohej nga pesë policë të armatosur.
32-vjeçari i arrestuar në Alonissos, 37 ditë pas vrasjes mizore të gruas së tij, u detyrua të rrëfejë në polici, përballë provave dërrmuese kundër tij se ishte pikërisht ai që e vrau dhe jo grabitësit siç e deklaroi ngjarjen.
foto galeri foto galeri foto galeri 123PreviousNext
Megjithatë, deri në momentin e rrëfimit të tij, ai u përpoq t’i bindte të gjithë se ishte një bashkëshort “i lumtur” dhe dha një recital aktrimi të paprecedentë, duke pretenduar se gruaja e tij ishte vrarë nga grabitës të armatosur që dyshohet se kishin hyrë në shtëpinë ku jetonin. Më tragjikja nga të gjitha, është fakti se krimi ndodhi para syve të vogëlushes 11 muajsh të çiftit, Lidias së vogël, të cilën ai madje e shtriu pranë trupit të pajetë të 20-vjeçares. Për të përforcuar skenarin e grabitjes, piloti 32-vjeçar nuk ka ngurruar të vrasë dhe më pas të varë edhe qenin e çiftit në kangjellat e shkallëve të brendshme të shtëpisë. Por me ndihmën e teknologjisë dhe me marrjen e të dhënave nga kamera brenda shtëpisë, celularët dhe orën biometrike të fatkeqes Caroline, autoritetet policore arritën të identifikonin kontradiktat në pretendimet e Babis Anagnostopoulos që u “thye”, pas marrjes në pyetje prej më shumë se 8 orësh.
Piloti 32-vjeçar u arrestua në memorialin e gruas së tij 20-vjeçare, ku kishte shkuar, duke mbajtur në krahë foshnjën e tyre.
“Nuk kam planifikuar asgjë. Kemi bërë një sherr të madh dhe kam vepruar pa u menduar. Nuk e kam rrëfyer që në fillim se po mendoja për fëmijën tim”, ishin fjalët e para të Babis Anagnostopoulos drejtuar policisë, ndërsa në kërkim të faljes kishte pohuar se nuk e kishte planifikuar dhe nuk kishte asnjë motiv. “Më vjen keq për atë që kam bërë. Shkatërrova jetën time dhe familjen time. Jam plotësisht i vetëdijshëm se falja është një fjalë shumë e vogël dhe në asnjë rast nuk mjafton për të lehtësuar dhimbjen që shkaktova… Ngjarje të tjera e nxitën situatën, pasi asgjë nuk ishte e paramenduar. Përsëri, kërkoj falje dhe dua të theksoj se mendimi dhe udhëzuesi im i vetëm për atë që ndodhi më pas ishte vajza ime e vetme”, tha asokohe i riu.
Piloti 32-vjeçar synon të kërkojë nga Gjykata e Athinës, një faktor lehtësues për t’i shpëtuar jetën. Kështu, ai do të flasë për një “zemërim” të shkaktuar nga viktima. David Crouch, i lindur në Liverpool, një inxhinier 78-vjeçar në pension, i cili ka jetuar në Alonissos me gruan dhe vajzën, nuk do të jetë në gjykatë pasi duhet të kujdeset për Lydia e vogël. Ndërkohë, nuk përjashtohet fakti se gjyqi edhe mund të shtyhet, pasi avokati i pilotit duhet të paraqitet dhe në një tjetër proces, në Gjykatën e Jurisë së Përzier.