Në tryezën që organizoi ish-kryeministri Sali Berisha me pedagogët, ishte i pranishëm dhe regjisori Bujar Kapexhiu.
Ai foli për situatën në Arsimin e Lartë në Shqipëri.
Sipas tij, gjendja është alarmante dhe duhet një revolucion për të ndryshuar situatën.
Kapexhiu u shpreh se nga ligji i Arsimit të Lartë qindra student kanë mbetur pa shkollë.
“Kam qenë student, kam qenë dhe vazhdoj të jem pedagog, kam qenë rektor i Akademisë së Arteve dhe e njoh shumë mirë gjendjen ku ndodhemi sot. Gjendja është alarmante, duhet një revolucion për të ndryshuar shumë gjëra në arsimin tonë. Nga gjithë ligji i arsimit të lartë po kap vetëm një gjë fare të vogël. Nga ky ligj qindra student që kanë dashur të vijojnë shkollën e lartë kanë mbetur pa shkollë.
U vu një mesatare. Shumë mirë, për një shkollë të përgjithshme, por absurditeti ishte pasi u vendos mesatarja për shkollat me konkurs. Përderisa e ke me konkurs është konkursi që i zgjedh studentët, është absurde mesatarja. Nuk kisha fare lidhje me shkollën në atë kohë, por kam vajtur që nga ministrja deri te maja e piramidës për të diskutuar këtë problem. Të paktën shkollat me konkurs duhet ulur mesatarja”, tha Kapexhiu.