Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët tha se qeveria është angazhuar të mbajë të pa ndryshuar çmimin e energjisë dhe të kujdeset për qytetarët në këtë krizë.
Rama tregoi edhe një mesazh të ardhur nga një zyrtar në Bruksel, që sipas Ramës, i ka komunikuar se protestat ekonomike i shërbejnë në këto çaste vetëm Putinit.
“Kur qeveria vetëm pak ditë pasi ndeshet si e gjithë bota me befasinë e kësaj lufte që vjen këtu me kërcimin zgupthi të çmimeve del e thotë brenda javës do të kemi skenarët dhe do t’ju njohim me masat që do të marrim, atëherë çfarë nguti ka për të marrë rrguët? Për të investuar para në internet që të derdhet sa më shumë helm, të përhapet sa më shumë panik dhe të krijohet një re e zezë pasigurie dhe mërzie mbi renë që ka krijuar vetë kjo situatë veçse qëllimeve të ulëta politike që i mishëron ajo fjalia po na shpëtoi edhe kësaj radhe s’e kapim dot më. Asnjë qëllim tjetër. Nuk ka asnjë lidhje me popullin, pensionistët që ua qajnë hallin me demek ata që dëmtojnë Shqipërinë. Ndërkohë që siç e premtuam edhe e bëmë.
Spostuam volum finance nga buxheti i shtetit drejt njerëzve për të vazhduar të mbajmë pa lëvizur energjinë. Qeverisë i kërkohet mbështetje, se çfarë mbështetje më të madhe mund të japë qeveria se sa që të gjithë këtë krizë të madhe energjie që po quhet pandemi e re për botën të mos lejojë të mos kalojë pragun tuaj. Veç kësaj qeveria ka detyrën të garantojë shportën. Kjo është situatë lufte, që nuk e dimë se sa do të zgjasë. Pyetja që i bëj vetes është, që për kaq pak ditë vetëm nga shfaqja e çmimeve alarmante u krijua ky panik, por për muajt në vazhdim, por nëse situata shkon në ato pikat që janë dhe skenarët e botës që të mungojë nafta, energjia, të mungojnë një seri produktesh të tjera. Çfarë bëjmë ne këtu? Kaq pak jemi ne, nga pikëpamja e forcës sonë të karakterit? Kaq të humbur jemi ne? Jo nuk është kështu.
Këta janë një pakicë e pakicës që po kërkojnë me çdo çmim të instrumentalizojnë një dynja të tërë duke treguar gjëra nga më të pa turpshmet. Është paturpësi t’i përsërisësh shqiptarëve që ne e kemi energjinë, është thjesht çështje që këta, ne dmth qeveria dhe ky, lubia, domethënë unë, të mos e vjedhi. Nuk kanë të mos e shesin lirë e ta blejnë shtrenjtë. E shesin lirë sepse marrin pjesën e tyre dhe e blejnë shtrenjtë sepse marrin pjesën e tyre. Kjo është kriminale dhe si kjo janë shumë të tjera, për naftën, monopolet, oligarkët, një çmenduri, dhe gjëra deri sa për abazhurin tim këtu. Del në sfondin e kësaj lufte si një shpenzim i çmendur, me një çmim të çmendur. Na del që është prej floriri i blerë nga unë, që më kujton ose të kujton disa video të bëra nga kanalet e propagandës ruse marrë nga video komplet të tjera, njëra në Austri e bërë nga një skenë tjetër, një skenë filmi. Tjetra nga një skenë proteste dhe nxjerrë në televizione ruse sikur po ndodh në Ukrainë. Për çfarë?
Për t’i treguar njerëzve një realitet tjetër. Del abazhuri si një provë që ky është i shkëputur nga realiteti dhe e ka mendjen te luksi sa që ka blerë një abazhur floriri. Abazhuri këtu i sjellë nga italianët, kur morën godinën. Është më i shtrenjtë se sa çmimi që ka dalë aty, sepse është një objekt shumë i çmuar. Por s’e kam blerë unë, ky abazhur ka qenë mbi kokat e gjithë kryeministrat që kanë qenë këtu përfshirë edhe një non gratë që do ta bëjë Shqipërinë non grata në sytë e opinionit shqiptar. Bashkë me një non grata tjetër, mikun e tij, të pa shpallur ende ai. Kam lexuar një mesazh që më ka ardhur para 2 ditësh nga Brukseli, nga dikush në një instancë të caktuar ku thotë: ‘A keni informacione për kush qëndron pas këtyre protestave në Tiranë? Është legjitime t’i bëhet presion qeverisë, Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe është gati de facto në luftë me Rusinë. Rusia ka shpresa të mëdha, te protestat ekonomike.
Absolutisht që nuk po diskutoj këtu që i ka nxjerrë në luftë Putini, por po them se si mund të bëhesh vegël e një interesi tjetër për turpin tënd dhe turpin e të gjithëve. Një gjë dua të them, nëse do të isha një person i pa interesuar se çfarë mendojnë njerëzit. Nëse do të isha arrogant që nuk dua ta di për njerëzit, nuk do të isha kurrë në komunikim te komentet që bëjnë ata”, tha Rama.