Nga Laura Brown
“The Conversation”
Të gjithë duan të jetojnë sa më gjatë. Shpeshherë na thuhet se çelësi për ta arritur këtë, është të bëjmë zgjedhje më të shëndetshme të stilit të jetesës, si ushtrimi fizik, shmangia e duhanit dhe mos pirja e tepërt e alkoolit.
Po ashtu, studimet kanë treguar gjithashtu se jetëgjatësia mund të rritet edhe nga dieta ushqimore. Një studim i ri, ka zbuluar se të ngrënit në një mënyrë më të shëndetshme, mund ta zgjasë nga 6-7 vite jetëgjatësinë tek të rriturit e moshës së mesme, ndërsa tek të rinjtë, ajo mund të rrisë jetëgjatësinë me rreth 10 vjet.
Studiuesit mblodhën të dhëna nga shumë studime që kanë shqyrtuar dietat dhe jetëgjatësinë e njeriut, krahas të dhënave nga studimi i Barrës Globale të Sëmundjeve, që ofron një përmbledhje të shëndetit të popullsisë nga shumë vende të botës.
Duke i kombinuar këto të dhëna, autorët e studimit ishin në gjendje të vlerësonin se si ndryshonte jetëgjatësia në raport me ndryshimet e vazhdueshme në konsumimin e frutave, perimeve, drithërave, drithërave të rafinuara, arrave, bishtajoreve, peshkut, vezës, bulmetit, mishit të kuq, mishit të përpunuar dhe pijeve me sheqer.
Më pas studiuesit ishin në gjendje të hartonin një dietë optimale për një jetëgjatësi të madhe, të cilën e krahasuan me dietën tipike perëndimore, që përmban kryesisht sasi të mëdha të ushqimeve të përpunuara, mish të kuq, nënprodukte të qumështit me sasi të lartë yndyre, ushqime me shumë sheqer, ushqime të para–paketuara, dhe një konsum të ulët të frutave dhe perimeve.
Sipas hulumtimit të tyre, një dietë optimale përfshinte më shumë bishtajore (fasule, bizele dhe thjerrëza), drithëra (tërshërë, elb dhe oriz kafe) dhe arra, dhe më pak mish të kuq dhe të përpunuar. Gjithashtu, ata zbuluan se pasja e një diete optimale që nga mosha 20 vjeç, do të rriste jetëgjatësinë me më shumë se një dekadë për gratë dhe burrat nga SHBA, Kinë dhe Evropë.
Ndërkohë, kalimi nga një dietë ushqimore perëndimore tek dieta optimale në moshën 60-vjeçare, do t rriste jetëgjatësinë me 8 vjet. Për 80-vjeçarët, jetëgjatësia mund të rritet me gati 3 vjet e gjysmë.
Por meqë nuk është gjithmonë e mundur që njerëzit ta ndryshojnë tërësisht dietën e tyre, studiuesit llogaritën se çfarë do të ndodhte, në rast se njerëzit do të kalonin nga një dietë perëndimore, në një dietë që ishte një e “mesme e artë” midis dietës optimale dhe dietës tipike perëndimore.
Ata zbuluan se edhe kjo lloj diete – të cilën ata e quajtën “dieta e qasjes së fizibilitetit” – mund të rriste ende jetëgjatësinë tek 20-vjeçarët me pak më shumë se 6 vjet për gratë, dhe pak më shumë se 7 vjet për burrat.
Këto rezultate, na tregojnë se ndryshimet afatgjata të dietës ushqimore në çdo moshë, mund të sjellin përfitime thelbësore për jetëgjatësinë e njeriut. Por përfitimet janë më të mëdha nëse këto ndryshime fillojnë që në vitet e hershme të jetës.
Nuk janë ende plotësisht të qarta të gjithë mekanizmat, që shpjegojnë se përse dieta mund tapërmirësojë jetëgjatësinë. Por dieta optimale që zbuluan studiuesit në këtë studim, përfshin shumë ushqime që janë të pasura me antioksidantë.
Disa kërkime mbi qelizat njerëzore, sugjerojnë se këto substanca mund të ngadalësojnë ose parandalojnë dëmtimin e qelizave, që është një nga shkaqet e plakjes. Gjithsesi, kërkimet në këtë fushë janë ende në vazhdim.
Prandaj është e pasigurt, nëse antioksidantët që ne konsumojmë si pjesë e dietës sonë, do të kenë të njëjtin efekt. Shumë nga ushqimet e përfshira në këtë studim kanë gjithashtu veti anti-inflamatore, të cilat gjithashtu mund të vonojnë fillimin e sëmundjeve të ndryshme – dhe procesin e plakjes.
Sigurisht, ndryshimi i plotë i dietës suaj ushqimor mund të jetë i vështirë. Por edhe përfshirjae vetëm disa prej ushqimeve përmendura më lart, që janë vërtetuar se e rrisin jetëgjatësinë,mund të sjellë ende disa përfitime./ bota.al